E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujt ti bindesh në Tiranë, semaforëve, tabelave apo policëve?

—-Nga Anisa Ymeri—-

Tiranë- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Përpara “Galerisë së Arteve” ka një semafor që detyron drejtuesit e mjeteve ti binden. Ka edhe një tabelë e cila tregon nga mund të shkosh.

Këto mjaftojnë në çdo vend të botës për të vënë rregull në rrugë (rregulla që këtu i respektojnë vetëm drejtuesit e automjeteve pasi këmbësorët as i njohin as i zbatojnë).

Por as semafori dhe as tabela nuk mjaftojnë në Tiranë. Aty duhet edhe një polic, bash pak metra tej semaforit i cili me absurditet kur sapo semafori ndez dritën jeshile, polici ngre tabelën dhe të sygjeron të ecësh. Sapo ndizet drita e kuqe, polici bën të njëjtën gjë, të kërkon të ndalosh.

Edhe në hyrje të “Rrugës së Durrësit” e njëjta situatë…semafor, tabela dhe policë…më shumë se një, të shpërndarë në çdo kënd të kryqëzimit. Ka edhe këmbësorë të cilët nuk pyesin as për semaforë dhe as për vija të bardha, por me këta nuk merren policët. Për këta duhet të përgjigjen shoferët ti ruajnë…! Edhe këtu policët merren me ngritjen e tabelës për tju thënë drejtuesve të mjeteve të ndalen apo të ecin, duke përsëriur atë që bën semafori!

Por absurdi nuk mbaron këtu. Nëse në rastet kur polici bën të njëjtën gjë si semafori, kjo është vetëm një kosto e kotë, pasi shteti paguan një semafor elektronik dhe një semafor njerëzor. Por ka edhe raste kur policia nuk është fare në sinkron me semaforin. Edhe kur ai është mbyllur polici me tabelën e tij të kërkon të ecësh, duke krijuar një kaos perfekt.

Kështu ndodh jo rrallë pranë urës së madhe të Lanës, në kryeqëzimin e madh të bulevardit, aty ku ka sheh çdo 10 metra 1 polic. Njëri ndër ta ta thotë të vijosh rrugën, ndërsa pak metra më tej përballesh me polici tjetër i cili hakërrehet se do të gjobisë pasi ke hyrë me semafor të kuq. Dhe ja ku absurdi merr tjera përmasa në kësi rastesh.

Nga një vëzhgim 1 javor, nga rrethrrotullimi i “Zogut të Zi” (ku policët janë e domosdoshmëri por rrallë qëndrojnë aty për të rregulluar trafikun) deri përpara Piramidës ndeshesh me rreth 15 punonjës policie që qëndrojnë në mes të kryeqëzimeve, përpara apo pas semaforëve dhe tundin e shkundin tabelat.

Bëhet fjalë për një segment i pajisur me semaforë dhe tabela, me vija të bardha për këmbësorët dhe me gjithfarë sinjalistike rrugore. Kujt ti binden drejtuesit e automjeteve në vend, semaforëve, tabelave apo këtye policëve të cilët kanë nisur ti mbivendosën sinjalistikës rrugore…?

E përse na u dashkan këta policë në këto rrugë të Tiranës?! Përse këta punonjës të shtetit shqiptar që paguhen me taksat tona, duhet të qëndrojnë në këto segmente ku gjithçka është në rregull dhe në asnjë rrugë apo kryqëzim ku semaforët janë të prishur apo nuk ka fare semaforë nuk gjen askënd?

Pse duhet të qëndrojë një polic te kryqëzimi i kryeministrisë dhe jo pak metra më lart, te “Liceu Artistik” ku edhe kur semafori punon ka nevojë për polic pasi jo të gjitha kahet e lëvizjeve janë të rregulluara me sinjalistikë dhe trafiku është jo rrallherë i bllokuar. Pse duhet të qëndrojë një patrrullë policie përpara Filologjikut e të ndalojë në mes të rrugës makina duke krijuar probleme në qarkullim pasi bllokojnë një korsi lëvizjeje dhe nuk duhet të qëndrojë pak metra më poshtë, te një rrugicë ku nuk ka semafor dhe ku është mision i vështirë të hysh në rrugë. Përse rrallë ka polic në një prej kryqëzimeve më problematikë Tiranës, ai i “Shkollës Teknologjike” i cili është përherë i bllokuar dhe përherë e gjen një patrullë te Unaza e Re e cila ndalon automjete vend e pa vend.

Ky është qarkullimi në Tiranë, kaotik edhe pse aty ku ka semaforë dhe tabela, ka edhe policë që u rimësojnë shoferëve që kur është e kuqe të ndalojnë dhe jeshilja të lejon të ecësh.

polic-ne-kryqezim-1 polic-ne-kryqezim-2 polic-ne-kryqezim-3 polic-ne-kryqezim-4

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›