E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtimet e Bardhyl Londos: "Gramoz Pashko: Miqtë e mi janë poetët e prostitutat"

I pari që takova nga këta "armiq të Shqipërisë dhe të socializmit" ishte poeti rus Jevtushenko, i cili erdhi në Tiranë një ditë dhjetori të ftohtë në vitin 1990 apo 1991, i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve. Nga aeroporti i Rinasit e çova në hotel "Dajti", ku, sipas zakonit zyrtar të atëhershëm, shtrohej dreka e pritjes. Për fat të keq dreka po vazhdonte gjatë. Poeti, që as nuk hante, as nuk pinte, një çudi e madhe kjo nga përfytyrimi që kishim ne për një rus, mezi po qëndronte dhe po priste përfundimin e drekës- maratonë. Lëvizte në ndenjësen e tij, nervozohej pa shpallur se ndaj kujt, nuk fliste fare, buzëqeshte me një ironi therëse, ndërsa fytyra e tij e zbehtë si e një të sapongrituri nga varri, po zbehej edhe më nga mërzia dhe nervozizmi.
...Poeti rus tundte kokën dhe ravijëzonte buzëqeshjen e tij gjysmë skeptike gjysmë ironike që nuk i ndahej kurrë edhe për gjërat më të thjeshta. Ti, më tha, nuk po më tregon të vërtetën. Qysh në takimin e parë në aeroport, kundër të gjitha rregullave të mirësjelljes dhe sidomos kundër natyrës së gjuhës ruse që pothuajse e ka të detyruar drejtimin me "ju" kur njerëzit sapo njihen, ne i flisnim njëri tjetrit me "ti".
Dyshimi dhe skepticizmi i Jevtushenkos m'u duk jo vetëm i çuditshëm, por edhe fyes. Çfarë qëllimi mund të kisha unë që do ta çoja në një rrugë mjerane të Tiranës dhe jo në rrugën më të mirë tregtare në rast se mund ta quanim kështu atëherë? Mirë, i thashë, atëherë zgjidh një rrugë vetë dhe unë do të të shoqëroj ku të duash. Para Ministrisë së sotme të Arsimit, ai u fut në rrugicën e parë dhe dolëm te Rruga e Kavajës. Ishte e njëjta pamje, madje edhe më e zymtë. Dyqane të fshehura pas trishtimit të rendë të llamarinave që mbulonin dhe fshihnin gjithçka, kangjella të rënda hekuri dhe një shkreti ku nuk kishte jo vetëm makina por as kalimtarë. Tirana të krijonte mbresën jo vetëm e një vendi në mjerim të thellë por edhe pamjen e një qyteti nën shtetrrethim ku sapo kishte rënë ora e ndalimqarkullimit. Poeti tundte kokën i çuditur, papritur u bë i heshtur dhe u zymtua si një qiell i ngarkuar me re.
Pas kësaj, me që ma kish kërkuar, e çova në dy tre studio piktorësh. Nuk munda ta çoj në të tjera, sepse u ndërprenë dritat, gjë fare e zakontë në ato ditë për Tiranën. Në studiot e piktorëve u gjallërua dhe, për fat të mirë, me që shumë prej tyre arrinin të komunikonin disi anglisht, filloi të diskutonte me ta. Disa prej pikturave i pëlqyen shumë. Kur dolëm, kini piktorë shumë të mirë, më tha. Interesimi i tij për pikturën më kujtoi një rus tjetër, Ilia Erenburgun, i cili erdhi në Shqipëri në vitin 1945 dhe pas Tiranës kërkoi të shkonte në Shkodër, ku flitej se ishte një pikturë origjinale e Rembrandit dhe Erenburgu i cili ishte i njohur si një koleksionist i pasionuar pikturash, mund ta kishte marrë vesh këtë. Nuk e di sa e vërtetë ishte kjo, por vite më vonë në gazetën "Drita" Anastas Kondo shkroi një shkrim të gjatë ku parashtronte idenë se në Shkodër ndodhej një Rembrand origjinal, gjë që nuk u vërtetua kurrë. Sa për Erenburgun, ai shkroi një reportazh dashamirës, por edhe realist për Shqipërinë. Përshkruante me ngjyra të gjalla sidomos pasurinë dhe larminë e pazarit të vjetër oriental të Tiranës, të cilin disa vite më vonë e zhdukën për të ndërtuar Tiranën socialiste. Po në këtë reportazh mund të lexoje dhe frazën e famshme "kam parë qytete pa bulevard, por për herë të parë pashë një bulevard pa qytet...".
