Mustafa: Shpronësimi po na kushton më shumë se sa ndërtimi i rrugëve
Drejtues të Kuvendit Komunal të Prishtinës të martën gjatë një debate të organizuar me qytetarë, kanë shpalosur të arriturat, sfidat dhe planifikimet e udhëheqjes komunale për vitin 2011, me ç’rast u bë e ditur se buxheti komunalë i paraparë për vitin 2011 është rreth 59 milionë e 487 mijë euro, dhe vetëm gjatë periudhës janar-maj 2011 është shpenzuar 16 për qind e buxhetit.
Sipas drejtuesve të komunës, kryesisht është investuar në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, urbanizëm etj.
Me këtë rast zyrtarët komunal të Prishtinës u përballen me pyetje nga më të ndryshmet nga qytetarët e që kryesisht kishin të bënin me leje ndërtimi, me shpronësim të tokave, etj.
Edhe pse ishin të pranishëm, shumica e drejtorëve nga drejtori të ndryshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës në të shumtën e rasteve, kryetari i Komunës Isa Mustafa, iu përgjigj vet qytetarëve.
Në pyetjen e një qytetari nga Lagjja e Muhaxherëve, se kur kjo lagje mund t’i ketë kushtet urbanistike, kryetari Isa Mustafa ka sqaruar se tashmë plani urbanistik për këtë lagje është dorëzuar dhe qytetarët mund të aplikojnë nga tash në procedurë.
“Kemi bërë edhe disa zgjidhje ideore për pjesë të veçanta të Lagjes së Muhaxherëve, por të drejtat e juaja do t’i realizojmë sipas planit rregullues që është aprovuar në Kuvendin Komunal. Ajo që jemi duke u munduar të bëjmë që të kemi sa më pakë probleme në Lagjen e Muhaxherve, por gjithashtu edhe në lagje të tjera, në mënyrë që të mos të kemi leje ndërtimi që pengon njëra tjetrën”, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq qytetarët e Lagjes së Muhaxherëve ankoheshin se që nga viti 2010 është miratuar ligji për planin rregullativ të kësaj lagjeje, por sipas tyre ky proces po zvarritet dhe ankoheshin se ende nuk mund të pajisen me leje ndërtimi.
Në debatin me qytetar u bë e ditur se buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2011 është rreth 59 milionë e 487 mijë euro, dhe deri më tani është arritur të shpenzohet 16 për qind e tij, ku është investuar në infrastrukturë, ndërtimin e objekteve arsimore, në shëndetësi dhe në rregullimin urbanistik të komunës.
Sa i përket lejeve të ndërtimit, kryetari Mustafa ka thënë se në qoftë se plotësohen kushtet do të ketë leje për ndërtim. Ndërsa ka tërhequr vërejtjen para qytetarëve se nëse nuk plotësohet kushtet sipas kritereve të parapara, nuk do të ketë lëshim të lejeve.
Një nga sfidat që po përballet Kuvendi Komunal i Prishtinës, është edhe çështja e shpronësimit, me rastin e ndërtimit të disa rrugëve në kryeqytet dhe sipas kryetarit Mustafa, pagesa për shpronësime Komunës së Prishtinës po i kushton më shtrenjtë se sa vetë ndërtimi i rrugëve.
“Sa i përket shpronësimeve ju me ligj e keni të drejtën e pronës se juaj dhe atë askush nuk mundet t’ua cenojë. Ne kemi pas disa plane që të ndërtojmë rrugë, kemi pas rrugën e Shkupit, paralel me rrugën e Veterrikun, në anën e djathtë dhe do të shkojmë deri në një pjesë dhe do të ndalemi për arsyeje se nuk kemi pare që të bëjmë punimet, sepse kemi shpronësime dhe po na kushtojnë dy deri tri herë më shtrenjtë se sa ndërtimi i rrugës, nuk po mundemi me përballu”, ka thënë Mustafa.
Sipas zyrtarëve komunal, disa nga sfidat për vitin 2011 për Kuvendin Komunal të Prishtinës, janë vonesa në bartjen e buxhetit në vitin 2011 dhe vonesa e ligjit për Prishtinën, që sipas tyre, kjo është duke ndodhur për çështje politike, etj. /kosovapress/