E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënohet Dita botërore pa duhan

Nga Express më 31 maj 2011 në ora 17:00

Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Prishtinë dhe institucione tjera shëndetësore të vendit, të martën kanë shënuar Ditën Botërore Kundër Duhanit. Me këtë rast është vlerësuar se në Kosovë edhe pse ka filluar të zbatohet Ligji kundër duhanit, duhet një angazhim më i madh institucional për të shmangur këtë varshmëri.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Kadër Hyseini ka thënë se Ministria e Shëndetësisë edhe pse është e përkushtuar që të bëjë mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, nuk ka inspektorë të mjaftueshëm që të kryejë këtë punë ashtu siç duhet.

“Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar që të shtyjë përpara zbatimin e këtij ligji, por në të njëjtën kohë është e koshiente edhe për vështirësitë që ekzistojnë në monitorimin e zbatimin e tij, duke qenë se kapacitetet mbikëqyrëse përkatësisht numri i inspektorëve shëndetësor është ende i vogël, ndërkohë që nevojat për zbatim dhe monitorim të zbatimit të ligjit janë më evidente”, ka thënë Hyseini.

Më tej, ai tha se në këtë drejtim nuk mungon edhe përkushtimi i vet ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, që numri i inspektorëve të rritet dhe me këtë edhe numri i inspektimeve të rregullta dhe specifike, që për qëllim do të ketë zbatimin më të gjerë të ligjit për duhan.

Ndërsa, kryeinspektorja e Inspektoratit Sanitar të Kosovës, Ilirjana Zymberaj, duke folur mbi punën e inspektoratit, ka bërë të ditur se deri më tani ky institucion nuk ka shqiptuar asnjë dënim nëpër institucione të cilat nuk e respektojnë Ligjin për duhanin.

Sipas saj, nga janari i këtij viti, inspektorët më shumë janë marrë me vetëdijesimin e popullatës për mos konsumim të duhanit në hapësira të mbyllura. Megjithatë, Zymberaj tha se inspektimet në subjektet afariste ushqimore kanë përmirësuar situatën në terren.

“Tani shohim një përmirësim shumë të mirë në krahasim me vitet e kaluara, edhe pse nuk është zbatim qind për qind, mirëpo është një përmirësim i dukshëm në krahasim me vitet e kaluara. Që nga 5 janari kemi filluar me zbatimin e ligjit nëpër subjektet afariste ushqimore, dmth. nëpër restaurante në tërë territorin e Kosovës. Deri në javën e kaluar ka qenë faza e parë e inspektimit, ku janë inspektuar të gjitha këto lokale afariste ushqimore dhe që nga dita e djeshmit kemi filluar me riinspektim, dmth. si fazë e dytë dhe në këtë fazë të dytë do të shohim si është gjendja reale të këtyre lokaleve afariste ushqimore”, ka thënë Zymberaj.

Ndërkaq, sipas studimit të realizuar nga zyra e OBSH-së në Kosovë gjatë viteve të fundit është rritur numri i femrave, të cilat konsumojnë duhan.

Skënder Syla, drejtues i OBSH-së në Kosovë, ka thënë se shifrat e rritjes së duhanpirjes nga ana e qytetarëve të Kosovës i kushtojnë buxhetit të varfër të Kosovës, dhe po ashtu përthyejnë në mënyrën më të vrazhdë sistemin shëndetësor të Kosovës.

“Në vitin 2009 në Kosovë pothuajse 21 për qind të grave shtatzëna kanë vazhduar të përdorin duhanin edhe gjatë shtatzënisë së tyre, e derisa në 23 për qind tjetër kanë përdorë duhan më parë, por gjatë shtatzënisë e ndërprenë këtë. Afër gjysma e grave shtatzëna, rreth 48.5 për qind raportuan që janë të eksponuara vazhdimisht në tym duhani, derisa mbi gjysma e fëmijëve të porsalindur, apo mbi 54 për qind kanë qenë të detyruar të rriten në ambientet e eksponuar nga duhani, kur dihen efektet shumë të dëmshme sidomos për të porsa lindurit dhe gratë shtatzëna, gjithsesi këto shifra i kushtojnë buxhetit të varfër të Kosovës dhe po ashtu përthyhen në mënyrën më të vrazhdë mbi sistemin shëndetësor të Kosovës”, ka thënë Syla.

Sipas OBSH-së, kjo epidemi globale po përhapet me shpejtësi shqetësuese dhe se deri në vitin 2030 do të ketë 2 bilionë njerëz në botë edhe nëse prevalenca e duhan pirjes zvogëlohet, numri i përgjithshëm i duhan pirjes do të rritet. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›