E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dielën për Kongresin

Partia Demokratike e Kosovës pritet të marrë vendim të dielën për datën e zgjedhjeve partiake. Kjo u konfirmua nga zyrtari i kësaj partie, Arsim Bajrami, i cili paralajmëroi edhe ndryshime në Statutin e PDK’së. Ai pohoi se do të mbahen edhe zgjedhje nëpër nëndegë dhe degët e këtij subjekti. Por ende nuk dihet nëse Kryetari aktual, Hashim Thaçi do të ketë edhe një kundërkandidat kur të mbahet kongresi i PDK’së.

Partia Demokratike e Kosovës më në fund ka vendosur që të thyejë heshtjen rreth zgjedhjeve brendapartiake.

Kuvendi i punës së partisë më të madhe në vend pritet të mbahet të dielën ku edhe pritet të shpallet data e zgjedhjeve në këtë subjekt politik.

Këtë e ka bërë të ditur të martën për Express, anëtari i Këshillit Drejtues të PDK’së, Arsim Bajrami, duke e konsideruar të nevojshëm rilegjitimimin e kësaj partie.

“Këtë javë, më saktësisht të dielën pritet të mbahet mbledhja e Kuvendit të punës së Partisë dhe aty faktikisht edhe pritet të shpallet data e mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme partiake”, ka thënë Bajrami.

“...Me mbajtjen e zgjedhjeve do të krijohet legjitimiteti i partisë, njëherësh më të fuqishme në vend, e cila është në pozitën udhëheqëse”, shtoi ai.

Bajrami ka bërë të ditur se PDK’ja pritet të bëjë edhe ndryshime në statutin e partisë.

“Po, në fakt janë duke u bërë përgatitjet për ndryshimin e statutit të PDK’së duke ia përshtatur partisë një program të ri, i cili përkon me realitetin dhe rrethanat aktuale në vend”.

“Mendoj se është nevojë për stabilizimin dhe modernizimin e partisë”, ka thënë Bajrami.

E, për dallim prej tij, nënkryetari i PDK’së, Rrustem Mustafa, dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi nuk kanë dashur të komentojnë rreth këtyre lëvizjeve në partinë e tyre.

“Jo, jo... nuk ka kurgjo konkrete për këtë. Ne e kemi një Këshill Drejtues dhe Kuvendin punues, i cili merr vendime se kur dhe si do të mbahen ato zgjedhje, por nuk kemi diçka të tillë ende”, ka thënë shkurt për Express, Bajram Rexhepi.

Ndërsa Mustafa sugjeroi që në vend të tij, si nënkryetar, të pyesim zëdhënësin e Partisë.

“Për këtë nuk kisha dashtë me folë, pyeteni Memlin, zëdhënësin e partisë më mirë...”, ka thënë Mustafa.

Ndryshe, PDK’ja nuk ka mbajtur Kuvendin e rregullt zgjedhor që nga viti 2005.

Një Kuvend i jashtëzakonshëm zgjedhor ndërkaq ishte mbajtur më 24 tetor të 2010’ës, ku u rikonfirmua mandati i Kryetarit Hashim Thaçi, i cili është në krye të këtij subjekti që nga themelimi.

Ndërsa shkaku i vetëm për mbajtjen e Kongresit të ngutshëm, pak para zgjedhjeve të përgjithshme 2010, të shpallura para kohe, ishte obligimi ligjor që kanë subjektet politike për të mbajtur kuvendet e tyre zgjedhore jo më larg se 36 muaj nga ai paraprak, nëse duan të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje.

E pikërisht për këtë zyrtarë të PDK’së kishin deklaruar se Kuvendi i jashtëzakonshëm ishte mbajtur vetëm formalisht sa për të përmbushur këtë obligim ligjor.

Zgjedhje të rregullta ndërkaq nuk kishte në degët dhe nëndegët e partisë, të cilat pritet të mbahen.

“Po fillimisht do të organizohen zgjedhjet në nëndegë dhe degë si dhe në kuadër të kryesive, pastaj do të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme”, bëri të ditur Arsim Bajrami.

Ndërkohë që, nuk ka qenë në gjendje të thotë nëse Thaçi, kësaj radhe do të ketë kundërkandidat për postin ë të parit të PDK’së. E sipas të gjitha gjasave, PDK’së, pikërisht gjatë këtij procesi pritët t’i bashkohet që ish-Shefi i Shërbimit Sekret të Kosovës, Kadri Veseli.

“Ënde nuk dimë diçka të tillë, fakt real është që Partia Demokratike ka një lider të pakontestueshëm dhe të fuqishëm si dhe lidershipi do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në të ardhmen”, ka thënë Bajrami.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës u themelua më 10 tetor të 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë si dhe me vendosjen e forcave ndërkombëtare në vend.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›