E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nën tokë prej 5 muajsh: Po vjen fundi i botës

Prej pesë muajsh janë mbyllur në një shpellë në Penza në Rusinë Qendrore, disa qindra kilometra larg Moskës. Presin fundin e botës, që siç e parashikojnë ata do të mbërrijë më 27 prill, ditën e Pashkëve ortodokse. Janë bllokuar në një zgavër të ftohtë dhe të errët, bashkë me fëmijët e tyre, të indoktrinuar nga një shenjtor që vetë quhet "Svjatoj Pjotr", ose Shën Pjetri i ri. Ai, në fakt, ka zgjedhur të qëndrojë në sipërfaqe. Ishin 29 në fillim të aventurës, por më pas, një grup i vogël kanë dalë në sipërfaqe të terrorizuar, më shumë se nga fundi i botës, nga tmerri i përjetuar në atë zgavër të akullt. Dy ditë më parë, një nga anëtarët e sektit, që ka preferuar të dalë nga shpella, ka thënë se dy gra kanë vdekur. "Tamara ka vdekur nga kanceri, ndërsa një tjetër besimtare, një grua bjelloruse, u rrëzua për tokë, pa jetë, gjatë agjërimit. I kemi varrosur në shpellë". Atje vazhdojnë të qëndrojnë edhe 11 persona, mes të cilëve edhe fëmijë. As lideri i tyre, Pjotr Kuznestov nuk ka mundur t‘i bindë që të dalin, pavarësisht se ky i fundit në shpellë nuk ka shkelur kurrë. I akuzuar për propagandë të urrejtjes fetare, prej disa javësh ai është mbyllur në një spital psikiatrik për një trajtim mjekësor të specializuar, pasi ka tentuar të vrasë veten, duke përplasur kokën mbi një dru. Duket se vuan nga skizofrenia dhe në të shkuarën ka fjetur për katër muaj në një arkivol. Policia e ka shoqëruar në hyrjen e shpellës, por nga brenda saj ndjekësit fanatikë janë përgjigjur, duke qëlluar me armë zjarri mbi agjentët e policisë. "Kërcënojnë se do të vetëvriten në masë", shpjegon një funksionar i qeverisë. "Thonë se do t‘i vënë zjarrin vetes. Preferojmë të mos ndërhyjmë me një blic", vijon ai. E në fakt, shumëkush mund të kujtojë prillin e 1993-shit, kur tanke të armatosura, në të cilat gjendeshin agjentë federalë, ndërhynë në fermën e një "shenjtori" në Teksas, në Vako, ku ishin mbledhur rreth 100 ndjekës të një sekti të ngjashëm. U hodhën bomba me gaz lotsjellës dhe një bombol gazi mori flakë. Vdiqën të djegur për së gjalli 78 ndjekës të sektit, mes të cilëve 18 fëmijë. Ndërkohë, kisha ortodokse ruse është distancuar nga ky sekt i çmendur. Patriarku i Moskës, Aleksi II, i ka dërguar një mesazh ndjekësve të Pjetrit të ri, që të mos i besojnë "pseudo-predikuesve që trembin njerëzit, duke lajmëruar fundin e botës". Pjotr Kuznestov, Shën Pjetri i ri, është një arkitekt 43-vjeçar, që vjen nga Bjellorusia. Ai është transferuar në fshatin në afërsi të shpellës, dy vjet më parë, por menjëherë ka arritur të mbledhë një grup ndjekësish, që besojnë në mënyrë të verbër te profecitë e tij. Për ndjekësit e "Kishës së vërtetë ortodokse ruse", çdo komoditet, para, televizor, makina e madje edhe pullat fiskale mbi produkte, janë vepra të djallit. Fëmijëve iu ndalohet vajtja në shkollë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›