1395 ditë pa të kuqe
“1395 Ditë pa të Kuqe” quhet filmi që me rrethimin e Sarajevës merret në një mënyrë tjetër, respektivisht me mënyrën se si funksiononte Sarajeva në rrugën që gjatë luftës quhej Rruga e Jetës.
Filmi është xhiruar në Sarajevë, ndërsa rolin kryesor e luan aktorja spanjolle, Maribel Verdu, të cilën e kemi parë në filmat e njohur “Edhe Nënën Tënde Po ashtu” dhe “Labirinti i Pano’s”.
“Përmes metaforës së personazhit kryesor, gratë që për çdo ditë lëvizin nëpër Rrugën e Jetës në Sarajevë, në fakt tregojmë se si funksiononte i gjithë qyteti dhe se si banorët e Sarajevës vazhdonin të ecnin, përkundër të gjithave që ndodhnin atje. Njerëzit vazhdonin të bënin punët e veta. Kishte aty muzicientë, artistë dhe çdo profesion tjetër që nuk kishte ndonjë rëndësi ekzistenciale gjatë luftës, megjithëse ishin në njëfarë mënyre, sepse ishin tejet të rëndësishme për mbijetesë mentale”, i tha Kameric Radio Sarajevës.
Si rezultat i rrethanave doli që pikëpamjet artistike të Sejla Kameric dhe të Anri Salës të mos përputheshin, andaj edhe u krijuan dy filma e jo vetëm një.
Ky fat interesant, sipas kritikut të gazetës britanike ‘The Guardian’, i dha filmit një kuptim të ri.
“Shikimi i dy filmave, njëri pas tjetrit, është diçka shumë më tepër se loja ‘gjeni dallimet’, edhe pse ngjashmëritë mes dy filmave janë pothuajse të pafundme”, thekson Adrian Searle në ‘The Guardian’, pasi që i kishte parë ata në Manchester Film Festival.
Përveç asaj që në të dy filmat, secili prej të cilëve zgjatë nga një orë, aktorja e njëjtë ecë në mënyrë të njëjtë, ka edhe përlot detaje tjera të njëjta, si prova e orkestrës simfonike, kuadrot e mëdha të instrumenteve, sorrat, njeriu që ecë nëpër binarë hekurudhorë, vrapimi nëpër udhëkryq...
Megjithëse, fotografitë me zë ndryshojnë, njësoj siç ndryshojnë edhe kuadrot dhe shtjellimi regjisorial i tregimit.
“Ju shkon mendja sikur diçka s’është në rregull me kujtesën tuaj”, nënvizon kritiku Searle.
Filmi “1395 Ditë pa të Kuqe” pra është dyfishuar, njësoj si ecja në të cilën niset kryeprotagonistja e filmit, apo si simfonia që ekzekutohet përsëri, apo si rrethimi i Sarajevës që ngjet sërish, ose si jeta që jetohet dy herë...