Kërcënuesi i familjes Hana: Do tju zhdukim gjithë familjen
TIRANË- “E dimë ku banoni. Do ju zhdukim të gjithë familjen”. Zëri kërcënues përtej receptorit të telefonit fiks ka shqetësuar bashkëshorten e prokurorit Xhevat Hana, dy ditë më parë. Sipas burimeve nga prokuroria e Tiranës mësohet se në kallëzimin e firmosur nga bashkëshortja e prokurorit Hana është fiksuar ora telefonatës dhe mënyra e komunikimit të kërcënuesit, që dyshohet se fliste me dialekt verior. Kërcënuesi ka telefonuar mesditën e së hënës në telefonin fiks të familjes Hana, duke i kërcënuar me jetë si familje, për shkak të rihapjes së çështjes së Remzi Hoxhës. “Kallëzimi i firmosur nga bashkëshortja e prokurorit të çështjes së Remzi Hoxhës është dorëzuar dy ditë më parë në prokurori. Përveç denoncimit të kërcënimit, ajo ka kërkuar nga kolegët e të shoqit që të zbulojnë personin që i ka terrorizuar familjen dhe ta vënë atë para drejtësisë”,-thuhet nga burimet.
***
Burimet zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme, konkretisht nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë, konfirmuan fillimin e procedurave të përfshirjes së familjes së prokurorit Xhevat Hana nën kujdesin e mbrojtjes nga ky sektor. Ndërkohë, zyrtarë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë me dije se drejtuesit e këtij institucioni, me të marrë informacionin se familja e prokurorit Xhevat Hana është kërcënuar me jetë, kanë marrë masa të larta sigurie ndaj tij, gjatë dhe pas orarit të punës. Pritet që kallëzimi i bashkëshortes së prokurorit Hana të kalojë në Prokurorinë e Durrësit, për shkak të konfliktit të hetimit të çështjes, pasi prokurori Hana ushtron detyrën në organin e akuzës në kryeqytet. Sipas këtyre burimeve mësohet se prokurori Hana, gjatë ditës së djeshme është shoqëruar nga oficerë të forcave speciale të ish-BRISKU-t për në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku kishte për të zhvilluar disa procese gjyqësore. Gjithashtu mësohet se edhe familjarët e prokurorit Hana janë marrë në mbikëqyrje 24 orë nga agjentët e policisë, të cilët po kontrollojnë çdo lëvizje në lagjen ku banon familja Hana.
***
Vetë prokurori nuk ka pranuar të flasë në lidhje me kërcënimin dhe kallëzimin e bërë nga bashkëshortja e tij, duke mohuar gjithçka zyrtarisht. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë ishte vetë prokurori Xhevat Hana që u kërcënua në sallën e gjyqit nga i pandehuri Arben Sefgjini, i cili i kërkoi prokurorit të japë shpjegime në lidhje me rihapjen e hetimeve, duke e akuzuar për manipulim të dosjes hetimore. Ndërsa për punonjësit e prokurorisë, nuk ka asnjë dyshim që shkaku i kërcënimit, drejtuar familjes së prokurorit Hana është rihapja e hetimeve dhe dorëzimi në gjykatë i të akuzuarve për rrëmbimin dhe torturimin me pasoja të rënda të Remzi Hoxhës. Tashmë, dosja e dorëzuar në gjykatë për rrëmbimin e Remzi Hoxhës ndodhet në duart e pesëshes gjykuese të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të drejtuar nga gjyqtari Xhelal Elezi.
TË PANDEHURIT
Akuzat që rëndojnë mbi ish-punonjësit e SHIK
TIRANË- Të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë, nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini. Nga verifikimet e kryera të prokurorisë ka rezultuar se një nga automjetet e përdorura në ngjarjen e rrëmbimit ka qenë me targa TR 2449 C, e cila drejtohej nga Avni Koldashi, makinë kjo që kishte si pronar institucionin e SHIK-ut dhe që rezulton se është tërhequr nga katër të pandehurit e kësaj dosjeje.
I mbijetuari i arrestimeve të SHIK-ut, Ziso Kristopulli, rrëfen pyetjet që i bëri Sefgjini dhe torturat që e detyruan të dorëzohej
Kristopulli: Sefgjini më rrahu në Vain të Lezhës
TIRANË- Ziso Kristopulli, i mbijetuari i rrëmbimit të vitit 1995 rrëfen edhe një tjetër herë ngjarjen e rëndë, duke përfshirë në histori edhe drejtorin aktual të Tatimeve, Arben Sefgjinin. Ai pohoi dje për “Vizion Plus” se Arben Sefgjinin e ka takuar në Vain të Lezhës, ku edhe është keqtrajtuar prej tij. Sipas Kristopullit, torturat e rënda e detyruan të pranonte gjithçka i thonin punonjësit e SHIK-ut dhe është fat që aiështë gjallë.
Zoti Kristopulli, si u shoqëruat nga punonjësit e SHIK-ut, në vitin 1995?
