E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e padrejtësisë

02-09-2011 / Nga Astrit Gashi (Zëri)

Manipulimet politike nuk janë forma të reja që përdoren për të shfrytëzuar masat popullore për përfitime politike dhe ekonomike, prandaj ato më se shumti mbështillen me çështje kombëtare dhe fetare. Por, cilido që të jetë motivi apo përfitimi, kjo zeje e vjetër politike gjithmonë do të cilësohet si e keqe dhe e dëmshme për shoqërinë. Me debatin e iniciuar pa asnjë përgatitje në Kuvendin e Kosovës lidhur me futjen e një lënde fetare në mësimin fillor e të mesëm, Partia e Drejtësisë dhe mbështetësit e saj nuk kanë asgjë më shumë dhe më pak se manipulim. Manipulim para së gjithash me ndjenjat e besimtarëve myslimanë të Kosovës, dhe atë në natën e Bajramit- kur myslimanët më të devotshëm përfundojnë agjërimin e Ramazanit dhe presin ditën e nesërme për të festuar Bajramin me të afërm, miq e shoqëri.
Duke hedhur për miratim në Kuvend dhe për diskutim një amendament ligji, i cili dihet që prek ndjenjat jo vetëm të myslimanëve, por më së shumti të tyre, pa përjashtuar edhe besimtarët tjerë, pa u përgatitur dhe të vetëdijshëm se ai nuk do të miratohet, është arritur vetëm një efekt shoqëror- ai i hidhërimit të besimtarëve në natën kur ata do të duhej të ishin më të lumtur. Një parti që pretendon, pa asnjë të drejtë, të përfaqësojë pikërisht këta besimtarë, nuk do ta bënte këtë sikur qëllimi i vërtetë i saj të ishte hyrja e lëndës fetare në kurrikulumet mësimore.
Duke vepruar në kundërshtim me këtë, qëllimi i vërtetë i përfaqësuesve të PD-së duket se ka qenë manipulimi i masave se kinse këta po bëjnë çka është e mundur për ta, por se të tjerët, pra “antifetarët” dhe “komunistët“ s’po e lejuakan. Pra, evidentimi i së mirës dhe së keqes, i engjëllit dhe i djallit, i besimtarëve dhe të pengesave, që sot na qenkan shumicë në sallën e Kuvendit, dhe shndërrimi i kësaj çështjeje në një kauzë. Një çështje, që aq thjeshtë do të kthehej në diçka për të cilën duhet luftuar dhe për të cilën kur diskutohet në natën e Bajramit, dhe kur preken emocionet e besimtarëve do ta fitojë dhe përkrahjen e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Kjo edhe ndodhi të nesërmen, kur kryemyftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në faljen e Bajramit u shpreh me tone të ashpra kundër deputetëve që nuk e miratuan atë propozim- edhe pse shumica e tyre ishin myslimanë dhe, si të tillë, përfaqësohen nga ai në aspektin fetar. Tërnava u ngut dhe duke dashur të mbrojë besimtarët që përfaqëson, ra në kurthin e ngritur si kauzë nga Ferid Agani me shoqëri, tek të cilët synimi duket se ishte krejt tjetër. Në një aso kauze, rezultati i së cilës nuk do të ishte futja e mësimit fetar në procesin arsimor, por shtimi i votave si dhe sigurimi i një mandati të ri në parti nga Ferid Agani, duke mbuluar mossukseset politike me kauza të mëdha që janë shtyrje përpara. A nuk e tha Agani vetë në televizion se ajo që ndodhi në Kuvend atë ditë ishte sukses, sepse nga 2 vota pro në 2005 tashmë siguruan 18 vota pro. A nuk e tha ai vetë se zgjedhjet e brendshme në PD do të mbahen në vjeshtë, se do të rikandidonte e se është optimist për rizgjedhje! Gjetja e anëve pozitive në një humbje të pastër të tij e partisë dhe paralajmërimi i rikandidimit në zgjedhje të brendshme, si dy shtyllat e deklarimeve të tij, së bashku me vazhdimin e betejës tashmë në forma të tjera, nuk ka si të duken veçse një shfrytëzim i ndjenjave kolektive për qëllime personale politike.
