E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujdes nga ekspozimi i gjatë në diell, ja çfarë mund ti ndodhë fytyrës tuaj

Efektet e diellit mbi fytyren e shoferit 69-vjeçar

Kjo foto mund tu lërë disi dyshues, por në fakt është prova e gjallë e dëmit që dielli i shkakton lëkurës me kalimin e kohës. Burri që shikoni në foto është 69 vjeç dhe për 28 vjet me radhë ka punuar si shofer kamioni.

Pjesa e majtë e fytyrës së tij duket shumë më e vjetër dhe e rrudhur se e djathta, për shkak të ekspozimit më shumë në diell për vite me radhë. Ndryshimi i madh mes dy pjesëve të fytyrës tregon efektin dramatik të diellit mbi lëkurë, duke përshpejtuar plakjen e saj.

Rasti në fjalë është studiuar nga shkencëtarët e Northwestern University në Chicago dhe është publikuar në «New England Journal of Medicine».

Një ekzaminim i lëkurës së shoferit 69-vjeçar ka nxjerrë se ai vuan nga dermatoheliosis, d.m.th. plakja e parakohshme e lëkurës, që shkaktohet nga ekspozimi i vazhdueshëm nën rrezet ultraviolet, të cilat provokojnë  trashjen, rrudhjen dhe shkatërrimin e fibrave elastike të lëkurës.

Rrezet UVA dhe UVB

Këto dy lloj rrezesh janë forma më e zakonshme e rrezeve të diellit, të cilat riprodhohen në kabinat e solarëve. Në ndryshim nga rrezet UVB (ultraviolet), të cilat lidhen shpesh me kancerin e lëkurës dhe djegiet në plazh, rrezet UVA mund të filtrohen përmes xhamit (si në rastin e kamionistit) dhe janë të pranishme edhe në ditët e vrenjtura.

Më përpara, edhe rrezet UVA, konsideroheshin relativisht të sigurta në krahasim me ato ultraviolet, por studime të kohëve të fundit tregojnë se ekzistojnë lidhje mes tyre dhe tumoreve të lëkurës.

Në rastin e kamionistit, mjekët i kanë rekomanduar kontrolle të rregullta për të zbuluar në kohë nëse do të preket nga kanceri i lëkurës dhe kremra kundër diellit me faktor të lartë mbrojtës. / Gazmira Ndoja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›