E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtimet poetike

Nga Express më 06 qershor 2011 në ora 12:29

Sot (e hënë), duke filluar në orën 19:30, në Parkun Arkeologjik përball Muzeut të Kosovës, në organizim të OJQ-së ‘re: Public’, bëhet promovimi i librit ‘Prishtina – Poetic Memories’ i autores Valbona Shujaku.

‘Prishtina – Poetic Memories’ është libër me fotografi të qytetit të Prishtinës gjatë periudhës prej rreth tridhjetë vitesh pas Luftës së Dytë Botërore. Në libër paraqiten pamje dhe peizazhe arkitektonike të kohës së tranzicionit të Prishtinës nga një qytezë zejtarësh në kryeqytet të Kosovës.

Në libër gjenden pamje të rralla të lagjeve, ndërtesave dhe objekteve publike që dikur ishin në funksion të qytetit dhe banorëve të saj, kurse sot pothuajse nuk ekzistojnë fare. Në libër mund të shihen pamje të Çarshisë së qytetit, çeshmet e shumta publike, urat e drurit dhe gurit, fotot e lumenjve Vellusha dhe Prishtevka, fotografi të parqeve të gjelbëruara, shtëpi të vjetra me arkitekturë otomane dhe pallatet e reja të stilit komunist të ndërtuara mbi rrënojat e Xhamive dhe Kishës Katolike dhe pamje të Sinagogës së qytetit në vendndodhjen e vjetër. Libri shpalosë vlerat kulturore të qytetit, të cilat u shkatërruan nga regjimi i atëhershëm komunist nën sloganin ‘shkatërrojmë të vjetrën, ndërtojmë të renë’.

Libri ‘Prishtina – Poetic Memories’ paraqet rreth 240 fotografi të marra nga koleksioni i Muzeut të Kosovës, kurse bashkangjitur librit është edhe harta e Prishtinës nga viti 1961 që tregon vendet prej ku janë fotografuar pamjet në libër.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›