Ndërkohë që erdha këtu në Ksamil, ata ishin te kryqëzimi. Unë kisha rrugë të tjera të kaloja, por nuk e kisha idenë se këta vazhdonin ndjekjen time, vëzhgimin, siç tha Koldashi. Sa zbrita në fillim, ata loznin bilardo atje. Panë targën e makinës. Edhe unë, sa pashë targën e makinës së tyre, u futa në furgon për të ikur në Butrint dhe më pas në Greqi. Nuk arrita dot, se në një kthesë më kapën. Më mori Sazan Canaj, inspektor i krimeve. Ai më tha: “do vish me mua në Sarandë. Do vish me mua”. “Pse të vij me ty Sazan”,- i thashë? “Do vish në komisariat se të duan këta”,- më tha. U futa në furgon dhe u nisëm. Kaluam në Gjirokastër. “Ku më po më çoni”- iu thashë? “Hë mo lëre. Fli një çikë gjumë” -më tha njëri prej inspektorëve. “Dua ta di, ku po më çoni”,- i pyeta, por nuk m’u përgjigjën. Vetëm këndonin dhe dëgjonin muzikë me zë të lartë, duke shprehur gëzim se më kapën. Unë vrisja mendjen, përse më morën tani. Nuk dija ç’kisha me vete. Tek xhepi kisha çelësin dhe një medalion të shkruar në greqisht. Sa ikëm, 2-3 kilometra më kërkuan të heq syzet. Pasi më hoqi syzet, mori një thes dhe ma vuri në kokë. Mbaje këtë më tha dhe fli gjumë, se kemi një çikë rrugë për të bërë. Këta ndalonin. Në çdo hyrje që bënin, që siç e mora vesh më pas, këta ndërronin targat. Vazhduam rrugë e kaluam Krujën. Prapë ndaluan. Kaluam në Milot, më duket pa mbërritur atje ku do shkonim. Për një moment, ky shoferi harroi dhe pasi u fut në qytet, ky e shprehu me gojë direkt dhe thotë targat! “Oh, më fal”- i thotë tjetri. Aty e kapa unë që ky zbriti dhe thashë që në çdo stacion ndërronin targat. Në Vain të Lezhës zbriti shoferi. Hapi portën prej hekuri, se kishte çelës dhe u futëm. Avni Koldashi më thotë: “Ziso, mirupafshim bashkë. Kaq e kisha detyrën. Të vaftë mbarë dhe mirupafshim”. Dhe që atë ditë, nuk e kam parë më.
Asnjëherë?
Jo. Kurse inspektori i tij, i dyti, ai më ka keqtrajtuar maksimalisht. E di Avniu dhe ta deponojë tek gjyqi.
Ndërsa pedagogu im i matematikës bëri një prezantim të thjeshtë.
Për kë është fjala në këtë rast?
Për Arben Sefgjinin.
Je takuar me të para se të të arrestonin?
Po, po. Ka ardhur me Teki ....., ka ardhur 1 javë para se të më merrnin mua. Atë ditë m’u paraqit dhe unë u habita. “Më njeh ti mua”- më tha. Si s’të njoh mor burrë, para një jave ishim bashkë, iu përgjigja. Me të njëjtën triko që erdhi te lokali, me të njëjtën triko ishte. Atë vura re unë në fakt, pasi si fytyrë nuk e mbaja mend.
Si reagoi kur i dhe të njohur?
Me grusht.
Të goditi?
Po. Goditje dhe nga më të rëndat. Me fjalor shumë të keq. “Greku i poshtër. Agjent i grekut. Shkruajnë gazetat për ty”. Aty unë fiksova diçka. “Ah, shpëtove o Ziso”- thashë me vete. Nga të rrahurat dhe nga të ulëriturat u ngrita në këmbë dhe thashë: “Të tëra që kam shkruar janë gënjeshtra. Nuk pranoj absolutisht asgjë. Çfarë keni për të më bërë, më bëni. Më vrisni”-u thashë. Nuk pranoj asgjë, përveç një fakti që Armando Loshaj ka qenë atje dhe e kam njohur. Për të tjerët nuk kam njohur njeri fare, as kam parë as Serbinë, as Greqinë, as kishën e Sarandës që kam ndërtuar unë dhe kam dhënë për të, akuzën dmth për agjent serb....Unë e di se akuzohesha për trafikant armësh në bashkëpunim me Remzi Hoxhën. Dmth shkonim në Serbi bashkë me të, në Mal të Zi, transportonim armët dhe i sillnim në pjesën jugore.
Cila ishte arsyeja e akuzës që u komunikoi Sefgjini?
Për të përmbysur pushtetin e Berishës. Unë nuk jam dëshmitar i çështjes së Remzi Hoxhës, unë jam i dëmtuar i çështjes me Remzi Hoxhën. Kam dhënë ngushëllimet e mia ndaj tij. Ai është i vdekur dhe nuk i gjenden eshtrat, kurse unë jam i gjallë, por drejt asaj rruge do isha faktikisht, por fati i mirë i imi ishte dekonspirimi, njohja e problemit për të cilin media të ndryshme kanë folur, ndoshta dhe ndërhyrje ndërkombëtare.
