E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë Bep Shirokës

Shkodër - Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare, Artisti i Merituar Bep Shiroka, një ndër aktorët e njohur të kinematografisë dhe skenës së teatrit. Shiroka ka vdekur mbrëmjen e së enjtes në banesën e tij, në qytetin e tij Shkodër, pasi prej dy vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme. Pasditen e së premtes janë zhvilluar homazhe në hollin e Teatrit "Migjeni".


Interpretues i disa dhjetëra roleve në kinema dhe teatër. U shfaq për herë të parë në ekran në filmin "Lugina e Pushkatarëve" në vitin 1970 dhe për herë të fundit në vitin 2002 në produksionin kanadez "Gruaja me flatra".


Roli që e bëri të njohur nga të gjithë artdashësit është ai i babait fanatik tek filmi "Çifti i Lumtur "në vitin 1975, apo i xhandar Veselit tek filmi "Koncert në vitin 1936".


Në teatër, Bep Shiroka ka interpretuar mjaft personazhe në drama e komedi me trupën e teatrit "Migjeni" në Shkodër ku dhe ka punuar si aktor profesionist që nga viti 1960 e deri sa doli në pension. Roli i fundit i përket vitit 2008 në dramën e Stafan Çapalikut "Putargat e thata" ku interpretoi Rezartin.


Bep Shiroka është rritur në një familje artistësh shkodranë. I ati, Kolë Shiroka ka qenë organizator i karnavaleve në këtë qytet. Bepi kreu liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë dhe roli i tij i parë në teatër ishte tek drama "Nora e Kelmendit".


Përveç aktrimit, ai njihej për pasionin e tij për pikturën dhe kjo ka sjellë që ai të bënte dhe punën e skenografit në teatrin" Migjeni", duke realizuar për këtë teatër mbi 30 skenografi.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›