E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçi: Imuniteti i Mediut do hiqet shumë shpejt

Deputeti Petro Koçi, anëtar i Këshillit të Mandateve, tha se çështja e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu do të zgjidhet shpejt, duke iu përmbajtur vendimit të këtij Këshilli, se imuniteti duhet t’u hiqet në të gjitha rastet kur kërkohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Koçi tha se shpreson që prokuroria do të kryejë siç duhet punën e saj dhe se nuk do të ndikohet nga presionet e të dy palëve për të mos patur të penalizuar politikisht nga Gërdeci. Koçi tha se prokuroria duhet të kërkojë dhe imunitetin e Berishës. “Besoj se pavarësisht manovrave zvarritëse, çështja e imunitetit të ish- ministrit të Mbrojtjes do të zgjidhet shpejt dhe konform vendimit të Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve, sipas të cilit çdo kërkesë për heqje imuniteti në rastet e hetimit për korrupsion dhe shpërdorim detyre do të aprovohet pa mëdyshje. Ajo që mbetet për t’u ndjekur me vigjilencë qytetare është ecuria e procesit hetimor dhe vullneti i prokurorisë për t’i vajtur kërkimit të së vërtetës deri në fund dhe rezistencës së saj ndaj presionit bipartizan për ta mbyllur procesin hetimor me konkluzione që përjashtojnë politikën nga përgjegjësia penale. Krimi i Gërdecit nuk mund të katandiset në një opsion nga shkaqe aksidentale, siç mundohet ta shesë kryeministri. Do jetë në dinjitetin dhe lartësinë e detyrës së Prokurorisë së Përgjithshme që të ketë kurajën të kërkojë edhe imunitetin e deputetit Berisha, i cili mban përgjegjësi ligjore dhe morale, jo vetëm si kryeministër në menaxhimin e Forcave të Armatosura në kohë paqeje, por edhe si shtetas për shkak të përfshirjes në aferën e trafikut të municioneve të të afërmve të tij të afërt”, - deklaroi Koçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›