Ceka joshet nga Berisha: Spërjashtoj bashkëpunimin me PD
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me kryetarin e PAD-së, Neritan Ceka
TIRANË- Kreu i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka vazhdon të surprizojë me lëvizjet e tij, jo vetëm politikën, por edhe opinionin e gjerë publik. Brenda një viti ai ka humbur disa herë “busullën” e orientimit politik, duke kaluar nga njëri skaj i spektrit politik, në tjetrin. Pasi u largua nga koalicioni i majtë opozitar, Ceka duket se ditët e fundit ka tradhtuar edhe aleatin e tij më të fundit, kreun e LSI-së, Ilir Meta, duke u hedhur përsëri në “krahët” e ish-bashkëpunëtorit të tij të parë, kryeministrit aktual Sali Berisha. Të dy këta të fundit, kanë zhvilluar dje një takim informal (i treti brenda vitit) në ambientet e njërit prej hoteleve më luksoze të kryeqytetit, ku dhe kanë pirë, siç e kanë konsideruar ata vetë, një kafe mes miqsh. Pas takimit, Kryeministri megjithëse e ka konsideruar shumë të rëndësishëm bisedën e zhvilluar, nuk ka pranuar të zbardhë asgjë rreth temave të trajtuara. “Ishte një takim miqësor dhe shumë i rëndësishëm”,- është shprehur kryeministri Sali Berisha, duke mos dhënë asnjë detaj tjetër rreth bisedës së zhvilluar. Ndërkohë që bashkëbiseduesi tjetër, kreu i PAD-së, Neritan Ceka është shprehur për mediat se takimi vinte në kuadrin e kontakteve të vazhdueshme që ai ka vendosur të mbajë me kryeministrin Sali Berisha, por duke përjashtuar mundësinë që biseda të jetë përqendruar tek zhvillimet aktuale politike. “Diskutuam për PD-në e djeshme dhe të djathtën e së nesërmes që do të krijohet pas zgjedhjeve të ardhshme”,- deklaroi Ceka duke lënë të kuptohet qartë për një rikthim të mundshëm në kampin e koalicionit të djathtë, prej nga ka dhe origjinën politike. Ndërkohë, për “Shekullin” ai ka mohuar që qëllimi i këtij takimi të ketë qenë diskutimi për një bashkëpunim të mundshëm mes të dyja forcave, apo dhe një pjesëmarrje të mundshme në kabinetin qeveritar. “Ishte një takim miqësor, midis dy njerëzve që dikur kanë qenë bashkëpunëtor të ngushtë në luftën për rrëzimin e sistemit komunist. Ne diskutuam për PD-në e djeshme dhe të djathtën e ardhshme, por duke përjashtuar çdo diskutim mbi situatën aktuale politike. Këtu dua të përjashtoj çdo mundësi për pjesëmarrje në qeveri”,- u shpreh Ceka. Megjithatë, i pyetur nga gazeta, ai nuk ka përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi me të djathtën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2009. “Ne aktualisht jemi pjesë e koalicionit për mbrojtjen e Kushtetutës dhe do të luftojmë për këtë. Por, natyrisht, ne nuk mund të përjashtojmë bashkëpunimin edhe me forca të tjera për çështje të tjera”, - u shpreh Ceka.