E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujtimet që ngjallin "Topazin". Idetë që vdesin teatrin

Aktori Lazër Filipi rindërton me kujtime komedinë e parë të Teatrit Profesionist të Shtetit, me regji të Sokrat Mios.


Një rikthim 65 vite pas në historinë e veprës, sjelljet e aktorëve, reagimi i publikut që paguante biletën me "paret e luftës"


Më 20 maj 1945, në ish-kinema "Kosova", Teatri Profesionist i Shtetit vinte në skenë të parën shfaqje të këtij institucioni të ri kombëtar. Ishte komedia "Topazi" e Marcel Pagnolit.


Regjisori Sokrat Mio kishte zgjedhur për aktorë Andon Panon, Ollga Shurajën, Besim Levonjën, Nikolla Panajotin, si dhe fëmijë shkollash dhe figurantë. Përveç Lazër Filipit, sot 89 vjeç, askush nuk jeton më nga aktorët. 65 vjet më pas, Filipi rikujton "Topazin", punën me regjisorin, sjelljet e aktorëve, ato që nuk i ka regjur koha, si ka reaguar publiku për herë të parë në teatër.


"Ollga vinte nga teatri partizan i Përmetit. Ishte aktore e re, e qetë, nuk ishte impulsive, përpiqej të mbahej zonjë. Andon Pano kishte një zë të kumbueshëm. E luante shumë mirë pjesën."


Këto pak kanë ngelur në kujtesën e aktorit Lazër Filipi, atëherë 18 vjeç, në rolin e shërbëtorit të zonjës Topaz, e interpretuar nga Shuraja.


"Topazi, kujton Filipi, ishte një mësues i ndershëm që e nxjerrin nga puna dhe detyrohet të punojë afër një politikani. Shpejt e kuptoi ligësinë e tij, hiletë dhe dallaveret, por edhe atij iu fut në gjak pushteti dhe arrin der aty sa përbalt parimet e veta dhe pa e kuptuar i zë vendin atij që i kishte shërbyer."


Aktorit i ka mbetur në mend si një satirë e fortë, "një demaskim i së keqes". Më tej kujton: "Ka pasur shumë sukses. Atë natë ka qenë salla plot. Topazi mund të jetë vënë nja 30-40 herë rresht.


Njerëzit vinin në shfaqje dhe kishin mall sepse atëherë nuk ishte media e sotme, televizioni. Por, nuk u rivu më vonë sepse filluam të merrnim pjesë të tjera nga dramaturgjia botërore, klasike". Çmimi i biletës nuk i kujtohet, vetëm që "kanë qenë paret e luftës, lekë të stamposura".


Por, sapo ndonjë kujtim i vjen në mendje, i qeshet fytyra e ndihet mirë që është aty për të rrëfyer një kohë në të cilën është dëshmitari i vetëm. Edhe pse është duke folur për teatrin e sotëm me 65 vjet mbi supe, i kujtohet nata pas premierës, festa në oborrin e teatrit, duke pirë shampanjë me miqtë. "Sepse atëherë Shqipëria ka qenë e mbytyr me shampanjën që sillnin tregtarët."


Nga regjisori Sokrat Mio, kujton seriozitetin në punë, shijen e hollë të huazuar nga Franca ku kish studiuar, "manierat" e veçanta të interpretimit. "Sokrati kishte mbaruar në Paris për regjisurë, ishte njeri që e njihte teatrin mirë, veçanërisht teatrin francez.


Ai krijoi edhe një shkollë dramatike, por u mbyll se u hap teatri. Ishte një profesionist i fjalës artistike. Vuri në skenë "Revizorin" e Gogolit, me aktorë Mihal Popin, Nikolla Panajotin, Besim Levonjën, Loro Kovaçin, Xhevat Serezin, Mihal Stefën. Mio kërkonte realizëm në interpretim, interpretim të vërtetë, pa deklamacione, në mënyrë të sinqertë, ashtu siç janë njerëzit në jetë."


Duke e lënë pas shfaqjen e parë, i kërkojmë Filipit një opinion për përvojën 65-vjeçare të teatrit, çfarë ka ecur bashkë me kohën dhe çfarë ka mbetur në vend.


Edhe pse përpiqet t'i ledhatojë fjalët për aktorët e sotëm, veprat dhe gjendjen aktuale të teatrit në Shqipëri, duket që Filipit i ka mbetur koka pas, tek teatri i viteve '60 dhe '70, tek "koha e artë" siç e quan ai.


Atëherë kur studiohej me kujdes repertori, kur bëhej art i gjallë në skenë, kur aktori shquhej me karakteret e tij. "Kohët e fundit ka pasur një rënie nga cilësia e përzgjedhjes së dramaturgjisë sepse ka hyrë një "modë" që të vëmë pjesë me sa më pak veta dhe pjesë që luhen kollaj.


Ndër to hyjnë edhe ca pjesë të absurdit, me dy tri veta. Ka hyrë edhe monodrama, në mënyrë që ato pesë para që jepen për një shfaqje të mos shpërndahen në shumë veta, por t'i marrin dy tri veta", përmend Filipi si probleme aktuale, pa harruar "qarkullimin e repertorit", "rigjenerimin e aktorëve", zhdukjen e frymës së të "ndenjurit në stol".


E si mund të ishte ndryshe Teatri Kombëtar? "Me një organizim tjetër, me një udhëheqës artistik, me një regjisor permanent, dhe të rigjenerohej vazhdimisht me gjak të ri. Mbi të gjitha të zgjidhen vepra cilësore. Kjo ka rëndësi të madhe".

Filipi ka një histori të gjatë me Teatrin Kombëtar, dhe mbi të gjitha me rolin e Leninit tek "Orët e Kremlinit", i vënë më 1957 me regjisorin rus Vladimir Bortko.


Por, para se të vinte Bortko, Filipi ka punuar për këtë rol me Pandi Stillun, Zina Andrin, me Kujtim Spahivoglin. Për 20 vjet rresht nga 3 nëntor i 1957, deri në filmimin e parë për televizion, më 1977, nuk numërohen herët që Filipi ka veshur kostumin dhe kapelën tipike në rolin e Leninit. Dhe para tri vitesh, Saimir Kumbaro ua nguli në kujtesë këtë figurë edhe atyre që kanë lindur pas nëntëdhjetës. Si një makth që nuk të lëshon për të vazhduar para.


Sot "Topazi" do të kujtohet në Teatrin Kombëtar nëpërmjet disa leximeve të aktorëve të rinj me rastin e aktiviteteve të zhvilluara në 65 vjetorin e Teatrit Kombëtar, që nisin në orën 11 dhe kurorëzohen me "Darka e Gabuar" në mbrëmje, në orën 20.05.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›