E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lipi karikon ekipin e tij: Nuk ekziston një Itali 2

Prag-Botërori Pas 1-1 me Zvicrën, trajneri nuk do të dëgjojë për skuadër rezervash

Duke parë atmosferën e mbushur me dëmtime, trajneri Marçelo Lipi, në fund të pjesës së parë, kapet me lojtarin e Lacios, Stephan Lishtajner, autori i një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Zambrotës, i cili u rrëzua pas dhembjeve në kavilje. Një zënkë e shkurtër, asgjë më shumë, por është e qartë që trajneri është paska i frikësuar për formën fizike të grupit, që të martën niset për në Afrikën e Jugut me shumë paqartësi. Debati i fundit vjen pas një goditjeje të shëmtuar në kaviljen e majtë të Palombos, i cili del duke çaluar pas zëvendësimit nga De Rosi. Samdoriani del duke i buzëqeshur Lipit me bujari. Këtë herë ka disa arsye për të buzëqeshur. Por Lipi nuk e pranon etiketën e skuadrës rezervë. “Këta nuk janë as afrikanë, janë Italia, dhe janë lojtarë të mëdhenj. Nuk ka dy Itali, por një skuadër të vetme. Rezultati 1-1 ndaj Zvicrës është i lidhur me tri ditë punë më shumë dhe ishim më brilantë. Doja që të gjithë të kishin në këmbë një ndeshje thuajse të plotë. Në Bruksel paguam ‘pikun’ e lodhjes pas 12 ditësh grumbullim. Kjo nuk është një barsoletë, por e thonë shkencëtarët. Tani gjërat po fillojnë të përmirësohen”, shprehet Lipi. “Skuadra është rritur me kalimin e minutave, edhe pse pësuam gol. Ka filluar të vendoset më mirë taktikisht, të bëjë më shumë presion. Në pjesën e dytë ka luajtur në mesfushën kundërshtare. Paraqitja është inkurajuese. Do të bëjmë dy ditë pushim dhe më pas në Afrikën e Jugut do të jemi më brilantë. Kam fjalë pozitive për të gjithë. Duke filluar nga Kielini, i cili nuk mendoja se do të rezistonte në të gjithë ndeshjen. Dhe pastaj Zambrota, i vetmi që bëri dy ndeshje në po aq ditë. Sinjale të mira edhe nga Maxhio, nga të gjithë mesfushorët, nga Paçini dhe Kualjarela. Nuk e di nëse e keni vënë re, që në pjesën e dytë, me lëvizjen e tij drejt qendrës, Fabio e ka detyruar Zieglerin të vuajë, duke lënë të lirë krahun për Maxhio. Këto janë mundësi të mira për ne. Ishte një punë pozitive, por tashmë të shikojnë ç’do të ndodhë në Afrikën e Jugut”. Pas dëmtimit të Andrea Pirlos, Lipi nuk ankohet, por është kategorik. “Me profesor Kastelacin kemi vendosur ta marrim me vete. Mundet edhe të mungojë në tri ndeshjet e para, ky nuk është problem. Dhe ndoshta do të rikthehet në të katërtën, ku i dihet. Për sa u përket të tjerëve, mund të them se sido që të shkojë, unë nuk do të thërras lojtarë të tjerë". Ndërkohë që në të vërtetë, për situatën e Pirlos po rritet pesimizmi. Nga mungesa e lojtarëve të klasit të lartë, pikë referimi për lojën, del në pah problemi i vendosjes taktike. Edhe Lipi jep një përgjigje të paqartë: “Kemi ndryshuar 6 apo 7 skema. E rëndësishme është që të futet në mendjen e të gjithëve, vullneti për të bërë gjëra të mëdha. Më 13 qershor do të zgjedh mes atyre që do të jenë më në formë, të cilët do të zbresin në fushë kundër Paraguait. Të gjithë janë të lirë të mendojnë se jemi skuadër e moshuar. Ne shkojmë në Afrikë me shumë entuziazëm. Nuk na intereson çfarë mendojnë gjermanët”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›