E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej termave, te dukuritë

ERMAL HASIMJA

Ky shkrim niset nga një replikë e Adri Nurellarit te Shqip ndaj një shkrimi tim, mirëpo, në fakt, nuk është përgjigje ndaj shkrimit në fjalë për arsyen e thjeshtë sepse mendoj se jemi dakord me Nurellarin për shumicën e gjërave. Edhe po të përpiqesha ta bëja, do të rithosha të njëjtat ide që miku im i ka thënë pak më ndryshe në shkrimin në fjalë apo në shkrime të tjera me stilin e tij të shkëlqyer. Por, shkrimi i tij më nxiti të bëj disa sqarime në atmosferën e debatit rreth çështjes së nacionalizmit në Shqipëri. Vështirësia kryesore qëndron në konceptimin e termave. Është e vërtetë se në fjalorët e zakonshëm nacionalizmi i referohet shpesh, thjesht një identifikimi të fortë emocional me kombin. Nga kjo pikëpamje ai i afrohet konceptimit publik të konceptit të patriotizmit, megjithëse nacionalizmi i referohet kombit dhe patriotizmi atdheut. Prandaj, me të drejtë, dallimi mes dy koncepteve mund të duket relativisht i paqenë. Në gjuhën publicistike e politike të 50 viteve të fundit, gjithsesi, nacionalizmi dhe patriotizmi përgjithësisht janë dalluar. Nacionalizmi ka shkuar përtej përkufizimit si dashuri përparësore ose ekskluzive ndaj kombit dhe përdoret gjithnjë e më tepër në kuptimin e një ndjenje identitare agresive që ngjizet në sajë të rrezikut dhe përbuzjes (apo edhe urrejtjes) së tjetrit: tjetri këtu është i huaji, sidomos fqinji, emigranti, i ardhuri etj.
Këtij konceptimi të nacionalizmit i jam referuar vazhdimisht, duke e konceptuar dukurinë në fjalë si problematike dhe madje rrënuese për një vend. Ky nacionalizëm ksenofob e paranojak mbahet sot gjallë nga partitë radikale në mbarë botën, më tepër sepse siguron vota, sesa për shkak të ndonjë besimi të sinqertë: Balli Kombëtar i Jean-Marie Le Pen-it në Francë është shembulli tipik, por shembuj të tjerë ka plot në Austri, Gjermani, Belgjikë e natyrisht, me shumicë edhe në Ballkan, ku debatet janë bërë edhe me masakra e shfarosje. Koncepti i patriotizmit në fjalorin politik aktual ka domethënie më të butë duke ruajtur identifikimin përparësor e ndoshta ekskluziv me atdheun, por pa përmbajtur elementin anti-tjetër. Shembulli amerikan është më i dukshmi në këto vitet e fundit. Ky dallim bën të mundur përdorimin e dy koncepteve për të veçuar dukuri të ndryshme në politikë. Secili është i lirë të japë përkufizimin e vet të dy termave, por unë kam zgjedhur këtë përdorim konvencional që më është dukur më i shpeshtë.
E, megjithatë, për ti shpëtuar lojës së përkufizimeve mund të ishte më e përshtatshme të analizohen dukuritë, duke shmangur emërtimet për aq sa është e mundshme. Po marr disa prej tyre:
Së pari, në perceptimin tim, kohët e fundit janë bërë përpjekje për zhvendosjen e përgjegjësisë për problemet e vendit drejt armikut të jashtëm ose të paktën zhvendosjen e axhendës politike drejt rrezikut të jashtëm. Leximi i disa teksteve të bën të mendosh se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e rrezikuar sesa sot nga armiku, kryesisht nga greku. Ky grek shfaqet këtu me shumë fytyra: a) është greku si përgjithësim i kahershëm, pra greku antishqiptar që duket apo kamuflohet; b) greku nacionalist, ose siç e quajmë ne, ekstremist, me qëllim që të ruhet koncepti i nacionalistit për përdorim të brendshëm pozitiv; si dhe c) greku i brendshëm, i shfaqur qoftë hapur përmes përfaqësuesve të pakicës greke në Shqipëri, qoftë i demaskuar, siç del nga një replikë që i bëhet një shkrimi të gazetarit Ilir Paço, shpallur nga replikuesit si nacionalist e përdorues i gjuhës së urrejtjes (akuzë me të cilën personalisht, pas leximit të shkrimit, nuk bie fare dakord). Pasoja e parë e zhvendosjes së rrezikut dhe problematikës, si dhe e krijimit të psikozës së rrethimit armik është eklipsimi i politikës klasike. Rrjedhimisht, është i parashikueshëm reagimi dhe qëndrimi i Kryeministrit, sepse kjo zhvendosje jo vetëm që bëhet nga kundërshtarë