Problemi i shoqërisë sonë qëndron këtu dhe jo te çështja nëse duhet apo jo të futet mësimi fetar në shkollat kosovare. Futja apo jo e një lënde të tillë prodhon debat mbi formën dhe jo mbi përmbajtjen, ashtu siç ishte edhe vetë kërkesa e PD-së. Sikur këta të kishin për synim atë që e deklarojnë, atëherë në Kuvend do të propozonin përveç amendimit, edhe përmbajtjen e lëndës, mënyrën si do të realizohej, numrin e mësimdhënësve, rekrutimin e tyre dhe në fund koston e krejt kësaj. Këtë të fundit e kuptuam vetëm nga ministri i Arsimit, Ramë Bujaj, i cilin tha se do të duheshin 1 mijë mësues për të futur këtë lëndë! Nuk e përjashtoj se gjatë debatit në Kuvend të ketë pasur fyerje edhe ndaj besimtarëve myslimanë, megjithëse për aq sa unë e përcolla nuk vërejta diç të tillë. Por, në përgjithësi diskutimet rreth formës e jo rreth substancës nuk sjellin përmbajtje, por në vend të kësaj llomotitje e besa edhe fyerje. Ndarja e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në pasardhës të majmunit apo jo, pa i matur fare fjalët dhe pa e shikuar së pari veten në pasqyrë, nëse një deklarim i tillë është fyes apo jo. Dhe unë po ju them se edhe Ardian Gjini, sikur edhe deputetët e tjerë që votuan kundër- sikurse edhe ata pro, janë njerëz prej mishi e shpirti sikur ata që votuan pro rezolutës, dhe etiketimi tyre si majmunë nuk është asgjë tjetër përpos një fyerje gjaknxehte për të cilën deputeti Kelmendi duhet së paku të kërkojë falje.
Agani më shoqëri, përveç se heshti, qoftë edhe përkohësisht presionin nga deputetët e partisë për të dalë nga qeveria nëse nuk futet feja në shkolla që tash do ta arsyetojë me progresin në vota, përmes këtij debati i bëri një shërbim të mirë edhe vetë partnerit më të madh në qeveri, PDK-së. U dha qytetarëve të vendit edhe një çështje tjetër për të cilën mund të bisedojnë, të shfryhen me njëri- tjetrin, të pajtohen e hidhërohen e të harrojnë problemet reale që i ka vendi, si stagnimi zhvillimor, fati i veriut, negociatat me Serbinë, korrupsioni e shumë çështje të tjera. Sado që Agani thotë të kundërtën, është krejtësisht e pabesueshme që ai nuk e ka ditur se deputetët e PDK-së nuk do të votonin ndryshimet e propozuara nga ai. Ai e dinte edhe se Thaçi nuk do t’i detyronte dhe as të bënte thirrje publike për të votuar pro. Por, Agani vendosi t’i bënte shërbim vetes, partisë, koalicionit me AKR-në dhe në fund vetë Thaçit në shkëmbim të pezmatimit të besimtarëve myslimanë.
