Kujtim i zbehtë i 2 korrikut

Ca fotografi që nuk sjellin asgjë të re nga kronikat e përsëritura të 2 korrikut 1990, nxjerrë nga arkiva e Ambasadës Gjermane dhe Ministrisë së Brendshme. Ngjarja që paralajmëroi eksodin e madh, kujtohet me aktivitete sa për të thënë
Ekspozita e hapur dje në Muzeun Historik Kombëtar në kujtim të 2 korrikut 1990, dita kur 5000 shqiptarë vërshuan drejt ambasadave për t'u larguar nga këtej, nuk i thotë asgjë atij që ka parë kronikat televizive për përmbysjen e regjimit komunist.
Ca fotografi jo të qarta të njerëzve që protestojnë në oborret e ambasadave, portrete fëmijësh, grash, burrash, copa gazetash të huaja, faksimile dokumentesh dhe në krah tyre ca slogane. Gjithçka të jep përshtypjen e një ekspozite bërë shpejt e shpejt.
Aq shpejt sa koleksioni serioz i Lulzim Peratit është hequr vetëm një ditë më parë nga Holli i Muzeut, që të nesërmen ai të ishte gati në orën 10.00 për vizitën e kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit. As mediat nuk kanë marrë lajmërimin e zakonshëm në kësi rastesh.
Dy korriku është shtuar papritur në axhendën e politikës, konkretisht të pozitës së djathtë.
Nuk ka traditë kujtimi i 2 korrikut apo ndonjë shenjë në qytet, në vendin e ngjarjes që të dëshmojë ç'ka ndodhur.
Gjithkund në shtypin e përditshëm ishte pasqyruar aktiviteti i kryeministri të vendit, Sali Berisha mbajtur dje në sheshin "Demokracia" të qytetit "Studenti", aty ku kujtohen edhe protestat e dhjetorit të studentëve. Ca sekuenca filmike nga ngjarja e 2 korrikut, të kombinuara me imazhe të Shqipërisë 20 vjet më pas, nën tingujt e "Wind of Change" të "Scorpions" dhe me kaq merr fund.
Pak ishin ato media që kishin rrëmuar në arkiva për dokumente, apo u janë referuar diplomatëve të huaj për komente dhe opinione për këtë ditë.
Hapësirën më të madhe të ekspozitës së organizuar nga Kryeministria, por mbante logot e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Universitetit Europian të Tiranës, e zinin portretet e disa njerëzve me çehre të vrarë që shikonin drejt dhe mbanin në duar letra të bardha ku kishin shkruar emrat e tyre.
Fotot nuk mbanin nënshkrim të autorëve. E vetmja, fotografia e njerëzve përpara ambasadës turke, që mbante emrin e fotografit Gani Xhengo. Në krah të saj shkruhej: "Para ish ambasadës turke, në ditët që pasuan, shteti ishte mëdyshur nëse do t'i linte apo jo qytetarët të vërshonin në ambasada.
Represioni herë zbutej herë forcohej". Dukej sikur kjo fotografi fliste më tepër se të tjerat: njerëz që vraponin, veshur me xhaketa doku, bluza jakë V, golfe dhe cigare në buzë.
Fotografitë, nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme dhe Ambasada Gjermane dhe kronika televizive të kohës, janë pa cilësi dhe flasin pak për ngjarjen. Përsërisin atë që është parë dhe transmetohet herë pas here për 2 korrikun në televizion.
Njerëz që protestojnë majë kangjellave dhe në oborret e ambasadave, anije që gati sa nuk thyhen në Portin e Durrësit, të tjerë të shtrirë në mjediset e ambasadave duke pritur ç'do të bëhej me fatin e tyre. E tek-tuk ndonjë gjurmë e kohës, si për shembull Saureli që shembi murin e Ambasadës Gjermane.
Nga arkivi i Ministrisë së Brendshme ekspozohen dhe dy faksimile. Njëra është urdhri që ky institucion, bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes i kanë dërguar Degëve të Brendshme në rrethe për të siguruar rendin publik. Mban datën 12 korrik 1990. Tjetra është një raport i hetuesisë së përgjithshme drejtuar MPB.
Dëshmi të kohës janë kronikat e të përditshmes njujorkeze "New York Times".
Në një kënd të ekspozitës bie në sy një kërkesë për aplikimin e pasaportës së nxënëses Aurora Mustafa Prushi. Aty ku duhet të japë arsimin e saj ajo shkruan: "3 klasë" dhe kur i kërkohet se në cilin shtet do të shkojë dhe cila është adresa e personit që do të vizitojë, Aurora përgjigjet: "Itali-SHBA".