E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Do të vazhdojmë marrëveshjen me FMN-në

Nga Express më 31 maj 2011 në ora 17:17

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka shprehur të martën besimin se nuk do të ketë ndërprerje të marrëveshjes me FMN-në, ndërsa partia më e madhe opozitare, LDK e ka fajësuar Qeverinë se ka shkelur zotimet ndaj FMN-së.

Pas disa muaj bisedime, nesër pritet që Fondi Monetar Ndërkombëtar të deklarohet në lidhje me rezultatin e bisedimeve për vazhdimin e marrëveshjes me Kosovën.

Në pritje të këtij vendimi, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi pas mbajtjes së seancës së Kuvendit ka deklaruar për media se institucionet e vendit janë të kënaqur me bisedimet e zhvilluara në kuadër të programit me FMN-në dhe pritet të arrihet një marrëveshje.

“FMN-ja do të del nesër me një qëndrim dhe pastaj menjëherë do del me qëndrim Qeveria e Kosovës. Ajo çka mund të them është që jemi në marrëveshje me FMN, do ta vazhdojmë marrëveshjen dhe jemi te kënaqur me bisedimet që i kemi zhvilluar. Kosova është e interesuar të jetë në kuadër të programit dhe këtë e ka të garantuar, natyrisht të respektohet gjithmonë kriteret, që parasheh FMN-ja, por edhe nevojat që i ka shteti jonë”, ka thënë Kuçi.

Ndërsa si edhe më parë, zyrtarët nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk presin që të arrihet ndonjë marrëveshje mes Kosovës e FMN-së dhe për këtë kanë fajësuar Qeverinë se ka shkelur zotimet e bëra ndaj FMN-së.

“Ne i kemi pasur rezervat tona, e dini që të gjithë, ka qenë një tendencë e politizimit dhe përfitimeve politike në kohën kur është dashtë të bëhet ngritja e pagave. Por ne kemi thënë se, nëse këto bëhen pa procedurë do të kemi krizë financiare. Ne së shpejti do të dalim me një qëndrim për këtë gjë, sepje së shpejti presim nga FMN-ja informacionin e duhur. Por, Qeveria është ajo e cila duhet të shpjegon, se si do të dal prej kësaj gjendje”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri.

Për më tepër ai ka shtuar se lidhur me këtë çështje LDK-ja do ta jap fjalën e vet në 100 ditshin e punës së Qeverisë.

Qeveria e Kosovës dhe FMN ka disa muaj që janë në diskutime. Telashet këtu janë paraqitur sidomos pas vendimit të ekzekutivit që të rriten pagat në shumicën e sektorëve publik. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›