Qytetarët e këtij vendi duhet të dinë se as Agani e as partnerët e tjerë të koalicionit nuk do të dalin nga kjo qeveri për asnjë çmim, sepse me këtë rrezikojnë zhdukjen politike të tyre. Ata vetëm mund të përjashtohen nga partneri më i madh, PDK-ja, e kjo nuk është jashtë mendjes që do të ndodhë. Agani, si një intelektual, e di që ai nuk përfaqëson besimtarët myslimanë. Edhe nëse ekzistojnë si kolektivitet politik, ata politikisht janë të shpërndarë në parti, ndërsa në aspektin fetar përfaqësohen vetëm nga BIK-u. PD-ja kësisoj përfaqëson vetëm elektoratin dhe islamin politik- shfrytëzon besimin për të përfituar poste politike. Derisa problemet e besimtarëve myslimanë janë të natyrave praktike. Andaj, PD duke prodhuar zhurmë tenton të fusë në lojën e saj politike edhe BIK-un. Shfrytëzimi i fesë për manipulime politike nuk është asgjë më pak e as më shumë se një turp moral, ndërsa tentimi për të manipuluar edhe BIK-un është një "vlerë" e shtuar e këtij turpi. Tentimi për manipulimin e BIK-ut nuk është vetëm në këtë rast, por edhe me rastin e ndërtimit të xhamisë në Prishtinë. Meqë Prishtina udhëhiqet nga LDK dhe kryetar i saj është shefi i kësaj partie, Isa Mustafa, bërja llugë e punëve këtu i përshtatet shumë edhe vetë PDK-së. Ky është një gabim i madh-Tërnava duhet t’i rezistojë përfshirjes në politika ditore. Futja e lëndës së besimit fetar nuk ka të bëjë fare me aspiratat evropiane, siç pretendon Agani. Ajo, në varësi nga përmbajtja, as nuk do të na ofrojë e as nuk do të na largojë nga BE-ja. Kjo e fundit, me këtë çështje as që do të merret derisa ta vlerësojë nëse e meritojmë t’i bashkohemi. Nga pjesëmarrja në familjen evropiane, do të na largojë pa asnjë dyshim shëndetësia si e kemi sot, që qytetarëve tanë iu ofron si të sigurt vetëm sëmundjen, infektimin e vdekjen, ndërsa duhej të ofronte shërimin e jetën. Vendi ynë do të jetë jashtë çdo standardi përderisa të kemi këtë numër kaq të madh të vdekjes së foshnjave, nivelin e ulët të jetegjatësisë e shumë të tjerë indikatorë që na rendisin kah fundi i statistikave globale. Meqenëse futja e lëndës fetare është pjesë e arsimit, atëherë e vlen të thuhet se as në këtë drejtim nuk jemi askund me standardet ndërkombëtare.
Duke lënë anash analfabetizmin funksional me shkallë të lartë, duhet rikujtuar se sistemi ynë shkollor nga ai fillor deri në pasuniversitar nuk prodhon kuadro të specializuara dhe të gatshme për punë. Kualiteti i këtij sistemi, si privat ashtu edhe publik, mund të ilustrohet me një fakt të thjeshtë: mbi gjysma e nxënësve nuk arrijnë të kalojnë testin e maturës. Kjo nënkupton se gjysma e nxënësve kosovarë gjatë shkollimit nuk marrin njohuri të kalueshme nga lëndët obligative sikur matematika, gjuha, biologjia e kimia.
Paramendojeni vetëm sa prej tyre do të merrnin njohuri nga mësimi i lëndës fetare si lëndë joobliguese. Mos e paramendoni fare madje sa shumë nga ta do të iknin nga kjo lëndë, për të luajtur futboll, ngacmuar vajzat a djemtë, ose për të bredhur rrugëve e kafeneve. Ajo që dua të potencoj përmes këtyre shembujve është se edhe sikur mësimi fetar të futej si lëndë sot, rezultatet e saj do të ishin të dëmtuara nga niveli i përgjithshëm-më se i ulët i mësimit nëpër shkolla.
Me këso rezultatesh të ulëta shkollore vështirë se do të afrohemi afër BE-së, me ose pa lëndën fetare në kuadër të kurrikulumit mësimor. Së fundmi, argumentimi se mësimi fetar do të ulte depresionin shoqëror, narkomaninë, vetëvrasjet e dukuritë e tjera negative shoqërore, në variantin më të mirë është vetëm pjesërisht i saktë. Kosovarët sot janë të dëshpëruar se nuk kanë vende pune për vete e fëmijët e tyre, se me punë të ligjshme zor mund të vijnë deri të pasurimi dhe janë të dëshpëruar me mungesën e perspektivës së tyre dhe shtetit, dhe jo me pamundësinë për të mësuar për fetë apo edhe për të ushtruar ato.
Dëshpërimi i kosovarëve është si pasojë e ambicieve personale gllabëruese të politikanëve të tyre, dhe mosçarjes së kokës për ardhmërinë e vendit. Andaj Ferid Agani bashkë me politikanët e tjerë, nëse duan të shërojnë qytetarët nga depresioni- duhet të ndalin së menduari e së përfituari vetëm për veten e tyre dhe t’u ofrojnë të mira qytetarëve- ose të paktën të fillojnë të veprojnë në atë drejtim.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›