Kujtime nga ditët e revoltës së Spaçit
Akujt dhe ngricat fillonin në nëntor dhe mbaronin në prill. Aty jetonin 700 veta. Puna ishte me tri turne, nën tokë. Uji që pinim mbante erë, piriti dhe acidet ta shkatërronin stomakun. Çelo kërkonte planin, bindje dhe disiplinë, në të kundërt ndëshkoheshe egërsisht. Në shpirtrat tanë ziente urrejtja, revolta, hakmarrja, por edhe një fije shpresë. Më 21 maj 1973 shpërtheu revolta. Revoltën e përgatiti operativi i sigurimit të kampit, Fejzi Liço. Herët në mëngjes, ai, duke shkelur hapur rregulloren e burgjeve, urdhëroi M. Nokun – një i dënuar që gëzonte besimin e plotë të tij – dhe nënoficerët e kampit të arrestonin një të dënuar, i cili e kishte mbaruar muajin e birucës dhe duhej të dilte prej andej. Një zë i fortë nga radhët e bashkëvuajtësve, Jorgo Papa, na ftoi ta mbronim të dënuarin që donin të arrestonin. Të 700 të burgosurit u sulën mbi Fejziun, mbi policinë e punës dhe nxorëm jashtë kampit ushtarakët. Urgjent u lajmërua Tirana. Mbërriti në Spaç Sulejman Manoku dhe pas tij Feçor Shehu. Brako Dervishi solli ushtrinë për ta shtypur revoltën, rreth 70 makina me ushtarë rrethuan kampin. Na prenë bukën dhe ujin. Kërkuan një komision për bisedime me shtabin. U zhvilluan bisedime, të burgosurit me shtabin që erdhi për të shtypur revoltën. Revolta zgjati 5 ditë. Më 26 maj na u dha ultimatum qeveritar: “Deri në orën dhjetë të dorëzoheni, ndryshe do të vdisni të gjithë.” Në orën dhjetë ishim të gjithë të lidhur dy nga dy. Trembëdhjetë veta që nuk u dorëzuan, u nxorën me barrelë prej të rrahurit. Pasi na lidhën, na ulën të gjithëve në tokë me kamxhikun te koka. Para nesh doli Feçor Shehu, na u drejtua me këto fjalë: “Në historinë e Republikës Socialiste të Shqipërisë, kjo është e para revoltë. E quajmë revoltë dhe jo kryengritje, sepse ju nuk kishit armë.” Vazhdoi me fyerje dhe kërcënime. Na tregoi pesë oficerë të veshur me pelerina të bardha dhe tha: “Këta të pestë janë kimista të ushtrisë sonë dhe erdhën këtu për të eksperimentuar lëndët kimike mbi juve, në qoftë se nuk do të dorëzoheshit, do të dilnit të vdekur.” Atëherë, Hajri Pashai iu përgjigj Feçor Shehut, bashkëfshatarit të tij: “Ju ka ardhur laku në fyt. E di se edhe mua do të më vrasësh, siç më vrave babain dhe nënën. Por edhe juve do të mbaroni me turp dhe do të dënoheni si kriminelë.” Pas kërcënimeve barbare të Feçor Shehut, filluan arrestimet. Gjykata speciale ushtarake i dënoi përsëri 13 vetat që nuk u dorëzuan, katër prej tyre me pushkatim dhe të tjerët me burg të përjetshëm. Të arrestuarit jashtë kampit rriheshin dhe torutoheshin barbarisht. Sot mbushen 35 vjet nga ajo ditë. Komunizmi ka 18 vjet që është rrëzuar, po kriminelët e vërtetë nuk janë dënuar ende për krimet e tyre.
* Autori është ish-i dënuar politik, pjesëmarrës në revoltën e Spaçit