PS: Shtëpi falas për ata që jetojnë në banesat e ish-pronarëve
Tiranë- Mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste i janë bashkuar sot edhe kryetarët e bashkive të disa qyteteve, ku kanë diskutuar për aktin normative Për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilët kanë kërkuar që t`u jepen shtëpi falas këtyre njerëzve.
Kryetarët e bashkive theksuan njëzëri se kredia me interes zero nuk është zgjidhje e problemit të gjithë atyre njerëzve që tashme me zbatimin e këtij akti do të ngelen të pastrehë.
Kryetari i bashkisë së Durrësit kërkoi që qeveria socialiste, që sipas tij do të vijë në pushtet vitin tjetër, t`u jap shtëpi falas të gjitha atyre që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, pasi sipas tij këta i përkasin shtresave shumë të varfra dhe kanë të pamundur të përballojnë çfarëdolloj forme kreditimi.
Kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, tha se kjo është një çështje që nuk zgjidhet me fushata dhe as me demagogji, ndërkohë që theksoi se të nxjerrësh në treg të hapur një kategori të tillë njerëzish është padrejtësi sociale.
Nga disa dhjetra aplikime vetëm katër janë pranuar nga banka. Të nxjerrësh në treg të hapur një kategori sociale kaq shumë në nevojë, është padrejtësi sociale. Është deaogogjike që brenda 20 ditëve të ndodh ajo që nuk ka ndodhur në 20 vite. Zerimi nuk është zgjidhje. Zgjidhja do të ishte një formulë që quhet drejtësi sociale, këto familje të trajtohen sic u trajtuan mbi 200 mijë familje në 90-tën.- theksoi ai.
Ndërkohë Lideri i opozitës Edi Rama e ka konsideruar këtë zhvillim si dramatik për këtë grup shoqëror që ai e ka deklaruar se se PS-ja nuk i sheh me përbuzjen që e shef qeveria.
/IDEA/