Kuçi takon Mirelin
Zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në ditën e dytë të vizitës së tij në Bruksel, ka pasur një drekë punë me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierre Mirel.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Drejtësisë, Kuçi dhe Mirel kanë biseduar për çështjen e rrugëtimit të Kosovës në BE, për tema të veçanta për Raportin e Progresit, për mundësin e anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku zëvendëskryeministri Kuçi kërkoi mbështetjen e Komisionit Evropian dhe mundësinë e trajtimit të Kosovës në mënyrë të barabartë në këtë proces të integrimit.
Zëvendëskryeministri Kuçi po sot takoi edhe Martin Selmayr, shef i stafit të Zëvendës-Presidentit të KE-së dhe komisioneres për Drejtësi, Vivien Reding.
Në këtë takim, zëvendëskryeministri Kuçi prezantoi të arriturat e Kosovës në fushën e drejtësisë, nxjerrjen e ligjeve në përputhje me standardet e BE-së, reformën për një sistem të pavarur gjyqësor, për bashkëpunimin me EULEX-in, për ngritjen e kapaciteteve për rend dhe ligj, si dhe për nevojën e vendosjes se rendit e ligjit dhe sistemit gjyqësor të plotë në komunat veriore të Kosovës. Po ashtu, zëvendëskryeministri Kuçi tha së Kosova është e përkushtuar të ndërtojë një shtet modern me demokraci të bazuar në rend dhe ligj dhe theksoi nevojën e bashkëpunimit me KE-në, për fushën e reformimit në drejtësi.
Në anën tjetër, zoti Selmayr shprehi admirimin për të arriturat në Kosovë dhe gatishmërinë për të përkrahur sistemin e drejtësisë së Kosovës, në rrugën e ndërtimit dhe reformimit.