Kufiri me Greqinë, Komisioni i Ligjeve shqyrton propozimin e PS-së
Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve ka nisur shqyrtimi i amendamenteve të paraqitura nga socialistët në lidhje me kufijtë shtetërorë. Ndryshimet e propozuara nga deputeti Ilir Gjoni kanë të bëjnë me rivendosjen e kufijve shtetërorë të Shqipërisë.
Socialistët thonë se miratimi i ndryshimeve në ligj bën të mundur rivendosjen e kufijve shtetërorë të Shqipërisë.
Sipas socialistëve, ndryshe nga ligji i 2008-s, që e la vendin pa kufij, nisma e re përcakton qartë kufijtë detarë jugorë dhe veriorë, duke vendosur dhe koordinatat e sakta.
Gjatë mbledhjes, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u shpreh se propozimi i socialistëve duhet përfshirë në ligjin e rojës bregdetare. Propozimi i Nishanit u miratua në parim me konsensus nga të gjitha palët.
Sipas socialistëve, ligji aktual rrezikon integritetin territorial të vendit dhe projektligji duhet kaluar menjëherë në Parlament.
Drafti Për një ndryshim në ligjin 9861, datë 24.1.2008, Për kontrollin e Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror përcakton se kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i vendosur dhe rregullohet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar si dhe nga traktatet dypalëshe ose shumëpalëshe të lidhura me shtetet e tjera të ratifikuara nga Kuvendi.
Ligji do të diskutohet në Komisionin e Sigurisë të premten, ku ministri Nishani dhe Haxhinasto ku do të flasin për marrëveshjet për ujërat detare. / G.N.