E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes me verën. është e rrezikshme!

Prokurorët në Itali kanë urdhëruar sekuestrimin e një sasie të madhe vere, në të cilën është verifikuar prania e substancave toksike. Revista italiane "L‘espresso" ka qenë e para që ka zbuluar skandalin, ndërsa prokurori i Tarantos, Luka Bukeri, ka firmosur dekretin e sekuestrimit. Ai ka urdhëruar edhe zbulimin e destinacionit të miliona litrave verë të intoksikuar, të shitura në kantinat e të gjithë Italisë. Bukeri, që koordinon hetimet prej muajsh, nuk ka dyshim: ajo verë është e rrezikshme për shëndetin dhe duhet sekuestruar menjëherë. Dokumenti që disponon "L‘espresso" mban datën 4 prill dhe flet për urdhrin e lëshuar nga prokurori për sekuestrimin e sasive të mëdha të verës në kantinat VMC dhe Enoagri në Massafra, të cilat kanë hedhur në treg lëngun e intoksikuar në shkelje të plotë të rregullave dhe normave të këtij sektori, e duke shtuar substanca acide apo të patolerueshme nga vetë natyra e verës, disa prej të cilave shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Prokurori flet për praninë e acidit klorhidrik, sulfurik dhe fosforik, që rezultojnë të jenë acide minerale të rrezikshme dhe toksike në sasi të tillë që e bën verën të rrezikshme për shëndetin publik. Por, pak orë pas firmosjes së kësaj mase, ministri i Politikave Bujqësore ka mohuar që në atë verë të kishte substanca të dëmshme. Ndërkohë, sipas investigimit të "L‘espresso"-s, të premten pasdite, me një komunikatë të përbashkët me dikasterin e shëndetit, Paolo de Kastro është përpjekur të mbyllë skandalin, duke nënvizuar se "sipas asaj që ishte saktësuar nga hetuesit, analizat laboratorike të kryera mbi kampionet e marra kanë treguar praninë e më shumë uji në verërat e dyshuara". Pra, dy vlerësime të kundërta. Prokuroria që njeh tërë të vërtetën, nis "gjuetinë" për qindra e mijëra shishe, ndërsa ministria, në anën tjetër, qetëson Evropën dhe Italinë duke thënë se pija është e padëmshme dhe bëhet fjalë vetëm për një supermashtrim tregtar.

Kantina të jashtëligjshme

Por, një tjetër element është kryesor. Prokurori, ndërsa urdhëron kontrolle për cilësinë e produkteve agro-ushqimore dhe sekuestrimin në 14 kantina të shpërndara në tetë rajone italiane, kërkon edhe individualizimin e përgjegjësve të një prej ngjarjeve më të rënda në këto vitet e fundit. Ai citon gjithashtu edhe nenin 440 të Kodit Penal italian, që dënon këdo që ndërhyn në substancat e destinuara për konsumim, duke i bërë ato të rrezikshme për shëndetin publik. "Rezulton nga provat", insiston prokurori Bukieri, "që sasi të mëdha, prej mijëra litrash, të këtij produkti janë dërguar nëpër kantina të ndryshme, nga ku më pas hidhen në treg". "Sasi industriale", "acide toksike", janë këto përshkrimet e një skandali kolosal që kërcënon shëndetin e miliona konsumatorëve. Sipas hipotezave të akuzës, vera e manipuluar mund të shkojë deri në 700 mijë hektolitra. Sasi kjo e barabartë me 40 milionë shishe dhe konfeksione të prodhuara në periudhën shtator 2007-shkurt 2008. Lajmi për hetimin që ka marrë emrin "Velenitaly", është përhapur edhe në sallonin e verërave "Vinitaly" në Verona, ku ishin prezentë prodhues dhe gazetarë nga e gjithë bota. Madje, jehona arriti deri në Bruksel, ku ndërhyri edhe komisionerja evropiane për shëndetin, që kërkoi nga Italia qartësime të menjëhershme. Acarimi është i madh dhe impakti i këtij lajmi në tregjet e brendshme dhe të jashtme mund të ketë efekte shkatërruese. Nga Berlini dhe Tokio kërkohen garanci. Është kjo në fakt hera e dytë në pak ditë, që Italia gjendet në shënjestër të autoriteteve të Bashkimit Evropian. Më herët ishte akuzuar për alarmin e dioksinës në mocarelën e fshatit. Rregullat evropiane, gjithsesi, janë të qarta: sa herë që të zbulohen produkte të rrezikshme për shëndetin, duhet lëshuar alarmi. Por, për mocarelën më herët dhe për verën-helm tani, Bashkimi Evropian ka qenë i dyzuar nisur nga lajmet që vinin nga Italia. Ekziston edhe rreziku që të vihet në fuqi një embargo për eksportin e verës, vrastare kjo për ekonominë italiane. Qeveria, gjithsesi, siguron dhe jep garanci për një numër të ngushtë partnerësh evropianë. Të hënën, në Bruksel, është shpërndarë edhe një komunikatë, që ul nivelin e alarmit. "Hetimet përjashtojnë praninë e një rreziku për shëndetin dhe bëhet fjalë vetëm për një problem, që lidhet me më shumë ujë dhe sheqer në verë", shkruan Italia në deklaratë. Por, sërish deklarata kundërshtohet nga masa e sekuestrimit. Ajo, gjithashtu, bie ndesh me gjithçka që prokurorët e ngarkuar me hetimin kishin deklaruar deri pak orë më herët. Ndërsa ekzekutivi italian tentonte të menaxhonte skandalin, kryeprokurori i Veronës, Guido Papalia, që koordinon hetimet, në një intervistë në televizionet italiane, nënvizonte praninë e substancave toksike dhe acideve në verën e sekuestruar dhjetorin e shkuar në Veronell". "Mes krimeve është sigurisht edhe ai i manipulimit me lëndë të rrezikshme për shëndetin publik, bashkëpunim për keqbërje dhe të tjera krime specifike të lidhura me falsifikimin", saktësonte ai para kamerave. Kjo nuk është në fakt asgjë e re. Prania e acideve ishte vënë në dukje edhe në një komunikatë zyrtare të policisë pyjore, që mban datën 3 dhjetor 2007. Lexohet në të, se në mijëra litra verë të sekuestruara në Veronella, pas ekzaminimeve ka rezultuar përdorimi i mbi 40 për qind të sheqerit industrial, 50 për qind ujë e veç tyre, edhe prania e acidit klorhidrik dhe sulfurik. Madje, edhe inspektorati qendror, në një raport të tijin, mes aksioneve të rëndësishme të vitit të shkuar, flet për sekuestrimin e verës së bardhë dhe të kuqe, në të cilën ishte vënë re prania e acidit klorhidrik dhe sulfurik. E për këtë shkak, Bruno Kastanja, një ndër pronarët e kantinave ku janë kryer sekuestrimet, është akoma në arrest shtëpie, me akuzën se ka vënë në rrezik shëndetin publik. Edhe në Massafra, veç Veronës, sipas ekspertëve të konsultuar nga "L‘espresso", prania e sheqerit e bën thuajse të sigurt edhe praninë e acideve për fshehjen e falsifikimit të verës. Por, hetuesit janë të bindur se në këtë verë ka madje një listë akoma më të gjatë substancash të dëmshme. Nisur nga kjo, prokurori i Tarantos, në dekretin e sekuestrimit, pretendon se është thelbësore gjetja e verës së shituar nga Massafra, për të verifikuar edhe kontaminimet e tjera të mundshme.

