Kuçi: Pakoja e Ahtisarit nuk preket
Po ashtu ekzekutivi i vendit në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës është pyetur nga mediat për çështjen e veriut, por, sipas tij, Plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës janë dokumente të kompromisit për t’u ofruar sa më shumë të drejta komuniteteve.
“Pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës ka ardhur si rezultat i kompromisit që kemi bërë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare, në dobi të të drejtave të komuniteteve, dhe në veçanti të komunitetit serb, dhe unë them se i ka dy balance: balancën e të drejtave etnike dhe atyre të ushtrimit gjeografik të sovranitetit. Nëse prishen këto balance atëherë kemi telashe për zgjidhjen e problemit të komuniteteve në tërë Kosovën”, ka thënë Kuçi.
Ai ka shtuar se atje ka nevojë për rend dhe ligj, ka nevojë për zbatim të pakos së Ahtisarit, të ligjeve tona kushtetutës sonë, që janë të mjaftueshme për ta ruajtur identitetin nacional dhe kulturor.
Po ashtu në mbledhjen e sotme të ekzekutivit të vendit është miratuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Sipas Kuçit, kjo është në kuadër të programit të qeverisë dhe procesit të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.
“Në përputhje të plotë me programin e qeverisë dhe me orientimin si qeveri që të përfundoj përmbyllja e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu sipas rezolutës së Kuvendit të Kosovës të janarit të këtij viti dhe sipas vendimit të Grupit Ndërkombëtar për Kosovën Qeveria e Republikës së Kosovës ka përgatitur legjislacionin e duhur me qëllim të përfundimit të mbikëqyrur të pavarësisë së Kosovës. Me këtë të ndryshimit dhe plotësimit të ligjeve që kanë bëjnë me mbylljen e pavarësisë së Kosovës përmbushen obligimet e plota të Qeverisë së Kosovës përball rezolutës së janarit 2012 të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë zëvendëskryeministri.
Në këtë projektligj hyjnë 21 projektligje që janë pjesë e dokumentit të Ahtisarit.
Po ashtu sot në mbledhjen e Qeverisë janë miratuar edhe propozim-vendimi për themelimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, raporti vjetor financiar për vitin 2011 si dhe është shqyrtuar projekt-rregullorja për pozitat e larta drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, dhe propozim-rregullorja për Zyrën e Komisionerit për Gjuhët.
Gjithashtu është miratuar propozim-vendimi për vazhdimin e mandatit të Grupit Punues për reformimin e komisionit qeveritar të gjuhëve dhe krijimin e politikave të përdorimit të gjuhëve në Republikën e Kosovës, propozimvendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të qeverisë nr.02/63, të datës 29 shkurt 2012, për miratimin e nismës për Rishikimin Strategjik të Sektorit të Sigurisë.
Gjithashtu është miratuar propozimvendimi për emërimin e Drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, propozimvendimi për emërimin e Kryeshefit Ekzekutiv në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicionale në Ministrin e Shëndetësisë, propozimvendimi për emërimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, propozimvendimi përfundimtar për shpronësimet në rrugët M2 dhe M9, propozimvendimi për emërimin e anëtarëve në Bordin e përkohshëm të Ndërmarrjes Posta e Kosovës Sh. A., propozim vendimi për ndarjen e mjeteve financiare nga programi 054 për shërbimet e këshillimit dhe propozimvendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit nr.06/42 të datës 13 tetor 2011 për targat e automjeteve. /Kosovapress/