Mania e Jevtushenkos për të parë tregjet ishte e çuditshme. Një natë pasi kishte dhënë një intervistë të gjatë, rreth dy orë në televizionin shtetëror, atëherë ishte i vetmi televizor, ishte ngritur herët dhe duke pyetur kishte gjetur tregun fshatar te sheshi Avni Rustemi, treg që sapo kishte filluar të gjallërohej. Fshatarët dhe qytetarët e paktë që ishin në treg e kishin njohur prej televizionit i cili në ato kohë ndiqej shumë dhe disa prej tyre i drejtoheshin me emër "Jevtushenko" gjë që e kishte mikluar dhe i kishte pëlqyer shumë. Kur ma tregoi këtë, nuk desha t'ia prish euforinë e tij dhe nuk i thashë se e njihnin vetëm prej televizionit dhe se nuk kishin lexuar asgjë prej tij, me përjashtim të sharjeve dhe denigrimeve që prodhonin pa fund gazetat. Nuk i thashë madje se fillimin e ligjëratës së tij në intervistën e gjatë në televizor nuk e kisha përkthyer fare. Jevtushenko i mahnitur dhe i ekzaltuar nga sharmi i Zerina Kukes që drejtonte emisionin filloi ligjëratën me një ekzaltim prej poeti për bukurinë e vajzave shqiptare. Natyrisht që nuk e përktheva. Kur më pyeti çfarë thotë ndërkohë që Zerina po bënte hapjen e emisionit, i thashë që po të paraqit si një poet të madh disident. Jo, më tha kokë më kokë me mikrofonat të mënjanuar, unë nuk jam disident dhe as më duhet fare kjo.
Agolli, Pashko
e Hajdari
Në mbrëmjen e përcjelljes ndodhi diçka që më bëri të reflektoja dhe të ndjehesha shumë ngushtë. Në darkën e organizuar ndoshta tek ish-vila e Mehmet Shehu, kishin ardhur disa nga personalitetet më të larta shtetërore: zëvendës kryeministri Gramoz Pashko dhe ministri i Punëve të Jashtme që ishte emëruar para një ore dhe që nuk ia mbaj mend emrin. Natyrisht që ishte kryetari i Lidhjes Dritëro Agolli dhe ambasadori rus, Viktor Nerubajlllov. Jevtushenko, nga një armik i madh i Shqipërisë, papritur ishte kthyer në një mik shumë të nderuar. Ishte një grotesk që sado të kishin ndërruar kohët, apo sapo kishin filluar të ndërroheshin, i tejkalonte edhe vetë përmasat e groteskut. Unë i përktheja Jevtushenkos me zë të ulët pa shqetësuar të tjerët thelbin e bisedave, duke anashkaluar hollësitë të cilat vinin shpeshherë nga alkooli i tepërt. Jevtushenko, si zakonisht, pothuajse as hante as pinte. Vetëm dëgjonte përkthimin tim të reduktuar me atë buzëqeshjen ironike dhe skeptike që nuk i ndahej kurrë nga buzët. Papritur Gramoz Pashko me atë shpirtin e lirë që e karakterizonte gjithmonë dhe thelbin prej poeti rebel që e kishte në gen, më thotë: unë kuptoj shumë mirë rusisht edhe flas, por a mund të më përkthesh ti për të qenë sa më i lirë në ato që do të them? Gramoz, i thashë, është kënaqësi të të përkthej ty. Dhe Gramozi u ngrit për një dolli. Unë, tha për të nisur dollinë, në jetën time dy kategori njerëzore kam pasur miqtë më të ngushtë: poetët dhe prostitutat. Fraza ra si një bombë dhe nuk kishte nevojë për përkthim se poetët dhe prostitutat janë njëlloj në të gjitha gjuhët. Gjysma e tavolinës që ishin gra ulën kokat. Moza, e shoqja e Gramozit, u ngrit e indinjuar nga tavolina dhe mori rrugën e daljes. Na u deshën shumë minuta për ta bindur dhe për ta kthyer prapë në tavolinë.
