E Shtunë, 31 Tetor 2026

Penicilinë për malazezët

Kombëtarja shqiptare është treguar edhe një herë penicilinë për Malin e Zi. Në periudhën diçka më shumë se njëvjeçare, Kuqezinjtë arritën t’i mposhtin dy herë malazezët. Ekipi i Josip Kuzes sonte ishte më i mirë se kundërshtari, duke fituar 3:2, në ndeshjen e zhvilluar në Shkodër. Dhe, sërish hero i Shqipërisë ishte Hamdi Salihi, i cili shënoi një gol fantastik. Nga Moral Pozhegu më 10 gusht 2011 në ora 22:31

Kombëtarja shqiptare është bërë specialiste për ta mposhtur Malin e Zi. Në periudhën prej pak më shumë se një viti, Kuqezinjtë ia dolën të fitojnë dy herë ndaj malazezëve. Ekipi i Josip Kuzes ishte më i suksesshëm se ai i trajnerit Zlatko Kranjcar, në ndeshjen miqësore të zhvilluar sonte në stadiumin ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës.

Kuqezinjtë fituan me rezultat 3:2, në një ndeshje ku e patën lojën nën kontroll gjatë tërë kohës. Ata për një moment u gjetën në disavantazh, por nuk u dorëzuan në asnjë moment dhe në fund buzëqeshën.

Rastet e Ervin Bulkut e Ansi Agollit u pasuan me golin e Erjon Bogdanit, i cili i kaloi në epërsi vendësit në minutën e 33-të. Malazezët u kundërpërgjigjën vetëm shtatë minuta më vonë me anë të mbrojtësit të djathtë Stefan Savic, i cili shënoi me kokë, pas një pakujdesie të mbrojtës shqiptare dhe portierit Samir Ujkani.

Futbollisti i ri i Manchester Cityt, Savic, ishte i pandalshëm në ajër për shqiptarët. Ai i kaloi në epërsi udhëtuesit, me të filluar pjesa e dytë, duke shënuar sërish me kokë. Por, Shqipëria bëri kthesë të madhe, duke e barazuar fillimisht rezultatin me anë të zëvendësuesit, Jahmir Hyka (64’).

Ndërsa, ‘qershinë mbi tortë’ e vendosi Hamdi Salihi, i cili shënoi një super gol në stilin gërshërë nga 15 metra, në minutën e 69-të. Sulmuesi shkodran shënonte gol të shkëlqyeshëm edhe në ndeshjen e parë ndaj Malit të Zi, në maj të vitit të kaluar.

Në vazhdim të ndeshjes, të dyja skuadrat patën disa gjysmëraste, por rrjetat mbetën të paprekura. Ky ishte një test i mirë për Shqipërinë, para sfidës kualifikuese për Euro 2012 ndaj Francës, që zhvillohet më 2 shtator të këtij viti.

Debutojnë Ferati e Kadri
Beg Ferati dhe Bashkim Kadri kanë debutuar me Kombëtaret përkatëse, në ndeshjet miqësore që u zhvilluan sonte. Mbrojtësi kosovar ia bëri sefte me Zvicrën, në miqësoren ndaj Lihtenshtajnit, të cilën e fituan Helvetikët me rezultat 2:1.

Futbollisti i ri i Freiburgut u inkuadrua në lojë në minutën e 64-t në vend të qendër mbrojtësit Johan Djourou. Ish futbollisti i Baselit u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 77-të, pas një ndërhyrjeje të palejueshme. Ndërkohë, për Zvicrën, 90 minuta luajtën tre futbollistët shqiptarë, Blerim Xhemajli, Xherdan Shaqiri e Admir Mehmedi.

Kurse, Kadri debutoi me Danimarkën në miqësoren ndaj Skocisë. Mesfushori shqiptar i Odenses u inkuadrua në lojë në minutën e 76-të në vend të Michael Krohn-Dehli. Sa për informatë, këtë duel e fitoi Skocia, 2:1.

Lëndohet Bajrami
E mërkura ka qenë natë e zezë për Emir Bajramin. Mesfushori kosovar ka pësuar lëndim në ndeshjen miqësore ndaj Ukrainës, të cilën e fitoi Suedia me rezultat 1:0.

Futbollisti i Twentes, në minutën e 23-të pësoi një lëndim në këmbën e majtë, pas një dueli me mesfushorin ukrainas të Bayern Munich, Anatoli Timoshchuk.

Përfaqësuesi suedez u detyrua të largohej nga loja në minutën e 26-të, për t’ia lëshuar vendin Christian Wilhelmssonit. Të enjten (sot) pritet të dihet më shumë rreth lëndimit të ish futbollistit të Elfsborgut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›