Rruga që nuk pritet
Ka shumë shpjegime për lindjen e fashizmit apo diktaturave. Ndër shumë argumente vlejnë të përmenden se një ndikim të madh ka minimizimi ose zerimi i rolit të inteligjencies. Kjo realizohet nga mbajtja e shtresës së mesme në stadin e shtresës së mesme të ulët, pra duke luajtur me varfërinë e duke i kaluar ato me detyrim në apati dhe më së shumti në cfilitje dhe pamundësi mendimi. Po i këtij varianti është edhe tradhtia me dashje e inteligjencies (nënkupto-shtresa e mesme), apo bjerrja e këtyre faktorëve.
Të dyja këto veprime në fashizëm apo diktatura shoqëroheshin me punë për fshirje të emocionit spontan dhe individuales, si armë të intelektualit.
Po çfarë ka ndodhur në këto vite, në vendin tonë?
A ka një tradhti të inteligjencies apo është punuar për ngritjen me mundim dhe hap pas hapi të shtresës së mesme?
Si prurje të rëndësishme të shtresës së mesme do të shqyrtonim:
Mediat janë aktorë të rëndësishëm për të cilat nuk mund të thuash se nuk kanë sjellë progres, dhe se janë padyshim faktorë të rëndësishëm emancipues në një shoqëri. Zgjerimi i fokusit të temave dhe emisioneve me shqetësime sociale apo aspekte praktike (më parë predominonin politikanët e ftuar dhe emisionet politike) shtimi i gamës së të ftuarve, krahas atyre politikë i ka kthyer mediat në foltore të shtresës së mesme, për të shprehur e rrahur ide që shkojnë në favor të progresit social-ekonomik, por dhe politik.
Institucionet arsimore janë padyshim një kontributor parësor i progresit dhe pjesë e padiskutueshme e shtresës së mesme, të cilat kanë nxitur padyshim politikat kombëtare qeveritare progresive si dhe kanë kontribuar padiskutim me burime të vlefshme njerëzore.
Studentët në rritje të cilët aplikojnë për profesionet e lira, kontribute lehtësisht të verifikueshme të universiteteve por dhe qeverisë, në shtimin e numrit, dhe standardeve të tyre, janë një argument i qëndrimit progresiv te rektorateve dhe politikave qeverisëse, për një shtresës të mesme të shëndetshme.
Ka nga ata që nuk besojnë as tek teoria marksiste se “ndryshimet sasiore sjellin ndryshime cilësore” dhe as tek teoria e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë, ndaj si aspirues të pakënaqësisë absolute anatemojnë edhe ato që dukshëm janë prurje pro progresiste.
Veprimtari të shoqërisë civile kanë nxitur ngritjen e standardeve qytetare, që nga dëshira për të mbajtur mjedise të pastra, tek kontributi personal për t’i mbajtur pastër këto mjedise, që nga indiferenca para çështjeve të rëndësishme të vendit deri në pjesëmarrjen aktive duke detyruar shpesh qeveritë për të ndryshuar vendimmarrjet.
Lulëzimi i kanaleve muzikore radiotelevizive, projektet “Shqipëria në moshën e Internetit”, të cilat rrisin shpejtësinë e ideve, informacionit, dhe kur përdoren mirë ushqejnë shpirtin njerëzor, nxitin energji pozitive, pra janë bazë për zhvillim, por janë padyshim dhe shprehje e lirisë së individit, si një kusht themelor i sistemit demokratik.
Jo vetëm rritja e shkëmbimit të ideve, informacionit, por edhe ndërtimi i rrugëve të reja nacionale apo politikat për lehtësimin e shkëmbimit të mallrave, janë një argument shtesë në favor të zhvillimit dhe të shtresës së mesme.
Por kryeministri i vendit, sipas mendimit tim iu përgjigj shumë objeksioneve, kur u shpreh se qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për konsolidimin e shtresës së mesme, duke e pasur progresin e saj si një fokus të veçantë, e vetëdijshme se ky është një kontribut afatgjatë për vendin. Lëvizja e lirë, rritja e pagave, politika mbështetëse, janë argumente të rëndësishme pro këtij vlerësimi. Një argument i rëndësishëm është dhe marrja e eksponentëve të rëndësishëm të shoqërisë civile në qeverisje apo kalimi i elementëve qeverisës në shoqërinë civile, apo në struktura të zgjedhurish, si shprehje edhe e vullnetit të njerëzve për të kontribuar në një shoqëri konkurruese, e jo krijimi i një shtrese të mesme si qëllim në vetvete.
Në periudha kur vendi progreson meqenëse pjesa dërrmuese e inteligjencies mbështet qeverinë, nuk do të thotë aspak tradhti e inteligjencies, ashtu si rebelimi dhe kundërshtia si fibër kryesore e intelektualit (së bashku me prirjen e tij natyrale për dialog), nuk mund të jenë qëllim në vetvete, dhe nuk ngjajnë aspak me fanepsjet e syrgjynosjes së diktaturës së kaluar, apo me pushkatimet pa gjyq të tyre, apo me fshirjet emocionale hitleriane apo zëvendësimin e natyrës spontane dhe individuale të njeriut me fytyrën unike, por të dështuar të njeriut të ri socialist.
Argumentet e mësipërm, pohojnë se inteligjencia nuk ka tradhtuar. Për më tepër përbaltja e saj në çdo formë ngjan me sulmet e tipit leninist.
Natyrisht në të gjitha aspektet e forcimit të shtresës së mesme ende ka shumë për të bërë.
Shtresa e mesme gjithnjë e më e imunizuar nga agresionet që korruptojnë misionin e saj nuk arrihet me “shkopin magjik” (Kjo çështje po, mund të kërkojë, mekanizma, kohë, stad të caktuar të vendit dhe diskutim).
Nuk ka tradhtuar as Profesorati, siç gjejmë sot rëndom në shtyp, dhe as Profesori i cili ndjeu çastin e përsosur, dhe zërin e qytetarëve si burim force, kur më shumë se 20 vjet më parë iu drejtua bashkëkombasve,me fjalët e ndaluara për disa dekada: “Zonja dhe Zotërinj”. Magjia e brohorimave të tyre unike dhe e pangjashme, e përjetuar në shpirtin njerëzor, inspiroi një rrugë, të nisur qyshkur, ushqyer më së paku nga profesioni a vendlindja, një rrugë që shumëkush ose nuk e sheh ose nuk do ta shikojë, por sot është më e përvijuar se kurrë, rrugën që nuk pritet.
Kjo rrugë ashtu si dashuria për fëmijët, familjen, vendlindjen etj, si rrugë shpirtërore që i japin kuptim ekzistencës dhe nxitjes së energjive njerëzore, mundëson që shqiptarët të realizojnë projektin Shqipëria vend i zhvilluar, projektin e hyrjes në Bashkimin Evropian me fytyrën e tyre, si zonja e zotërinj.