Hipotekat, 7000 qytetarë në fazën e fundit të regjistrimit

Basha me ministrat Olldashi dhe Halimi, duke firmosur marrëveshjen për Hipotekat
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka përfunduar dhënien e hipotekave për 12 objekte.
Drejt mbylljes janë procedurat edhe për 27 të tjera. Në total përfitojnë 7000 qytetarë të Tiranës. Rruga për hipotekimin e apartamenteve është hapur fillimisht nga Bashkia, e cila ka mbyllur dosjet duke dhënë lejet e përdorimit si fazë e parë për regjistrimin përfundimtar. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë e Tiranës, Florian Pustina, janë përfunduar procedurat edhe për 20 subjekte dhe pritet vetëm plotësimi i dokumentacionit nga ndërtuesit. Këto deklarata, Pustina i bëri dje duke theksuar se këta të fundit nuk duhet ti mbajnë peng qytetarët. Kemi një sërë rastesh ku mjaft ndërtues janë neglizhentë dhe nuk plotësojnë dokumentacionin e duhur për të bërë të mundur pajisjen me lejen e përdorimit dhe gjithashtu kemi raste kur subjektet janë pajisur me leje përdorimi nga Bashkia dhe nuk kanë aplikuar pranë ZRPP Tiranë për hipotekimin, tha Pustina. Ai u bëri thirrje këtyre subjekteve të angazhohen totalisht dhe të përmbushin detyrimet ligjore që kanë ndaj qytetarëve të Tiranës për të mundësuar regjistrimin e apartamenteve të tyre. Bashkia e Tiranës pritet të japë gjatë këtyre dy ditëve lejet e përdorimit edhe për 543 apartamente të tjera, të cilave u hapet rruga për regjistrim përfundimtar në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Bashkia e Tiranës ka bërë gati lejet e përdorimit edhe për 543 apartamente të tjera, si dhe për një numër të konsiderueshëm ambientesh shërbimi, parkimi e ambientesh tregtare. Pra në total, një sipërfaqe prej 100 mijë metrash katrorë. Me dhënien e këtyre lejeve, ne i hapim rrugë regjistrimit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, ose, e thënë ndryshe, hipotekimit, tha Pustina. Ai shtoi se ka pasur një bashkëpunim korrekt nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë për bashkëpunimin dhe procedimin me shpejtësi të kalimit të pronësisë nga subjekti ndërtues, në favor të investitorëve dhe banorëve, duke bërë të mundur marrjen e pronësisë për apartamente banimi, sipërfaqe parkimi apo tregtimi nga mijëra qytetarë të Tiranës.
Nga ZRPP
Janë dhënë hipotekat për:
12 objekteDrejt përfundimit hipotekat për:
27 objekteGjithsej:
1800 apartamente
7 mijë qytetarë
ZIRINA LLAMBRO