E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufizimi i imunitetit, Berisha kundër Topit

24/02/2011  Kryeministri mbledh qeverinë, kritika KLD-së për refuzimin ndaj iniciativës së mazhorancës

Raporti i KE-së, kreu i qeverisë kërkon kritere transparente për emërimin e gjyqtarëve

Çështja e kufizimit të imunitetit të zyrtarëve është kthyer në një kalë beteje për mazhorancën qeverisëse për të sulmuar opozitës dhe jo më larg se dje edhe kreun e shtetit Bamir Topi në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, në fjalën e tij kryeministri u ndal edhe te domosdoshmëria për të luftuar korrupsionin, ku kufizimi i imunitetit është një prej mënyrave më efikase për ta realizuar atë edhe në rangjet e larta kryesuese të institucioneve të shtetit. Kreu i qeverisë përkrahu iniciativën e para një muaji të ministrit të Drejtësisë Bujar Nishani për këtë çështje prezantuar në KLD, por shprehu pakënaqësinë e tij për refuzimin që iu bë nga drejtuesit e KLD-së. “Kam ndjekur me interes debatin që nxitët për të vendosur një standard të ri nëpërmjet një rregulloreje të KLD-së apo Konferencës së Gjyqtarëve për kufizimin e imunitetit. Konstatova se ky propozim u kundërshtua nga drejtuesit e atij institucioni, të cilët kanë edhe përgjegjësinë kryesore për luftën kundër korrupsionit në ato institucione. U propozuan si alternativë ndryshimet ligjore që kërkojnë 3/5 në Parlament. Faktikisht të bësh një propozim të tillë pas bllokimit të ligjit të Gjykatës Administrative, do të thotë thjesht të lash duart”, - theksoi kryeministri Berisha në fjalën e tij, duke përkrahur në këtë mënyrë iniciativën e Nishanit. Ky i fundit kërkoi në mbledhjen e 21 janarit që KLD-ja tu kërkonte gjyqtarëve të Shqipërisë që iniciativa e deputetëve dhe ministrave për të depozituar një deklaratë pasurie, ku heqin dorë nga imuniteti për çështje të korrupsionit, të ndiqej edhe prej tyre. Referuar raportit të KE-së, sipas të cilit ka probleme serioze në procedurat e emërimit, transferimit, shkarkimit të gjykatësve dhe prokurorëve, numri një i qeverisë porositi ministrin e Drejtësisë që përcaktimi i kritereve dhe standardeve transparente në këto procese të ishte prioritet i punës së tij. “Është shumë e domosdoshme që të përcaktohen procedurat më transparente, në mënyrë që të emërohen, shkarkohen, transferohen pa lënë nënkuptuar se detyrohen të paguajnë ndonjë gjë e se detyrohen të marrin për të paguar. Ndaj përcaktimi i këtyre kritereve, së bashku me Euralius, të ketë përparësi”, - vijoi kryeministri.

Kontrolli i karburantit

“Në projektin tonë për përmirësimin cilësor të shërbimeve ndaj qytetarëve, por para së gjithash nxjerrjen e tyre nga korrupsioni, është jashtëzakonisht e rëndësishme të procedojmë me dhënien e tyre sektorit privat në atë që quhet out source. Ne kemi dhënë një seri shërbimesh, ndër të cilat kontrolli i automjeteve, që ka qenë një praktikë problematike dhe sot kjo praktikë në tërësinë e saj është jashtë korrupsionit. Out source do të vendoset në të gjitha pikat e transitit kufitar si dhe duhet të aplikohet edhe në inspektoratet kryesore për kontrollin e cilësisë së karburanteve.”

Sfida e kryebashkiakut

“Ajri është problem kryesor në Tiranë, por kjo nuk do të thotë të mendojmë se nuk krijohen, edhe në qoftë se nuk ekzistojnë, probleme me ajrin edhe në zona industriale. Janë në ndërtim e sipër rreth 14 impiante të përpunimit të ujërave nga Velipoja deri në Ksamil. Fatmirësisht 8 maji hap plotësisht perspektivën e zgjidhjes së këtij problemi. Pas zgjedhjeve lokale kryetari i ardhshëm i bashkisë do të ketë një nga përparësitë më kryesore përpunimin, pastrimin e ujërave të zeza të kryeqytetit, mos derdhjen e tyre në det, por trajtimin paraprak të tyre.”

