E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria falënderon OSBE-në për zgjedhjet serbe

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës për herë të parë është bërë jashtë organizimit të institucioneve të Serbisë. Ndërsa, falënderon OSBE-në për menaxhim të mirë të tyre.

“Ky proces është bërë sipas standardeve ndërkombëtare për të drejtat e shtetasve që kanë dyshtetësi. Zgjedhjet janë menaxhuar me kompetencë nga OSBE-ja dhe për këtë Qeveria e Republikës së Kosovës i shpreh mirënjohje të lartë OSBE-së dhe faktorëve tjerë ndërkombëtarë", thuhet në një kumtesë të lëshuar nga ekzekutivi i vendit.

Qeveria thekson se qytetarët serbë në tërë Kosovën kanë respektuar këtë frymë të organizimit dhe kanë treguar kulturë të lartë politike dhe qasje integruese, sipas standardeve ndërkombëtare.

“Qeveria e Republikës së Kosovës potencon se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në dy komuna të Kosovës është ilegale dhe ato nuk kanë asnjë efekt juridik dhe politik, dhe as legjitimitet demokratik.

Qeveria falënderon angazhimin profesional të Policisë së Kosovës, të KFOR-it dhe EULEX-it, si dhe vlerëson lartë mirëkuptimin dhe qasjen e qytetarëve shumicë të Kosovës lidhur me këtë proces.

Sot Kosova ka shënuar një progres në këtë angazhim dhe ka respektuar standardet e ndërtuara bashkë me partnerët ndërkombëtarë, që janë synim dhe vizion i të gjithë qytetarëve të vendit”, thuhet në komunikatë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›