Kujtesë dhe vizion
Shumica e figurave të shquara që u kthyen në pre e gjuetisë së shtrigave komuniste, ishin të organizuar në radhët e Ballit, në udhëheqjen e vizionarit të madh të kombit, Mid’hat Frashërit.
Ata janë pjesë e vlerave kombëtare dhe u vunë në shënjestër të makinerisë vrasëse, sepse komunistët duhej të ngrinin në piedestal antivlerat që ata përfaqësonin. Një gjë ata e dinin shumë mirë: “Që të nënshtrosh një komb, humbi atij vlerat e vërteta intelektuale”. Dhe ata pikërisht këtë bënë me vrasjen e intelektualëve më të shquar shqiptarë dhe pasuesve të tyre, dëshmi e kësaj masakre janë edhe 120 viktimat e Devollit që ne përkujtojmë sot.
Vendi ynë përjetoi një regjim totalitar, ku fitoi “asgjëja”, fitoi vdekja përballë jetës. Me pak fjalë, regjimi komunist tentoi të sfidonte Zotin dhe, falë Zotit, dështoi.
Sot, në Shqipëri, kemi një tjetër pamje.
Sot, kemi përpara syve Shqipërinë që ëndërruan dhe për të cilën punuan nacionalistët e udhëhequr nga Mid’hat Frashëri, lideri shpirtëror i Ballit Kombëtar Demokrat, trashëgimtari i shquar i dinastisë së mendimit shqiptar të Frashërllinjve dhe një nga figurat më të shquara të historisë së Shqipërisë.
Koha është në favorin tonë, por ne duhet të tregohemi të zotët për të përcjellë te njerëzit fuqinë e ideve tona, ato që trashëguam nga të parët tanë, të përshtatura me rrethanat e reja në këtë fazë të zhvillimit të shoqërisë shqiptare dhe gjithë njerëzimit.
Megjithatë, nuk duhet ta kërkojmë fajin vetëm te kundërshtarët tanë politikë, pavarësisht se janë thuajse të njëjtët dhe nuk janë ndarë kurrë qartë nga e shkuara të tyre kriminale në dëm të interesave kombëtare.
Po e djathta, a nuk është në faj që e ndjen ngashërimin e vuajtjes, vetëm kur kjo dhimbje ulërin vetëm dy hapa larg shtëpisë? A nuk është në faj për mefshtësinë e saj?
Ne s’duhet të mbetemi peng i viktimizimit, pavarësisht padrejtësive historike kundër nesh, ne duhet të gjejmë forcë të përqendrohemi më shumë tek e ardhmja, gjithmonë duke e kujtuar të shkuarën, për të ditur se çfarë gabimesh nuk duhet të bëjmë. Ne duhet të rrokim dhe ta bëjmë pjesë të politikës sonë fuqinë vizionare të paraardhësve tanë.
Brezi im ka lindur në një kohë tjetër nga ajo e këtyre figurave të nderuara që përkujtojmë sot, por ne jemi po aq të ndershëm për kohën tonë, sa edhe ata për kohën e tyre.
Ky memorial do të jetë një simbol në kujtesën e brezave të rinj për vlerat që ata përfaqësuan në shërbim të interesave kombëtare.
Ky është një fragment nga fjalimi që autori mbajti të premten në Bilisht, Devoll, me rastin e ngritjes së memorialit në kujtim të 120 viktimave të vrara nga regjimi komunist