Kuçi: Dje ka qenë më ndryshe

Pas mbledhjes së ekzekutivit të vendit, zëvendëskryeministri Kuçi ka dal në një konferencë për media. I pyetur se kur mund të mbajnë zgjedhje institucionet e Kosovës në veri të vendit, ai ka thënë se sinjalet e djeshme janë që edhe zgjedhjet kësaj herë janë mbajtur ndryshe.
“Unë mendoj që sinjalet e djeshme, janë që zgjedhjet janë mbajtur ndryshe dhe kësaj radhe janë bindur jo vetëm Serbia, por janë bindur edhe qytetarët serbë në Kosovë. Ka qenë një organizim që ne e kemi përshëndetur nga OSCE-ja dhe mendoj që në këtë drejtim është një hap i mirë për t’i bindur që zgjedhjet në Kosovë menaxhohen dhe organizohen nga institucionet tona dhe ato ndërkombëtare”, ka thënë Kuçi.
Gjithashtu ai ka shtuar se do të krijohen kushtet e domosdoshme për legjitimitet demokratik që atje të mbahen zgjedhjet në mënyrë demokratike dhe nga institucionet kompetente, që janë ato të Kosovës dhe ato ndërkombëtare.
Ndërkohë i pyetur se pse nuk janë përdorur gjithë mekanizmat kushtetues, siç ishte thënë disa herë, për te ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve lokale, Kuçi ka thënë se dje ka qenë një organizim krejt ndryshe, prej kohës që mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë.
Po ashtu ai ka thënë se qytetarët serbë kanë qenë jashtëzakonisht korrekt, duke dal 2/3 e njerëzve për votuar kur ka mbajtur Kosova zgjedhje, se sa ato që janë mbajtur me qytetarët për dy shtetësi.
Ndërkohë ai ka thënë se pa marr parasysh kush do të vijë në pushtet në Serbi, Kosova e ka rrugën e saj kah perëndimi.
“Ajo çka mund të them se është zgjedhje e popullit serb këndo që e përfaqësojnë ata, ne do të jemi të gatshëm që t’i kryejmë obligimet tona shtetërore përball kujt do që mund të jetë në Serbi, por politika e Kosovës, integrimi i Kosovës, nuk varet nga pushtetet politike, se kush i mban ose jo në Serbi. Kosova e ka rrugën e vet, por kushdo që është në Serbi, që është i orientuar nga perëndimi, i bënë mirë në radhë të parë popullit serb, pastaj edhe tërë rajonit”, ka theksuar ai.
Ndërsa lidhur me deklaratën e LPK-së, lëvizja e cila e ka krijuar UÇK-në dhe kërcënimin e saj se mund të bëjë prapë një gjë tillë, pas ngjarjeve të fundit në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, Kuçi ka thënë se Kosova është e interesuar të krijojë paqe në rajon.
“Ajo çka mund të them se Kosova është e interesuar që të krijojë paqe edhe për qytetarët e vet edhe për rajonin. Kosova do të kontribuojë vazhdimisht në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon për bashkëpunimin ndër-fqinjësor, por gjithnjë duke ruajtur identitetin nacional dhe shtetëror, natyrisht duke ruajtur edhe njerëzit e vet. Por logjika e jonë nuk është logjikë e konfliktit dhe veprimet që i bënë Kosova, që i bëjnë shqiptarët janë veprime institucionale”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Kuçi.
Ndërkohë për mos dhënien e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave Kosovës, ai thotë që është premtuar në pranverë dhe pritet një gjë e tillë të ndodh nga zyrtarët e BE-së./kosovapress/