Kuçova, qyteti që ofron një qendër rinore
E kujt mund t’i shkonte në mendje se në një qytet si ai i Kuçovës do të kishte aktivitete për të rinj, ndoshta më shumë se në Tiranë, Durrës apo Berat. Në këto qytete të mëdha, koha më e madhe u kushtohet kafeneve, sorollatjeve, shëtitjeve, lojërave në internet apo më keq akoma, orëve të gjata me telefon në dorë duke nisur mesazhe, komunikuar, kjo edhe falë ofertave stimuluese. Ndryshe nga këto zgjidhje që ofron sot metropoli, për qytete më të vogla si Kuçova, mundësitë janë edhe më të mëdha për të rinjtë.
Qendra RinorePranë zemrës së këtij qyteti ndodhet Qendra Rinore, oazi i të rinjve. Kjo qendër është e ndarë në disa kënde, sallë lojërash, bibliotekë, këndi i këshillimit, klasa e bisedave dhe kuzhina. “Save the Children” në Shqipëri, organizatë jofitimprurëse që punon në fushën e të drejtave të fëmijëve, në vitin 2002 në bashkëpunim me Bashkinë e Kuçovës ndërmori nismën për të ngritur Qendrën Rinore dhe për t’i dhënë të rinjve mundësi për t’u zhvilluar e fuqizuar si qytetarë aktivë. Për shkak të statistikave të larta që referonte qyteti i Kuçovës në lidhje me trafikimin, emigrimin por edhe mungesën e informacionit për çështjet që lidhen me të rinjtë, pas konsultimesh të shumta edhe me pushtetin vendor, u krijua në këtë qytet Qendra Rinore.
“Në këtë qendër, të rinjtë sot vijnë për të marrë libra, shumica e familjeve nuk kanë mundësi t’i blejnë ato, apo për shkak të burokracive, të drejtohen pranë bibliotekave të kryeqytetit. Këtu vijnë, lexojnë, përzgjedhin librat që u nevojiten si marrin falas edhe shërbimin e internetit. Një 50 lekësh është shpenzim i konsiderueshëm për një familje që nuk ka të ardhura, përveçse për shpenzimet minimale”, sqaron Buqja, punonjëse pranë Qendrës Rinore. Në mjediset e kësaj qendre ofrohen kurse kompjuteri, rrobaqepësie, muzike dhe gjuhë të huaja.
VendimmarrjaQendra Rinore Kuçovë shërben si një mjedis ku të rinjtë, nëpërmjet debateve dhe trajnimeve, diskutojnë dhe marrin informacion për çështje që i shqetësojnë, jo vetëm ata, por edhe komunitetin ku jetojnë. Nëpërmjet Qendrës Rinore, zëri i të rinjve në qytetet dëgjohet në dy organe të rëndësishme: Këshillin bashkiak dhe komisionit qytetar. Të rinjtë e qendrës prezantojnë përpara këtyre organeve arritjet, sukseset, sfidat dhe problemet e punës së tyre gjithashtu. Po ashtu, ata ngrenë çështjet që i shqetësojnë, duke u konsultuar kështu në procesin e vendimmarrjes në nivel lokal.
“Një mundësi që i është dhënë sot të rinjve është edhe marrja e mendimit apo dhënia e propozimeve për mbarëvajtjen e punëve publike në Kuçovë. Këtë mundësi dhe gjithëpërfshirje ia ka dhënë kryetari i bashkisë. Por për ta pasuruar më tej jetën e të rinjve, kemi krijuar një traditë të tillë, që herë pas here zhvillojmë aktivitete të ndryshme, ku ftojmë edhe persona të njohur nga bota e politikës, kulturës”, tregon Buqja.
Shqetësimet e një qytetiQytetarët e Kuçovës tregojnë se në këtë qytet mbetet problem papunësia dhe emigrimi. Por nga ana tjetër, ka edhe probleme për sa i takon martesave në moshë të re, atëherë kur mungesa e informacionit është e vogël dhe vështirësitë së jetesës bëhen edhe më të mprehta.
Kurset e gatimitPër ata që kanë pasion gatimin, që u pëlqen të ndajnë recetat e tyre por edhe për të rinjtë që duan të mësojnë artin e kuzhinës, shpeshherë organizohen takime të veçanta. Kuzhinë tradicionale, mesdhetare, aziatike por edhe specialitete të tjera mund të mësohen pranë Qendrës Rinore në Kuçovë. Madje të huajt, të cilët mund të ndodhen me punë apo janë të ftuar në sektorë të ndryshëm, nuk mund ta refuzojnë ftesën për të qenë “lektorë” në kursin e gatimit dhe nuk mund të lënë qytetin, pa kaluar më parë nga Qendra e Rinisë.
#