Vera fantazmë

Hetimi do të zgjasë akoma edhe shumë muaj. Pyjorja po vazhdon inspektimet në 14 kantinat e dyshimta, të gjitha ndërmarrje, që sipas hetimeve kanë blerë verën e falsifikuar. Pija mund të jetë ende në qilarë, në magazina, por prodhimi më i vjetër, ai i shtatorit, mund të ketë përfunduar edhe në treg. Si në Itali, ashtu edhe jashtë, pasi mes këtyre kantinave ka edhe nga ato që eksportojnë në Evropë. Bëhet fjalë për verë të bardhë, por edhe të kuqe. Pyjorja do të kërkojë që produkti i intoksikuar, i shpërndarë, të mblidhet brenda 15 ditësh. Nuk përjashtohet as fakti që agjentët të nisen personalisht në destinacionet e identifikuara dhe të sekuestrojnë konfeksionet e dyshuara. Por mbetet dyshimi se vera e "inkriminuar" mund të ketë përfunduar edhe në gotat e konsumatorëve. Ndërkohë, 14 kantinat ku janë kryer sekuestrimet, nuk do të akuzohen, pasi hetuesit kanë zbuluar se nga impiantet e Massafras, vera dhe mushti mostër shoqërohej me dokumentacione të rreme. Ka gjasa edhe që blerësit të injoronin manipulimin e verës apo edhe origjinën e verës me kosto të ulët. Do të jenë zhvillimet e ardhshme të hetimit, ato që do të përcaktojnë edhe përgjegjësinë e mundshme të shpërndarësve. Por, sigurisht, ky hetim po nxjerr në pah brishtësinë e sistemit: një prodhues i vetëm mashtrues mund të përcaktojë një efekt zinxhir, që vë në krizë stabilimentet në tetë rajone. Shpesh edhe ndërmarrje të njohura, me emër të mirë, konfeksionojnë produktin misterioz. E siç shkruan prokurori, nuk dihet nga vjen kjo verë e zbuluar në Massafra, që veç të tjerash nuk meriton as të quhet verë. Ndërmarrjet furnizuese të përmendura në dokumente kanë rezultuar në pjesën dërrmuese inekzistente: vreshta fantazmë. Dhe hipoteza më e mundshme është që vjen nga jashtë, që mund të jetë importuar në mënyrë klandestine nga një kontinent tjetër. Nuk mund të quhet verë dhe ndoshta nuk është as italiane. Por rrezikon, gjithsesi, të komprometojë një prej thesareve të Italisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›