Ju keni pohuar disa herë në media torturat. A mund t’i rrëfeni edhe një tjetër herë?
Ishin tortura nga më të ndryshmet, nuk e imagjinoni. Ditën e parë kisha grushte, kisha vaksinë gjuhze, kisha goditje në bark. Me një tel xingato më lidhën këmbët galiç dhe më lidhën në një dritare përjashta. Ditën e tretë dhe të katërt, isha pothuajse herë me ndjenja dhe herë pa ndjenja dhe kovën e ujit e kisha në kokë. Pas ditës së katërt unë pranova. Thashë se kam njohur, kam bashkëpunuar, kam qenë në filan në vend etj.
Bënë ndonjëherë ballafaqim?
Asnjëherë. Vetëm në fund fare më treguan dy pasaporta të vogla, që në fotografi kishin Remziun. Më treguan një me beretë dhe një të moshuar, pasi vunë dorën sipër emrit, më pyetën se kush është Remziu? Unë thashë kot: është ky, duke treguar një nga fotografitë. “E gjete” -më thanë. Asnjëherë nuk ka qenë ai Remzi që kishte karta e identitetit aty. “E ke njohur”-më pyetën. “Po, e kam njohur”- u thashë. “Ç’punë bën ai”-më pyetën. “Ka qenë shefi i propagandës së shtëpisë së Ushtarakut në Sarandë” -thashë. “Sa skafe kishte në dispozicion ai”-më pyetën. U thashë që nuk e dija, po ata më kërkuan t’u thoja të vërtetën. Më pas më pyetën se si e organizova atentatin e Agron Musarajt? Ç’atentat? Ç’kisha unë me Musarajn? “Tani mos na thuaj këto se ne i dimë të tëra gjërat, por do na i thuash me gojën tënde. Ti erdhe në Sarandë. Takove Luanin tek R... Të kemi fotografuar, të kemi inçizuar”-më thanë. Pastaj më pyetën se kë njihja në Prokurorinë e Përgjithshme. Mua nuk më shkonte mendja dhe thashë Spiro Peçin, që ishte në Sarandë. Më pyetën për të tjerë njerëz. U thashë një emër tjetër, të një prokurori pasi vrava mendjen. “Tjetër”- më thanë. Përmenda Zef Brozin. “Hëhëhë, e njeh Zef Brozin”,- më tha dhe më qëlloi me grusht. Në atë kohë, Zef Brozi kishte ikur në Amerikë. Më pyeti se kë kisha njohur nga gazetarët. I thashëNikollë Lesin, Erjon Braçen.
A keni kërkuar mbrojtje?
Unë mbrojtjen time e kam kërkuar që në vitin 2003, pas kërkesës time pranë Avokatit të Popullit, me qëllim për zbardhjen e kësaj situate, si i dëmtuar nga rrëmbimi i SHIK-ut dhe zbardhjen e çështjes së Remzi Hoxhës. Mbrojtjen e kam kërkuar në vitin 2003.
A u është siguruar ndonjëherë mbrojtje nga shteti?
E kam pasur. Domethënë në thojza. Ta them troç, mua më shumë më mbrojnë njerëzit e mi dhe shokët e mi. Shteti është i detyruar që mua si dëshmitar okular dhe kyç i zbardhjes së çështjes së Remzi Hoxhës, dua të jem në vëzhgim. Kërkoj dëmshpërmblim moral, dëmshpërblim shpirtëror dhe kthimin e pronave që më kanë grabitur.
Për Brozin
Arben Sefgjini më pyeste për prokurorët dhe gjyqtarët që njihja, kur ndër të tjera i përmenda emrin e Zef Brosit, ai më goditi me grusht duke më thënë t’i e ke mik atë dhe më qëllonte...
Për gazetarët
Arben Sefgjini më pyeste për gazetarët që njihja, dhe unë i përmenda N.Lesi, E.Braçe, A.Frangaj dhe kur ia përmenda këtë të fundit ai më qëlloi me grusht duke më thënë ku e mban ai kasafortën në shtëpinë e tij, etj etj dhe më qëllonte....
Për Remzi Hoxhën
Arben Sefgjini më pyeste për njohjen që kisha me Remzi Hoxhën, që unë nuk e njihja dhe pas torturave isha i detyruar të pranoja se me të punonim për të rrëzuar Sali Berishën
Për Avdyl Loshajn
Arben Sefgjini më pyeste për njohjen që kisha me Avdyl Loshaj që un i thashë që e kam shoqëruar në Ksamil kur ka ardhur si gazetar austriak. Aty ai më qëlloi duke më thënë se ju keni bërë plane për të ndarë jugun e Shqipërisë që t’ia kalonin grekëve etj etj.
RRËMBIMET:
5 tetor 1995
Ndalohet Abdyl Loshaj, kosovari që fshihej nën petkun e gazetarit austriak
18 tetor 1995
Rrëmbehet Ziso Kristopulli, anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste të Sarandës
21 tetor 1995
Rrëmbehet Remzi Hoxha, biznesmeni që jetonte prej ‘92 në Tiranë