Kuçovë, grinden 3 të rinj për të dashurën, plagoset rëndë njëri
Përleshja mes tre djemve, për shkak të një vajze, ka përfunduar me plagosjen rëndë të njërit prej tyre, dhe ndalimin e dy të tjerëve. Burime nga Drejtoria e Policisë së Beratit bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në mjediset e njërës prej shkollave 9- vjeçare, në qytetin e Kuçovës. Sipas të njëjtave burime, ka qenë shtetasi E. M., 15 vjeç, banor i lagjes 1 Maji, i cili bashkë me shokun e tij 16 vjeç, F. M., kanë goditur me mjete të mprehta, xham, 15- vjeçarin L. G.
Sipas burimeve policore, ngjarja e ndodhur në shkollën "Gaqi Karakashi, ka bërë që viktima L. G., të humbë ndjenjat në momentin kur është qëlluar nga dy shokët, të cilët kanë ikur më pas në drejtim të paditur. Kanë qenë nxënësit e tjerë, ata që kanë lajmëruar mësuesit, ku këta të fundit kanë transportuar të plagosurin në spitalin rajonal të Beratit për shkak të gjendjes së rënduar. Sipas burime të sigurta të organeve të rendit, ngjarja ka ardhur për motive të dobëta dhe arsyeja ka qenë një vajzë në këtë shkollë, të cilën e ngacmonte L. G. Ky ka qenë motivi që ka shtyrë dhe autorin 15- vjeçar të reagojë me dhunë ndaj 16- vjeçarit, që sipas tij i kishte ngacmuar të dashurën. Sipas mjekëve të spitalit rajonal, ende i plagosuri ndodhet me terapi intensive për shkak të hemorragjisë që ka humbur nga plaga e hapur në shpatull me një xham të mprehtë, por për fat të mirë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa policia e qytetit të Kuçovës ka identifikuar autorët, të cilët i ka ndaluar rreth 20 minuta pas ngjarjes. Sipas Drejtorisë së Policisë së Beratit, ndaj autorit 15- vjeçar ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë nën akuzën e Plagosjes së rëndë të kryer në bashkëpunim", parashikuar nga nenet 88 dhe 25 të Kodit Penal.