E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Nuk njohim rezultatin e KQZ, do ndjekim rrugën ligjore

TIRANE- Partia Socialiste deklaroi sot përmes deputetës Eglantina Gjermeni se nuk njeh rezultatin e shpallur nga KQZ mbrëmjen e se shtunës për Bashkinë e Tiranës. Sipas PS “rezultati është një manipulim për të fshehur disfatën elektorale në mbarë Shqipërinë” dhe për të cilën kryeministri dhe kreu i KQZ “do të mbajnë përgjegjësi”

„Një grabitje ditën për diell është rezultati i shpallur nga KQZ për Bashkinë e Tiranës. Një rezultat që e shpall humbësin fitues e që përpiqet përmes manipulimit e kanibalizmit elektoral të Arben Ristanit të vjedhë fitoren e opozitës në kryeqytet. Një grabitje e porositur nga Sali Berisha dhe e ekzekutuar nga Arben Ristani, që po tentohet të na shitet si një grabitje në emër të popullit.“-tha deputetja Gjermeni nga selia rozë.

Sipas deputetet socialiste „ka prova të krimit elektoral që i kanë shkatërruar zgjedhjet dhe që e kanë zhytur Shqipërinë në një krizë të thellë.“

„Nga kutitë e marra në dorëzim dhe të ruajtura nga nipi i Sali Berishës në Lundër dolën gjithfarë çudirash që e bëjnë më se të qartë vjedhjen. Kodet që u zhdukën dhe ndryshuan në periudhën kur kutitë i mbante nipi i Saliut, zarfet e zhdukura dhe fletët e shtuara jashtë zarfeve për Lulzim Bashën, fletët e votimit që na paskan kryer udhëtime të pabesueshme prej kilometrash të tëra për të përfunduar në kutitë e një qendre tjetër votimi dhe kutitë e shqyera prej dorës së pushtetit nga ku mund të futeshin e të nxirreshin zarfe, vota e procesverbale“ deklaroi më tej Gjermeni.

Deputetja socialiste këmbëngul se „ Rezultati i Tiranës ishte ai që e pa mbarë bota, drejtpërdrejtë nëpër televizione dhe që nxorri fitues Edi Ramën. Gjithçka tjetër është thjesht një manipulim.

Në fund të deklaratës deputetja Gjermeni shprehu bindjen se Partia Socialiste do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore e bindur në drejtësinë e kauzës së saj. „Numri i votave që nuk përputhet me numrin e votuesve, provat e qarta të manipulimit dhe cënimit të integritetit të kutive që i panë të gjithë, janë fakte të pakundërshtueshme të pavlefshmërisë së rezultatit të shpallur nga KQZ“.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›