E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, tregtimi i mishit në rrugët e qytetit, veterineri bredh me vulë ne xhep

Qyteti i Vlorës vuan prej disa vitesh mungesën e një theroreje, e ndërsa tregtimi i mishit vazhdon të bëhet në kushte totalisht të papërshtatshme higjieno-sanitare. Si therja e bagëtive edhe shtija e gjallë e tyre, bëhet në vende të dukshme të qytetit, madje edhe ndër sy të bashkisë apo institucioneve të tjera përgjegjëse shëndetësore, megjithatë ende nuk mbahet mend ndonjë penalizim në këtë drejtim. Nga ana tjetër, janë pikërisht qytetarët ata që vuajnë pasojat, teksa bëhen gjithnjë e më shpesh vizitorë të spitalit rajonal. Tregtimi i mishit është një aktivitet, i cili bëhet hapur jo vetëm në periferi apo rrugë dytësore të qytetit, por edhe në qendër, në tregun pranë Albtelekomit. Aty, therja e bagëtive dhe shitja e mishit bëhet në kushte mizerabl. Në projektet e bashkisë është përfolur prej vitesh ndërtimi i një thertoreje për qytetin e Vlorës, ashtu sic ka qenë shumë e shumë vjet më parë. Një thertore e tillë do të bënte kontrollin e saktë të mishit që tregtohet, por kjo ka ngelur vetëm në projekt. Përpara disa vjetësh u përurua një thertore në Xhyherinë, rreth 10 km në lindje të qytetit, por ajo nuk u shërbeu asnjëherë kasapëve të qytetit, sepse ata më parë se të shkonin të thernin mishin në këtë thertore, pranonin ta bënin këtë në pjesën e pasme të dyqanit të tyre. Padyshim që sidomos në muajt e verës kjo është shumë e dëmshme për shëndetin e qytetarëve, sepse këto thertore jashtë kritereve bëhen edhe vendgrumbullimi insektesh të dëmshme. Aktualisht, tregtimi i mishit në këtë qytet në të shumtën e rasteve bëhet vetëm me iniciativën e kasapëve. Ndërkohë që nga sektori i veterinarisë në bashki është një veteriner i caktuar për kontrollin e therjeve, i cili siç tregojnë vetë kasapët, mban vulën tregtimi i me vete në çantë dhe bredh dyqan më dyqan duke vulosur në trupin e therur të kafshëve. Mirëpo ndërsa edhe formalisht, veterineri e bën këtë "adet" tek mishi i trashë, asnjë kontroll sanitar veterinar nuk bëhet tek peshku, që në të shumtën e rasteve shitet prej ambulantëve që shkojnë lagje më lagje e deri shtëpi më shtëpi duke reklamuar këtë produkt. Në qytet janë edhe disa shitore përkundrejt kushteve serioze të higjienës, por tek këto shitore venë pak blerës sepse çmimet këtu janë më të larta se tek ambulantët. Kjo rritje çmimi prej shitësve të dyqaneve justifikohet me faktin se ata paguajnë ndaj degës së tatim-taksave pagesat e rregullta mujore e vjetore ndërkohë që mallin e marrin pothuajse në të njëjtat magazina ku i marrin edhe shitësit ambulantë që tregtimin e bëjnë me çmime më të lira dhe u shkojnë blerësve tek shtëpia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›