E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata "9 Janari" në grevë urie: Trupat e djemve tanë, na i ka fshehur shteti

Grevistët kërkojnë gjetjen e 8 trupave që nuk u gjetën në tragjedinë e vitit 2004, në Karaburun    
Pas 5 vitesh sorollatje nëpër dyert e prokurorive dhe gjykatave, familjarë të të humburve në tragjedinë e 9 janarit të vitit 2004 në Karaburun, kanë vendosur të futen në grevë urie. Shoqata "9 Janari" ka kërkuar prej disa kohësh arsyet e fshehjes së tragjedisë brenda tragjedisë. Kjo ka të bëjë me faktin se përse nuk u mor vesh kurrë e fati dhe e vërteta rreth 8 personave të tjerë, që sipas kësaj shoqate, kanë qenë në një gomone të dytë, të padeklaruar dhe të fshehur si nga shteti edhe vetë drejtësia.
Pikërisht për këtë, disa prej anëtarëve të shoqatës 9 Janari janë futur dje në grevë urie, duke marrë me vete edhe një arkivol, për të treguar se vetëm nëpërmjet tij do të dalin nga greva e urisë. Kreu i shoqatës 9 Janari, Nikoll Mëhilli, i cili ashtu si grevistët e tjerë edhe ai vetë nuk di asgjë për fatin e djalit të tij që prej 9 janarit të vitit 2004, ka deklaruar se këta prindër kanë vetëm 3 kërkesa, që janë; gjetja e kockave të fëmijëve se ku i ka çuar shteti deri sa e vërteton shefi i krimeve që është gjetur gomonia e dytë, zbardhja e vërtetë e tragjedisë së 9 janarit dhe më kryesorja rihapja e hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Familjarët tashmë të ngujuar në grevë urie, kërkojnë me çdo kusht dënimin e fajtorëve të vdekjes së fëmijëve dhe të afërmve të tyre në tragjedi. Sipas tyre, janë vetë strukturat e shtetit shqiptar ato që kanë fshehur 8 trupat e tjerë të viktimave të kësaj tragjedia të madhe në ujërat e Karaburunit. Ndoc Molla, prind i njërit prej të humburve gjatë tragjedisë së Karaburunit, ka kërkuar shqyrtimin e domosdoshëm të kësaj çështjeje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në të kundërt, sipas tij nuk do të dilet nga greva. "Ka pesë vite që është fshehur gomonia e dytë dhe kjo duhet gjetur edhe në sajë të fakteve të reja që ne kemi mbledhur, ose në të kundërtën na presin arkivolet. Ne kërkojmë këto trupa fëmijësh, por dhe se ku i kanë çuar. Ti gjejnë ku i kanë varrosur dhe të na japin ADN- në e tyre", ka deklaruar Molla, i mbështetur edhe nga grevistët e tjerë, të cilët shtojnë. Shoqata 9 Janari, ka paqartësi të madhe edhe në dritën e shumë fakteve për gjykimin dhe përgjigjet e drejtësisë, por sidomos për trupat e 8 viktimave, të cilat fshehin edhe ndonjë sekret akoma më të madh në atë që ato e konsiderojnë vrasje nga strukturat e shtetit.
Mëhilli në 5 vjetorin e tragjedisë  
 Në tragjedinë e 9 janarit në Karaburun kanë qenë dy gomone në det, por shteti vetë e ka fshehur njërën prej tyre dhe në tjetrën ka grumbulluar trupat e gjallë dhe të pajetë që janë gjendur në det në mes të natës. Kështu ka deklaruar kreu i shoqatës 9 Janari, Nikoll Mëhilli, në 5- vjetorin e tragjedisë së ndodhur në ujërat e Karaburunit, më 9 janar të vitit 2004. Në këtë ditë tashmë e cilësuar me të drejtë si e zezë, 5 vite më parë udhëtonin me gomone drejt Italisë 39 persona, por fati i keq e desh që prej tyre vetëm 11 të ktheheshin të gjallë, 20 të vdekur, ndërsa 8 deklaroheshin të humbur që prej asaj dite. Nga instancat shtetërore të asaj kohe u deklarua se në det ka qenë vetëm një gomone, por sot pas 5 vitesh ekzistojnë dëshmi që tregojnë se në det kanë qenë 2 gomone, por për ta minimizuar sa më shumë tragjedinë, është deklaruar vetëm njëra. Mëhilli ka treguar gjatë 5- vjetorit të tragjedisë se i ka rënë në dorë një dëshmi e ish- shefit të krimeve, Sokol Bizhga, ku ky i fundit ka deklaruar se atë mbrëmje në det kanë qenë 2 gomone.

Last Updated on Saturday, 28 February 2009 22:35

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›