E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja, për tre ditë arena e valles shqiptare

Nisin ditët e Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore

Vallja popullore shqiptare ka zbritur në qytetin e Lushnjës, ku për tre net me radhë do të zhvillohet  Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Popullore. Nga data 25-27 maj, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike organizon këtë eveniment kulturor,

i cili ka mbledhur rreth tij artistët më të mirë jo vetëm brenda kufijve shqiptarë, por dhe më gjerë. Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar ka bërë që për të pestin vit ky qytet të shndërrohet për pak ditë në një festë të valles tradicionale shqiptare. Ky festival është një tribunë e valles popullore, tek e cila ndërthuren harmonishëm elementet tradicional të trashëguar dhe elementet e rinj të orkestracionit, interpretimit, etj, të cilët i japin asaj freskinë dhe dinamizmin e kohëve që po jetojmë. Sipas organizatorëve edhe këtë vit synohet që të realizohen objektiva të rëndësishme, jo vetëm në ruajtjen e origjinalitetit, por edhe në përcjelljen brez pas brezi të trashëgimisë sonë folklorike. Juria e vlerësimit të grupeve pjesëmarrëse do të vlerësohet nga personalitete të kulturës si prof.dr. Skënder Selimi, Liljana Cingu, etj. Organizatorët bëjë të ditur se ky festival, i cili ngriti tiparin e tij në qytetin e Lushnjës, gjithçka është bërë sipas kritereve shkencore dhe organizative. Për këtë festival u përgatitën mbi 300 pjesëmarrës, të cilët do të perfomojnë përgjatë ditëve të festivalit në Lushnjë. Grupet përzgjedhëse të festivalit kanë në përbërje specialistë e njohës të spikatur të folklorit shqiptar. Rexhep Çeliku, i cili që nga viti 1976 është solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, numëron në repertorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit, por dhe nderuar me titullin "Mjeshtër i Madh", për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin, e cilëson këtë eveniment kulturor folklorik si shumë të rëndësishëm. Ky festival pa dyshim, që është një prej evenimenteve më të rëndësishme që i takojnë folklorit të vendit tonë. Unë them se ky festival është i mbarë, por ajo që dua të theksoj është dhe pjesëmarrja dhe interesi që kanë të rinjtë për këtë eveniment kulturor të traditës. Në këto ditë vallja shqiptare do të sjellë një atmosferë ndryshe në këtë qytet. Më vjen mirë që të rinjtë kanë shfaqur interes për këtë eveniment tradicional folklorik, thekson ndër të tjera valltari Çeliku. Ndërkohë që specialistët e folklorit kanë verifikuar në të gjitha grupet përfaqësuese zbatimin e kritereve të përcaktuara si në drejtim të origjinalitetit, të prurjeve, cilësisë së realizimit, tematikës ashtu edhe numrit të pjesëmarrësve, cilësisë së veshjeve, instrumenteve. Këto kritere sipas tyre kanë për qëllim ruajtjen e traditës kulturore shpirtërore të kombit tonë, si brenda dhe jashtë kufijve, por e rëndësishme është dhe transmetimin i saj brez pas brezi. Në këtë festival pritet që të marrin pjesë jo vetëm grupet e 12 qarqeve të vendit, por edhe të grupeve të shqiptarëve të Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës, Italisë, Bullgarisë, Greqisë.  Ky festival për disa net me radhë do të kthehet në arenën e valles popullore tradicionale shqiptare, ku artistët më të mirë do të jenë pjesëmarrës në këtë festival, i cili cilësohet si një ndër evenimentet më të rëndësishme folklorike shqiptare. Ndërkohë që vetëm para disa javësh një tjetër qytet priti një eveniment folklorik. Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Popullore Qytetare në Elbasan, që është festival i këngëve popullore qytetare mbarëshqiptare u zhvillu në muajin mars. Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Popullore Qytetare, në Elbasan përkon edhe me fillimin e stinës së pranverës, e cila siç dihet, festohet në mënyrë karakteristike në qytetin e Elbasanit. Për këtë arsye ky takim i këngës popullore ishte edhe një element më rëndësi për gjallërimin e jetës kulturore elbasanase. Pranë Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike pohojnë se janë 5 festivale që QKFV organizon gjatë vitit 2010. I pari për këtë vit nisi Festivali Folkloristik Tipologjik Kombëtar i Këngës Popullore Qytetare në Elbasan përgjatë datave 12-13 Mars, për të mbërritur tek FFKT i Valles Burimore, në Lushnjë, në datat 25, 26 dhe 27 Maj, FFKT i Rapsodëve dhe Instrumentistëve në qytetin e Lezhës, në datat 23 e 24 Qershor, FFKT i Sazeve, në  Korçës në datat 16 dhe 17 Gusht, ( gjatë ditëve të festës së birrës), FFKT i Iso-Polifonisë, në Vlorë në datat 24 dhe 25 Nëntor.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›