Kujdes nga pamja e re e Realit

Sulmuesi i Barcelonës, Pedro kërkon kujdes nga Real Madridi, pas përforcimeve që bëri klubi madrilen gjatë verës. Përfaqësuesi spanjoll mendon se katalunasit i pret punë më e vështirë këtë sezon në La Ligë.
Përforcimet si Fabio Coentraos, Nuri Sahinit e Hamit Altintopit, i kanë ndryshuar gjërat. Reali ishte i jashtëzakonshëm në fazën përgatitore duke shënuar shtatë fitore në po aq ndeshje.
“Real Madridi do të jetë më i rrezikshëm se vitin e kaluar. Lojtarët e këtij ekipi janë të motivuar dhe në formë, besoj se do të jetë një sezon i gjatë dhe i vështirë për ne”, deklaroi Pedro për të përditshmen spanjolle ‘El Mundo Deportivo’.
Të dyja ekipet do të përballen në fundjavë, ku do ta kërkojnë trofeun e Superkupës së Spanjës. Takimi i parë luhet të dielën në Santiago Bernabeu, kurse ai i kthimit tri ditë më vonë, në Camp Nou. Pedro synon ta fitojë edhe këtë trofe me ekipin e tij.
“Ne me të vërtetë dëshirojmë ta fitojmë Superkupën. Është një objektiv i rëndësishëm për ne. do të udhëtojmë drejt Madridit me titullin nën sqetulla dhe do të ketë tension të madh. Do të jetë një test i vështirë për ekipin. Reali bëri disa lojë të mira. Ata kanë lojtarë të shpejtë dhe që ndalen vështirë. Duhet të jemi të kujdesshëm nga kundërsulmet e tyre”, vazhdoi Pedro.