Të nesërmen duke e përcjellë poetin në aeroport, gjithmonë me atë buzëqeshjen gjysmë ironike gjysmë skeptike e cila ishte banore e përjetshme e cepave të buzëve të tij, më thotë diçka që më tronditi por fillimisht edhe më fyeu. Mora vesh, më tha, që ju shqiptarët jeni të gjithë të sëmurë. Nga se jemi të sëmurë, i thashë me ton pa kuptuar ku e kishte fjalën. Nga marrëzia e madhështisë dhe protagonizmit, më tha. Po nga e nxjerr ti këtë, i thashë. Mbrëmë, tha, dëgjova gjithë ata ministra dhe shkrimtarë, dhe të gjithë thoshin, secili për vete, që ai e kishte sjellë demokracinë, që ai kishte bërë gjithçka...

Në aeroport, në atë aeroport siç ishte atëherë pavarësisht se ishim te ndarja e VIP-ave, ishin një grup i deputetëve të Partisë Demokratike. U afrua Azem Hajdari dhe më tha a mund t'i përktheja diçka. Azemi filloi t'i fliste me shumë patos për Kosovën dhe për politikën ruse që ishte kundër Kosovës së lirë. Poeti vetëm dëgjonte përkthimin tim, tundte kokën pa e ndarë buzëqeshjen e tij skeptike dhe ironike dhe nuk tha asnjë fjalë. Në fund, pasi mbaroi biseda të cilën Jevtushenko mezi priste sa të përfundonte, m'u drejtua qetë sikur nuk kishte folur më parë me ndonjë njeri dhe më tha: unë vuaj nga stomaku dhe dua të ha diçka. Dhe vërtetë, pamja e tij e zbehtë prej meiti, trupi i gjatë pothuajse i palosur dyfish si një pikëpyetje nga mungesa e barkut, të linin menjëherë përshtypjen e një njeriu të sëmurë. Këtë ndjesi e shtonte edhe veshja e tij që ishte vetëm e tij dhe që dukej si e një jashtëtokësori. Po ku t'i gjeja unë në atë kohë në aeroport të Tiranës diçka për të ngrënë? Pyeta dy tre nga ata që shërbenin dhe më thanë që kemi marrë bukë e djathë me vete. I thashë Jevtushekos për mundësinë e vetme që ekzistonte. Por, tha, këtë kërkoj unë, pak djathë dhe pak bukë, është ilaçi më i mirë për stomakun tim. Pasi hëngri pak djathë dhe një copë fare të vogël buke, në çastet kur do të hipte në avion më tha: dëgjo, kam vizituar 100 vende, Shqipëria është vendi i 101. Deri tani kam pasur bindjen nga sa kam parë se Rusia është vendi më i varfër, por tani pashë një vend që është edhe më i varfër se Rusia... Nuk e prisja të ishte deri këtu...Ata që iu kanë drejtuar kanë qenë kriminelë...
Dhe iku duke më zbuluar kështu enigmën përse kërkonte me këmbëngulje të shkonte në rrugën tregtare të Tiranës apo në tregun fshatar te sheshi Avni Rustemi. Iku duke shijuar bukën dhe djathin shqiptar që qetësuan stomakun e tij të sëmurë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›