E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen depozita e solarit, shkak temperatura e lartë

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 27-06-2011 11:09

DURRËS- Një zjarr i madh ka shpërthyer mesditën e djeshme në Maminas, 20 km larg qytetit të Durrësit. Zjarri ka rënë rreth orës 14:00, në afërsi të fabrikës së tullave “Tidold” dhe është përhapur menjëherë me shpejtësi, duke rrezikuar ndërtesa të shumta afër depozitës. I ndihmuar edhe nga era e fortë, flakët e zjarrit kanë kërcënuar godinat e fabrikës së tullave, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar shkaku i vërtetë i rënies së zjarrit. Burime nga vendngjarja kanë bërë të ditur se zjarri ka shpërthyer në njërën nga depozitat që përdoreshin për procesin e pjekjes së tullave, por për fat të mirë zjarri ka rënë në depozitën që ka pasur më pak lëndë djegëse. Bëhet fjalë për lëndë djegëse të llojit solar, i cili përdoret gjerësisht në industrinë e lehtë dhe ushqimore. Ky zjarr, që ka qenë fare pranë autostradës Durrës-Tiranë, ka vënë në gjendje alarmi mjetet zjarrfikëse nga Tirana e Durrësi, për të shmangur ndonjë katastrofë të papritur. Brenda pak minutash nga shpërthimi i zjarrit, dëshmitarët kanë parë nga dhjetëra kilometra larg flakët e tij. Nga të dhënat e para thuhet se ka shpërthyer cisterna me solar e kësaj fabrike, e cila gjendej fare pranë godinës së administratës. Policia ka njoftuar se nuk ka asnjë person të plagosur, nisur edhe nga fakti se fabrika nuk ka qenë duke punuar, për shkak se dita e djeshme ka qenë pushim. I pari që ka konstatuar zjarrin ka qenë roja e fabrikës, i cili ishte disa metra larg nga zona e përfshirë në flakë. Ai ka njoftuar me të shpejtë repartin e PMNZSH-së në Durrës dhe atë të policisë, duke bërë të mundur vënien sa më parë në qarkullim të mjeteve për shuarjen e flakëve. Shpërthimi nga temperatura e lartë e shkaktuar ka pasuar me dëme të konsideruara materiale ,duke nisur me shembjen e murit të kapanoneve, thyerjen e xhamave, dëmtimin e mbulesës dhe dëme të tjera të pajisjeve teknologjike për prodhimin e tullave. Zjarrëfikës nga Tirana dhe nga Durrësi kanë mundur të vënë nën kontroll për rreth 45 minuta situatën e krijuar, duke izoluar vatrën e zjarrit si dhe më pas kanë nisur të e shuajnë atë. Fillimisht grupet e shpëtimit të pajisur me mjete zjarrduruese dhe me bombula oksigjeni janë bërë gati të futen brenda vatrës, por pasi kanë mësuar se në fabrike nuk kishte asnjë person, janë tërhequr. Ende nuk ka ndonjë deklarim zyrtar për shkakun e rënies së zjarrit, ndërsa grupi hetimor vijon të kërkojë arsyet e ngjarjes, e cila është mbyllur për fat të mirë vetëm me dëme material.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›