E Diel, 1 Nëntor 2026

Kueiroz, elozhe për Ronaldon: Një kampion, madje supermen

Sipas trajnerit të Portugalisë, talenti i Realit të Madridit do të udhëheqë skuadrën drejt lavdisë

Një turmë prej të paktën 3 mijë personash ka pritur Kombëtaren e Portugalisë gjatë mbërritjes në Aeroportin e Johanesburgut. Pjesa më e madhe e tifozëve, të veshur me bluzat e Portugalisë, kanë celebruar zbarkimin e beniaminëve të tyre me kore të denja për stadiume e valëvitje famujsh. Ata kishin ardhur nga qyteti i Magaliesburgut, një orë me makinë larg Johanesburgut, ku jeton një “koloni” shumë e madhe portugeze. Prandaj, edhe Portugalia e ka zgjedhur si rezidencën e saj. Më i lakmuari ishte Kristiano Ronaldo. Ylli portugez ka punuar shumë për të arritur këtë nivel, në fillim te Mançester Junajtid dhe më pas te Reali i Madridit. Pra tashmë ka një detyrë: ta shfaqë nivelin e lartë edhe në arenën ndërkombëtare me Portugalinë, pasi ka qenë inspiruesi i saj në fazën e ndeshjeve eliminatore, ku skuadra e drejtuar nga trajneri Karlos Kueiroz, u kualifikua vetëm pasi mundi Bosnjë-Hercegovinën në sfidën “play-off”. Në turneun e fundit të madh, në Euro 2008, Ronaldo shënoi vetëm një gol dhe Portugalia nuk doli dot nga grupi. Por Kueiroz beson se këtë herë, sulmuesi i Realit të Madridit është gati të demonstrojë kush është në skenën më të madhe të futbollit dhe e mbështet ecurinë e Portugalisë në Afrikën e Jugut 2010, pikërisht te kapiteni i tij. “Kristiano është një kampion dhe, si futbollist, është supermen”, u shpreh Kueiroz për “Daily Star”. “Në lidhje me mentalitetin e lojës së tij, ai është i fortë dhe ka shumë besim te vetja. I tillë ka qenë gjithmonë, që kur kam filluar të punojë me të në moshën 18-vjeçare. Ka një mendje kampioni. është një njëri që e di shumë mirë se çfarë kërkon nga vetja dhe ku dëshiron të arrijë. është fantastike të punosh me të, është një futbollist special në skuadrën tonë, i cili i ka treguar botës se është një fitues. Dhe kjo na e bën më të lehtë, pasi ai mund t’i injektojë shpirtin e tij edhe lojtarëve të tjerë të Portugalisë”, shprehet trajneri. Me Brazilin, Bregun e Fildishtë dhe Korenë e Veriut në Grupin G, Kueiroz këmbëngul se Portugalisë i nevojitet të japë më të mirën për të dalë nga grupi, por ai ka besim se skuadra mund t’ia dalë madje edhe të fitojë Botërorin për herë të parë në histori. “Jam i sigurt se Bregu i Fildishtë do jetë rivali i Portugalisë. Në një situatë ballë përballë, Portugalia mund të mundë çdo ekip në Botëror. Synimi ynë është t’i marrim ndeshjet një nga një. Në fillim të kualifikohemi për në 16-she. Pastaj do të konkurrojmë këdo për të fitimin e titullit kampion bote”, u shpreh Kueiroz.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›