potencialë, por, mbi të gjitha, i kërcënon fushën e lojës. Politika është, mbi të gjitha, përkufizim i problematikës dhe i axhendës. Duket sikur Berishës dhe Ramës kjo zhvendosje i heq nga dora planin e parë në skenë. Aq më tepër kur eventualisht, Berisha, duke qenë në pushtet, rrezikon të shpallet pjesë e problemit apo neglizhent ndaj tij. Kjo pasojë e parë e zhvendosjes nuk përbën ndonjë problem të madh për aq kohë sa prek vetëm konkurrencën mes politikanëve. Ajo përbën problem të madh dhe serioz, sepse zhvendos edhe vëmendjen dhe pritshmëritë e votuesve nga problemet gjigante politike, sociale e ekonomike drejt problematikës së re inflacioniste. Prioritet i ri bëhet një rrezik kombëtar i shpallur tashmë prej heronjve të rinj që eventualisht ia kanë gjetur paraprakisht edhe ilaçin dhe janë të gatshëm ta ofrojnë publikisht sapo të thirren nga populli në Parlament.
Së dyti, çështja e ndërsjellësisë. Mjafton të lexosh tekste përtej kufijve për të kuptuar se grekët e serbët që i konsiderojnë shqiptarët si rrezik kombëtar (sa rrugë e gjatë për të mos përdorur termin nacionalist!) kanë saktësisht të njëjtat argumente që kanë shqiptarët që i konsiderojnë grekët e serbët si rrezik kombëtar: ata na kanë rënë në qafë gjithmonë, ne kemi qenë gjithnjë paqësorë, ata kanë bashkëpunuar me pushtuesit tanë, ata kanë emigruar në vendin tonë ku jemi autoktonë etj., etj. Ajo që është më problematike është se logjika e ndërsjellësisë shndërrohet në përligjje politike. Nëse greku na fyen në Athinë, ne duhet tia kthejmë njësoj në Tiranë. Nëse ata nxjerrin një tufë racistësh në paradë, ne duhet të jemi 1000 kur tua djegim flamurin publikisht dhe ata 10 000 kur të na e kthejnë kumtin e zakonshëm. Nëse ata shkelin të drejtat e shqiptarëve në Greqi, ne duhet të rimendojmë të drejtat e tyre në Shqipëri.
Së treti, kjo logjikë ka edhe një përmasë tjetër të shprehur qartë në një emision nga një përfaqësues i shpalljes së rrezikut grek, kur ky i fundit u deklaroi përfaqësuesve të pakicës greke se duhet ti jenë mirënjohës Shqipërisë për të drejtat që gëzojnë! Çështja është se këta minoritarë janë gjithashtu shtetas të Shqipërisë dhe të drejtat ua jep Kushtetuta pa qenë nevoja ti jenë mirënjohës dikujt. Unë personalisht nuk i jam mirënjohës askujt për të drejtat që kam. Të drejtat e mia janë të miat dhe nuk mund të mi japë askush. Mund të mi marrë, por nuk mund të mi japë askush. Grekët e Shqipërisë janë, siç e tregon edhe përkufizimi… të Shqipërisë. Greqia do të duhej të respektonte të drejtat e shqiptarëve të Greqisë (përfshirë dhe sidomos të çamëve) dhe madje edhe të drejtat normale të emigrantëve sipas standardeve të përgjithshme të drejtësisë, por nëse Greqia nuk e bën këtë gjë, kjo nuk përbën një arsye për ta imituar. Nëse e imitojmë të keqen e supozuar, ku dallojmë prej saj? Thjesht nga rendi i nismës? Sepse ata e nisën të parët? A është Kushtetuta e Shqipërisë në dorë të grekut antishqiptar, apo në dorë të shqiptarëve?
Së katërti, është problemi i përçarjes së vetë shqiptarëve dhe ndarjes në dy kampe artificiale. Në kushtet e pranimit të një rreziku kombëtar (domethënë jetësor, meqë kombi po rrezikohet) gjithkush që nuk pranon rrezikun është automatikisht armik, ose në rastin më dashamirës, injorant naiv. Po sikur të jetë e kundërta, pra sikur ky armik të ketë të drejtë dhe të jetë pikërisht ai që e sheh mbretin lakuriq në teshat e tij të padukshme?
Së pesti, kjo politikë paranojake ndaj tjetrit ka pasojën e drejtpërdrejtë të ushqimit të paranojës së tjetrit. Dhe kjo është çështje që zgjat me shekuj. Tjetri e nisi i pari. Ne u mbrojtëm. A nuk janë tekstet, deklaratat dhe politikat antishqiptare frymëzimi më i madh i antigrekëve dhe anasjelltas? Për më tepër, identitetet e tjera reduktohen brenda stereotipave: greku për shqiptarët dhe shqiptari për grekët. A thua se ka një shqiptar e një grek që përmbledhin thelbin tonë përkatës! Argumenti që përdoret rënd

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›