E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufoma e gjendur ne Seman po ekzaminohet per tu identifikuar

Kufoma e gjetur pasditen e së dielës në grykëderdhjen e Semanit po i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Sipas burimeve të policisë kufoma është tërësisht e dekompozuar dhe vetëm nëpërmjet analizave specifike mund të zbulohet se kujt i përket trupi i pajetë.

Burime konfidenciale thanë se personat që e kanë gjetur dhe që kanë dhënë dëshminë e tyre në polici janë të afërm dhe familjare të riut që u mbyt ne ujërat e lumit Seman. Erion Koroveci 25 vjeç nga fshati Beline i komunës Zharrëz ishte duke gjuajtur me të atin e tij në lumin Seman në janar të vitit 2010 . Ai është zhytur në ujërat e Semanit në vendin e quajtur ura e Mbrostarit për të marrë gjahun por nuk ka dalë më prej andej.

Kërkimet e nisura për gjetjen e trupit të tij nuk sollën asnjë rezultat ndërsa familjarët nuk rreshtën së kërkuari trupin e djalit të tyre.
Tashmë ekspertiza mjekoligjore do t’i japë përgjigje familjareve nëse kufoma që gjetën është apo jo e të afërmit të tyre. Sipas të dhënave të policisë së Fierit, vitet e fundit nuk ka pasur ndonjë rast tjetër të ngjashëm ku të mos jetë gjetur trupi i viktimës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›