Sistemi i taksave dhe i kasave fiskale

Nis së shpejti deklarimi i të ardhurave të qytetarëve

Qeveria shqiptare së shpejti do të zbatojë projektin e parashikuar kohë më parë të deklarimit të të ardhurave nga qytetarët, përveç praktikës së deritanishme, ku detyrim ligjor e kanë vetëm zyrtarët. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë kreu i saj foli për taksat e detyrimeve të shtetit ndaj tyre dhe praktikave më moderne. “Unë shfrytëzoj rastin të falënderoj me shumë respekt e mirënjohje biznesin shqiptar për shkallën e lartë të përgjegjësisë që kanë treguar në vendosjen e kasave dhe i siguroj se çdo qindarkë do të paguhet nga buxheti i shtetit, si dhe u kërkoj qeveritarëve vendorë të dorëzojnë faturat, në mënyrë që qeveria të disbursojë nga buxheti, në përputhje me premtimin e ligjin që ka kaluar në Parlament, çdo qindarkë që kompanitë, sipas ligjit, janë autorizuar ta zbresin në taksat që do të paguanin dhe kompensimi do të jetë i plotë nga buxheti qendror”, - tha ai për kasat fiskale. Kryeministri përmendi se i ka dhënë ato gratis, por e cilësoi këtë si një ndihmëse të merituar ndaj atij që ai e quajti “gjeneratori i të gjithë zhvillimit e pasurimit të këtij vendi - biznesit”. Sistemi kasave është sistemi me server të përbashkët dhe i shërben shumë lirisë së tregut, luftës kundër informalitetit, por edhe shërbimit të qytetëruar. Në vijim Berisha pamendi edhe rimbursimin e faturave të qytetarëve për disa shërbime. “Pas vendosjes së kasave, natyrisht, qytetarët me faturat që do të mbledhin do të kenë të drejtën e rimbursimit. Tani bëhet edhe deklarata e qytetarit për të ardhurat”, - përfundoi ai.

Vlerësimi i sipërfaqeve që shpronësohen

E drejta e ministrit për procedurë përjashtimore

Qeveria miratoi dje një ndryshim në vendimin nr. 138 datë 23.03.2000, “Për kriteret teknike të vlerësimit dhe përllogaritjes së masës së shpërblimit të pasurive që shpronësohen, të pasurive që zhvlerësohen dhe të të drejtave të personave të tretë për interes publik”, i ndryshuar. Sipas tij, ministri përgjegjës për investimet publike në akset rrugore kombëtare ka të drejtë të aplikojë procedurë përjashtimore për vlerësimin e sipërfaqeve që shpronësohen, pavarësisht nga kategoria e tyre në të gjitha rastet kur konstaton se çmimi i vlerës sipas pikës 1 të këtij vendimi është më i vogël se 100 % e mesatares së shitblerjes që ka ZRPP ose më i lartë se 100 % e saj. Struktura përgjegjëse që merret me procedurën e shpronësimit është e detyruar të verifikojë me ZRPP, sipas procedurës dhe kritereve të pikës 1 të këtij vendimi, çmimin e hartës së vlerës me mesataren e shitblerjeve. Kur ministri i Financave, në bazë të interesit publik refuzon dhënien e miratimit, procedura e vlerësimit vijon në bazë të hartës së vlerës. Ky vendim nuk do të zbatohet në rastin e kërkesave për shpronësim që janë publikuar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Mazhoranca ashpërson retorikën

21 janari, PD akuzon kryeprokuroren si puçiste

Partia Demokratike përmes deputetes Ledina Alolli ka denoncuar zvarritjen që sipas saj Prokuroria po i bën hetimit të ngjarjeve të 21 janarit, duke akuzuar gjithashtu kryeprokuroren si autore kryesore të pucit të 21 janarit. “Me gjithë kërkesën e prerë të mbarë shqiptarëve, por edhe të miqve dhe partnerëve më kryesorë të Shqipërisë, për hetim të gjithanshëm, të pavarur dhe transparent të 21 janarit nga institucionet e vendit, prej më shumë se një muaj, shoqja e bulevardit, nën diktat, vazhdon veprën e saj kriminale të bllokimit të hetimit të organizatorëve të grushtit të shtetit, me të cilin kreu i bllokmenëve të rinj do të përmbyste qeverinë legjitime të vendit, ndërsa shoqja e bulevardit dhe puçiste të tjerë do të merrnin mandatet e dyta”, - tha deputetja demokrate. Me bllokimin e hetimit të organizatorëve të grushtit të shtetit, tha Alolli, të sulmit prej pesë orësh nga Këshilli i Ministrave, shoqja e bulevardit, u dëshmoi shqiptarëve se, së bashku me Ramën, Ruçin dhe Gjinushin, është autore kryesore e puçit të 21 janarit. “I deklarojmë shoqes së bulevardit, se loja me hetimin është lojë me veten dhe puçistët që mbron dhe qëndrojnë prapa saj”, - tha përfundoi ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›