Kujtimet e Ejëll Çobës, më shumë se një libër për veten
Ejëll Çoba, i dënuar nga diktatura komuniste kreu ditë më ditë dhe orë më orë të gjithë vendimin e gjykatës represioniste, diktatoriale, paragjykuese, gjithë dënimin prej 25 vjet, 5 muaj e 5 orë. Në morinë e tmerrshme për nga fati tragjik të dosjeve të të dënuarve politikë në Shqipëri, Ejëll Çoba, nga të gjithë parametrat, moralë, njerëzorë, politikë, mbetet një kujtim i shndritshëm dhe një fakt historik që kalon kufirin biografik të një identiteti njerëzor. Ejëll Çoba është një zbulim i madh për nga vlera e tij karakteriale, për nga dinjiteti dhe fisnikëria, por dhe për nga mesazhi që përcjell, sot, në ditët e rënda të transformimit të kësaj shoqërie nga neokomuniste në një shoqëri demokratike, realisht të lirë, realisht humane. Ejëll Çoba, në kujtimet e tij të mbledhura në librin “Jeta e humbur”, ka një thjeshtësi dhe një vërtetësi të përshkrimit të jetës së tij, e cila të kujton pena të shquara letrare, të cilat shkojnë në këtë stil, përmes një talenti të pazakontë. Por Ejëll Çoba mbërrin këtu nga një rrugë tjetër, nga një rrugë aq e dhimbshme, por që të jep gëzim. Po, po, të jep një gëzim, që ti takon një njeri që nuk e njeh gënjeshtrën, që ti takon një njeri me faqe të bardhë, që nuk e njeh intrigën, që ti takon një njeri të lirë, kur është i lidhur këmbë e duar. Dhe kur ti e takon këtë njeri në faqet e një libri, të rritet shpresa dhe besimi, se e përditshmja e sotme, me turlisoj kopukësh e horrash që përpiqen ta mbajnë vendin varur në pelenat e komunizmit, në pelenat e shtratit antikombëtar, për ideologji apo për interesa, do të mposhtet, sepse themeli real i shqiptarit dhe i shoqërisë shqiptare është Ejëll Çoba dhe jo kurrkushët që vërtiten me maska apo pa maska, korridoreve të zyrave, ekraneve dhe e duan Shqipërinë pa NATO-n, me viza dhe e duan Shqipërinë me enverë apo patjetër me spirokolekë. Por figura e Ejëll Çobës dhe historia e jetës së tij në një çerek shekulli burg, të kryer pikë për pikë me vendimin e kriminelit Petrit Hakani apo të tjerë është edhe një akuzë e madhe ndaj sa e sa karrieristëve intrigantë, që për interesa të tyre prodhojnë komunizëm për të furnizuar të keqen dhe hasmin e shqiptarëve.
Është shumë e çuditshme, por në një analizë më të hollë, mbase është normale që zbulimi i jetëve si ajo e Ejëll Çobës bëhet kaq vonë, për një mjedis shoqëror, shndërrohet kaq vonë në një mesazh e thirrje edukimi dhe lartësimi vlerash njerëzore, por e mira dhe i miri, janë si minerali, ndodhet në thellësi dhe do mund të nxirret... E keqja është si dheu, shterpë, që mund ta ndeshësh gjatë gjithë ditës e rrugës, që nga majat e këpucëve e deri tek flokët. I kam lexuar dhe i kam kaluar nëpër duar të gjithë librat e burgut, botuar pas ’90, shqiptarësh dhe të huajsh. Secili prej atyre që i ka shkruar është një visar kombëtar, por studimi dhe ekzaminimi në thellësi i dosjes dhe i njeriut – dhe i njeriut-dosje, me të gjithë kontekstet njerëzorë, të periudhës së dënimit, të burgut dhe më pastaj, jo të gjithë janë të së njëjtës lartësi. Por Ejëll Çoba është një majë ekstremist frymëzuese.
