Kujdes nga depozitat

TIRANË- Uji i depozitave është një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në shkaktimin e sëmundjeve të infektive, sidomos gjatë stinës së verës. Specialistë të Drejtorisë së Shëndetit Publik në kryeqytet, këshillojnë që depozitat të klorifikohen vazhdimisht, pasi uji i pijshëm mund të përmbajë mikrobe që paraqesin një rrezik të lartë për jetën e njeriut, kjo kryesisht sepse uji është i ndenjur. Por nuk është i mjaftueshëm vetëm klorifikimi për të pasur një ujë krejtësisht të pastër. Depozitat, herëpashere duhet të zbrazen dhe të pastrohen, pasi uji i ndenjur mund të krijojë alga. Kështu, ato familje që kanë puse ose depozita mund ta realizojnë vetë klorifikimin e tyre. Sasia e klorit që hidhet në ujë varet nga përqindja e tij dhe volumi i ujit që do të dezinfektohet. Për një metër kub ujë të pastër, nevojitet një lugë gjelle e mbushur plot me hipoklorit kalciumi. Ndërsa për ujin e ndotur (turbullt) të së njëjtës sasi, dyfishohet deri edhe pesëfishohet doza në varësi të shkallës së ndotjes. Klori hidhet në një kovë, pritet të kullojë dhe hidhet në depozitë ose në pus, gjatë mbrëmjes. Në mëngjes uji është i përshtatshëm për t’u përdorur. “Edhe pse rastet e pacientëve të sëmurë nga uji nuk kanë qenë të shumta, stina e verës përcjell një rrezikshmëri të lartë sëmundjesh infektive”, tha dje për “Korrierin” shefja e Shërbimit të Sëmundjeve Ngjitëse në Drejtorinë e Shëndetit Publik, Luiza Kolasi. Përveç ujit, burim infeksioni janë edhe akullorja, ushqimet, qëndrimi për një kohë të gjatë nën dielli etj. “Ushqimet që mbartin rrezikun më të madh, pasi janë më të ekspozuarit ndaj mikrobeve, janë mishi dhe produktet e tij, peshku dhe prodhimet e tjera të detit, qumështi dhe nënproduktet e tij, si dhe vezët dhe prodhimet me përmbajtje veze”, sqaroi Kolasi. Kushtet që favorizojnë gjithashtu rrezikun janë mungesa e higjienës në vendet ku tregtohen dhe mbahen këto produkte.
“Jo” akulloreve me copa akulli
Një tjetër produkt që përbën rreziktë madh në tejçimin e infeksioneve është akullorja. Ato janë produktet që konsumohen më shumë gjatë stinës së verës, sidomos nga fëmijët. Sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik, ky produkt duhet domosdoshmërisht të jetë i pastër higjenikisht, sepse helmimet prej tyre janë shumë të rënda dhe të rrezikshme. DSHP-ja këshillon klientët të mos konsumojnë akullore me copa akulli, pasi nuk është e freskët. Ajo është e mbetur nga një ditë më parë dhe është ripërpunuar, kështu që paraqet shumë rezik për shëndetin e konsumatorit, pasi ka ngarkesë me mikrobe patogjene. Akullorja e freskët ka pamje kremoze dhe duhet të ruhet në ngrirje, sepse në rast shkrirje është e rrezikshme për t’u përdorur.
Si të pijmë ujë pa mikrobe
Për të pirë ujë vërtetë të pastër, duhet ta ziejmë atë më parë. Kjo pasi zierja i mbyt të gjithë mikroorganizmat që mund të gjenden në ujë. DSHP-ja këshillon që uji që konsumohet nga fëmijët të zihet përherë, pavarësisht se nga cili burim vjen ai. Një metodë tjetër për të pirë ujë të pastër është ekspozimi i tij në diell. Uji hidhet në enë pa ngjyrë, plastike ose qelqi, të cilat mbyllen mirë me tapë që të mos futen mikrobe nga ambienti i jashtëm. Më pas, këto enë vendosen në një vend ku t’i zënë rrezet e diellit dhe lihen aty të paktën për një ditë. Mësohet se sa më shumë që të rrinë në diell, aq më i pastër dhe i sigurt bëhet uji. Ky ujë mund të përdoret edhe për gatim, larje duarsh, dhëmbësh apo edhe fytyrës.