Qeveria vendos që 28 Nëntori të mos jetë festë zyrtare në Kosovë
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë para gazetarëve se Kosova është shtet i pavarur, i cili i feston festat shtetërore, por duke respektuar edhe ato kombëtare.
Nëse ky projektligj si i tillë miratohet në Kuvendin e Kosovës, atëherë nuk është e rregulluar as çështja e ditës së dëshmorëve.
Ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami, në mbledhjen e qeverisë ka thënë se kjo ditë do të përcaktohet te festat memoriale me një akt nënligjor.
Ky projektligj është hartuar nga qeveria “Çeku”, ku hartuesit e këtij projektligji kishin futur 28 Nëntorin si festë zyrtare, si dhe 5 marsin si ditë të dëshmorëve.
Një gjë e tillë është kundërshtuar nga ndërkombëtarët dhe projektligji ka mbetur pa u miratuar në Kuvendin e Kosovës. Të njëjtin projektligj, por pa këto dy festa e ka aprovuar qeveria “Thaçi”.
Reagimi i parë
Ndaj këtij vendimi të qeverisë, menjëherë është prononcuar Lëvizja për Bashkim, duke e konsideruar këtë hap si një poshtërim dhe fyerje të ndjenjës kombëtare, si hap kundër historisë dhe ardhmërisë, si hap i radhës drejt shkombëtarizimit të popullit shqiptar.
Me këtë rast, kjo parti iu ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos e miratojnë një projektligj të tillë, të cilin kjo parti e cilëson si antishqiptar.
Po ashtu, kjo parti i ka bërë thirrje mbarë opinionit shqiptar që në çfarëdo mënyre qoftë ta kundërshtojë një projektligj të tillë.
Lëvizja për Bashkim do t’i përdorë të gjitha mjetet e mundshme për pengimin e miratimit të këtij projektligji, thuhet në një reagim të kësaj partie, të nënshkruar nga kryetari i saj, Avni Klinaku.