E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet, nis faza e dytë e legalizimeve. Ndryshimet në ligj dhe si merren hipotekat

TIRANE - Qeveria nis në qershor fazën e dytë të legalizimeve për objektet informale të ndërtuara pas vitit 2006. Në ndryshimet ligjore, të botuara tashmë edhe në Fletoren Zyrtare, përcaktohen edhe disa procedura dhe afate për mënyrën se si do të veprohet. Ndryshimet ligjore hyjnë në fuqi më datë 3 qershor dhe pritet që interesi të jetë i lartë, duke qenë se pjesa e ndërtimeve të mbetura jashtë fazës së parë të legalizimeve është diku te 80 mijë.
Vetëdeklarimi
Të gjithë qytetarët që kanë mbetur jashtë procesit të legalizimit në fazën e parë të zbatimit të ligjit, do të mund të përfitojnë në këtë fazë të dytë sipas përcaktimeve ligjore. Kështu, duke filluar nga data 3 qershor, për plot 45 ditë, të gjithë ata që kanë ndërtuar objekte informale pas vitit 2006 duhet të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit. “Subjektet që posedojnë ndërtime pa leje/shtesa informale në objekte me leje, të ngritura pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 ‘Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje’, të ndryshuar, duhet të paraqesin pranë drejtorive të ALUIZNI-t, brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, kërkesë për legalizim sipas formularit tip të miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t”, thuhet në ndryshimet e bëra në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.
Kushti
Faza e parë e legalizimit përfshiu në vetvete plot 240 mijë ndërtime për të cilat është punuar vetëdeklarimi dhe që një pjesë e mirë janë ende në proces. Faza e dytë do të përfshijë objektet informale, por me kushtin që procedura për legalizimin e tyre të mos kërkojë kalim pronësie mbi truallin. Ndryshimet ligjore të miratuara në qeveri dhe që hyjnë në fuqi në fillim të qershorit, përcaktojnë saktë këtë kusht në nenin 2. Pika 1 e këtij neni përcakton se ligji zbatohet për të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, të ngritura para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, pavarësisht nëse ato kanë funksion strehimi, veprimtarie ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore, të ngritura dhe që disponohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar e që veprojnë sipas së drejtës tregtare shqiptare. Këshilli i Ministrave përcakton kriteret, procedurat dhe dokumentacionin e zbatueshëm për të kualifikuar objektet në ndërtime që legalizohen ose jo. Shtesa që i bëhet pikës 1 të nenit 2 përcakton se “së ndryshim nga kushti i përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike, ky ligj mund të zbatohet për objektet e ndërtuara pa leje, të ngritura pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit, vetëm në rast se për to procedura e legalizimit nuk kërkon kalim pronësie mbi truallin”.
Detyrimet financiare
Për të marrë lejen e legalizimit nga Agjencia e Legalizimit, individët që vetëdeklarojnë për t’u përfshirë në proces, pasi të kenë plotësuar dosjen, do të duhet të paguajnë edhe një faturë financiare. Kjo e fundit përllogaritet nga ALUIZNI dhe duhet të paguhet në bankë. Në rastet kur ka vonesa në pagesën e faturës financiare, ndryshimet ligjore përcaktojnë se pasuria e legalizuar regjistrohet në emër të ALUIZNI-t dhe vetëm pasi është bërë pagesa regjistrohet në emër të vetëdeklaruesit. “Në rastin kur njëri apo disa nga subjektet që disponon ndërtimin pa leje nuk shlyen detyrimet financiare të parashikuara në ligj në lidhje me parcelën ndërtimore/objektin pa leje, në këtë rast, për pjesën takuese të subjektit debitor bëhet regjistrimi përkatës në ZRPP, në emër të ALUIZNI-t, deri në momentin e shlyerjes nga subjekti të detyrimeve financiare”, thuhet në ligj.
Evidentimi në terren
Ndërtimet e pas vitit 2006 do të kthejnë në terren punonjësit e ALUIZNI-t, të cilët duhet ta shohin nga afër situatën. Sipas ligjit përcaktohet se pas kësaj do të bëhet edhe fotografimi ajror dixhital apo përdorimi i imazhit satelitor të konvertuar në fotografi ajrore, të korrektuar gjeometrikisht (ortofoto). Lidhur me rregullat që do të ndiqen, ligji ia lë në dorë kreut të Legalizimeve dhe ministrit të Punëve Publike që të vendosin. 

(er.nu/Panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›