I kulturuar, i arsimuar në Perëndim, jo pak, por gati 13 vjet, ai është aq shqiptar nga palca e vërtetë e burimit të gjenit kombëtar. Ai sillet ndaj hetuesit dhe prokurorit, gjyqtarit dhe spiunit, jo si fatkeqi, i arrestuar apo i lidhur. Ejëll Çoba është gjyqtari. Është nga të rrallat herë, që një jetë e burgosur shndërrohet në gjykatë; është ai që jep verdiktin për këta njerëz...dhe nuk janë këta, për këtë. Diktatura mbi të, me strukturat e saj më të zeza, e ka vendosur Ejëll Çobën në skajin e torturës dhe në skajin e vdekjes; e ka vendosur në uri, e ka vendosur në jerm, por kurrë nuk ka mundur ta zhbëjë si njeri. Ai është krejt si një dritë e ndezur nga dora e Zotit në qeli, në Maliq, apo kudo i vendosur në torturën e persekutimit.
Është impresionues reagimi dhe lumturia e tij në një moment kur del nga hetuesi dhe thotë se ishte i lumtur, jo që i shpëtoi akuzës të hetuesit, por që shpëtoi dhjetëra emra, të cilët nuk i zuri në gojë, të cilët i futi brenda vetes, kujtesës së tij, dhe nuk ia dorëzoi hetuesit, si deshtë e kurbanit, që jo rrallë dorëzoheshin nga torturat dhe nga pistoletat e pushkatimit.
Natyrisht, botuesit e këtij libri kanë kryer një shërbim publik, estetik, kulturor, që meritojnë të lavdërohen dhe të çmohen. Por si profesionist, vlera e kujtimeve të tij kërkonte një standard më të lartë trajtimi profesional dhe mbase një ribotim do të ishte një dhuratë e mirë për kujtimin e pashlyer të Ejëll Çobës.
Titulli i librit është “Jetë e humbur”, por libri ka edhe një thënie të famshme, në hapje të tij: “Mos raftë më u harrue”. Pikërisht këtë jeta e Ejëll Çobës dhe emri i tij e kanë sigurue. Vetëm një jetë e tillë, si e tij, që çelet aq madhërishëm në këtë libër, të jep të kuptosh se sa janë goditë themelet e shqiptarizmës, por edhe se sa kanë qendrue, dhe këtë duel e kanë fitu, e kanë mbijetu njerëz si protagonisti i këtij libri.
Padyshim, ai nuk është i vetëm në këtë vendosje panteonike. Dhe këtë nuk e themi për një raport modestie të stilit majtist. Por sepse vetë Ejëll Çoba, në këtë libër përshkruan shumë bashkëvuajtës të tij me nota aq krenare, aq shqiptare, sa me të vërtetë të nxit dhe të bën të thellohesh në kërkime të reja të këtij ferri të zi komunist, që endet përkambësh, në këtë shoqëri që don të hecë... të hecë, të hecë, dhe të shkojë për atje ku ka qenë nisur dhe jo për atje ku e kanë ndarë...për drejtim stepash, a më keq akoma...për më u poshtnue në kambë të atij që gjithë jetën e ka urrye, këtë popull e këtë vend.
Mendoj se edhe vetë formimi i Ejëll Çobës apo besimi i tij në Zot, ia kanë plotësuar dëshirën, i janë vërtetuar me këtë fat të madh, që t’i fillojë jeta jo thjesht në kuptimin e dogmës, në të përtejmen botë. Por pikërisht në këtë botë, mes të gjallëve. Pra, ai mbetet midis të gjallëve, i nevojshëm për të mësuar prej tij. Kjo s’ka lidhje me termat “rron në zemrat tona”. Për jetë aq të vërteta, aq të pastra e të çiltra...duhen mendjet njerëzore. Dhe pikërisht këtë bën dhe bëjnë këto kujtime, që pasurojnë mendjet e sotme njerëzore, që ndritin mendjet e sotme njerëzore, që kanë nevojë për këtë emër, që nuk janë më kurrë një “jetë e humbur”...por një jetë e fituar.