E Shtunë, 31 Tetor 2026

Isinbajeva kenaqet vetem me bronz

Në netët magjike të atletikës së madhe, shpeshherë lufta e fortë sportive dhe elementi spektakël lënë në hije pretendentët. Kjo i ka ndodhur edhe ruses Elena Isinbajeva, që humbi pikërisht në atë që pritej të ishte nata e saj.
Mbretëresha e kërcimit me shkop në Athinë e Pekin dhe atletja që mban rekorde të shumta botërore, nuk u paraqit në nivelin e pretenduar. Ajo hyri në konkurrim me 4 metra e 65 centimetra, kaloi 4.70, por u bllokua në lartësinë 4.75.
Pas dy gabimeve Isinbajeva provoi pa sukses në tentativën e fundit kërcimin e 4 metrave e 80 centimetra, por amerikania Xhenifer Suhr dhe kubanezja Silva e nxorrën në pension. Suhr fitoi medaljen e artë me kërcimin 4.75, ndërsa Isinbajeva e mbylli Olimpiadën vetëm me bronzin.
Në finalet e tjera të atletikës, gara e 400 metrave me pengesa i ka rikthyer fronin Feliks Sançez të Republikës Domenikane. Ish-kampioni i përpara 8 vjetëve në Athinë regjistroi kohën 47”63, duke lënë mbrapa amerikanin Tinsli dhe Kulron nga Puerto Riko.
Në garën e forcës, atë të 400 metrave, ka ardhur triumfi i Kirani Xhejms, që i dha vendit të tij, Grenadës medaljen e artë. Në këtë mënyrë, vendi me vetëm 109 mijë banorë, hyn në histori si shteti më i vogël që fiton një medalje në Olimpiadë.
19-vjeçari Xhejms, i njohur edhe si “Xhaguari” regjistroi kohën 43.94, duke konfirmuar titullin botëror të fituar një vit më parë në Daegu, ndërsa pas tij u renditën Santos nga Republika Domenikane dhe Gordon i Trinidad dhe Tobagos. Finalja e 400 metrave spikati edhe për faktin se për herë të parë në histori, aty nuk garonte asnjë atlet amerikan.
Në garën e 3000 metrave me pengesa për femra triumfoi rusja Zaripova në 9 minuta 06 sekonda e 72 të qindtat, në vendin e dytë u rendit Gribi nga Tunizia, ndërsa Asefa e Etiopisë ishte e treta.
Ndërkohë, Bjellorusia ruan traditën në hedhjen e gjyles. Kjo për faktin se Ostapçuk triumfoi me 21,36 metra, duke fituar medaljen e artë, ndërsa australiania Adams dhe rusja Kolodko kompletuan podiumin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›