E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti i deputetëve, çështje e PDK-së

Nga Express më 14 korrik 2011 në ora 20:21

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë zgjedhur të qëndrojnë anash çështjes së heqjes së imunitetit të deputetëve që janë nën hetime dhe deklaratave në të cilat janë përfshirë kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell. Ata thonë që Kuvendi si institucioni më i lartë i vendit duhet t’i ruajë marrëdhëniet e mira me SHBA-të dhe BE-në.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi të enjten pas kthimit nga Brukseli, i është kundërpërgjigjur ambasadorit Dell, në deklaratën se me refuzim për heqjen e imunitetit të disa deputetëve, Krasniqi po rrezikon pozitën e tij.

Krasniqi ka thënë se në politikë nuk mund ta heqë askush askënd nga pozita, përveç popullit që e zgjedh me votën e lirë.

Përfaqësuesit e opozitës këto deklarata dhe çështjen e imunitetit, e konsiderojnë si problem të Partisë Demokratike të Kosovës dhe drejtuesve të saj.

Shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri ka përsëritur disa herë se për çështjen e imunitetit, por edhe për deklaratat kundërthënëse Krasniqi-Dell, duhet të pyetet qeveria e drejtuar nga Hashim Thaçi dhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Ambasadori Dell, por veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtet mik, përkrahës të shtetit të Kosovës dhe unë nuk jam t’i interpretoj deklaratat e të tjerëve, unë interpretoj dhe i them qëndrimet e LDK-së. Për këtë adresa është tjetërkund, pyetni në PDK, në Qeveri e jo në LDK”, ka thënë Beqiri.

Edhe Ardian Gjini, shef i GP të AAK-së, thekson se Kuvendi i Kosovës duhet t’i ruajë raportet e mira me SHBA-të dhe BE-në, përderisa shpreh bindjen se kryeparlamentari Krasniqi nuk ka synim t’i prishë këto marrëdhënie.

Kurse sa i përket imunitetit, ai ka thënë se adresa është në PDK, sepse nga kjo parti vijnë të gjithë njerëzit e përfolur.

“Kjo është çështje e PDK-së për shkak se të gjithë njerëzit e përfolur janë të PDK-së. Qeveria e cila ka ofruar që ta kërkojë një opinion prej Gjykatës Kushtetuese, është po ashtu e PDK-së, edhe udhëheqja e Kuvendit, kryetari i Kuvendit që ka kërkuar që ajo ta bëjë një kërkesë kundrejt Kuvendit është prapë i PDK-së. Oferta ime për PDK-në ka qenë, nëse ata merren vesh mes veti se si duan ta procedojnë, ne do t’i mbështesim”, ka thënë Gjini.

Nga ana tjetër, shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci, konsideron se përzierja e tij në çështjen e imunitetit, ose të raporteve Krasniqi-Dell, i tejkalon kompetencat e tij.

“Nuk është problem që do të merrem unë, janë institucionet përkatëse që duhet të merren me atë çështje dhe janë duke u marrë. Prandaj çdo koment i imi është i tepërt dhe i tejkalon kompetencat e mia”, është shprehur Grabovci.

Çështja e imunitetit të deputetëve nën hetime është ngritur nga ana e EULEX-it, i cili kohë më parë i ka dërguar kryetarit të Kuvendit një letër, përmes së cilës ka kërkuar që të merren hapat e duhur në drejtim të heqjes së imunitetit të atyre deputetëve.

Edhe Krasniqi ka përgatitur një letër, të cilën ende nuk ia ka dërguar shefit të EULEX-it, mirëpo që është publikuar në media. Për këto dy letra, ai ishte në Bruksel për t’u konsultuar, ndërkaq pas arritjes në Aeroportin e Prishtinës, Krasniqi ka thënë se çështja e imunitetit të deputetëve është e përcaktuar mjaft mirë me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi, ndaj duhet të ndiqet ajo që e kanë përcaktuar Kushtetuta dhe ligjet e vendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›