Përplasen autobuzët, plagosen nxënësit nga Struga
Tre nxënës të një shkolle 8- vjeçare mbetën të plagosur, pas parakalimit të gabuar të njërit prej autobuzëve
Dy grupe shkollash, po kryenin një ekskursion historik në Shqipëri, ndërsa dje ata do vizitonin qytetin e Krujës
TIRANË- Tre nxënës shqiptarë nga Struga, profesori i tyre dhe një person tjetër mbetën dje të plagosur pas një aksidenti të shkaktuar nga përplasja e dy autobusëve me nxënës të shkollave 8- vjeçare, të cilët kishin mbërritur në Shqipëri, për një ekskursion historik pasi kishin vizituar Krujën.
Dy autobusët me targa të Ohrit, njëri prej të cilëve OH 049- 16, me të cilët udhëtonin nxënës të një shkolle 8-vjeçare nga Struga u përplasën dje paradite në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë.
Ngjarja ndodhi në afërsi të fshatrave Fushë-Prezë dhe Gjeç Kodër, rreth orës 11.00, kur autobuzi me ngjyrë të kuqe me targa OH 049 -16, u përplas me autobuzin tjetër po me targa të Ohrit me ngjyrë të bardhë, në momentin që autobuzi i kuq tentoi të futej në parakalim ndaj mjetit tjetër.
Për shkak të tentativës së gabuar për parakalim, mjetet u goditën mes tyre dhe nga përplaja u plagosën disa nxënës profesori i tyre dhe një person tjetër.
Nga përplasja mbetën të plagosur tre nxënës, profesori i tyre, shoferi i autobusit, si dhe u lënduan disa nxënës të tjerë, ku pas dërgimit të tyre në spital ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Të plagosurit Bekim Dauti, 49 vjeç, profesor, Çlirim Dervishi, 26 vjeç, Ditron Dauti, 13 vjeç, Premtime Mustafaj, 13 vjeçe dhe Arlind Tahiri, 14 vjeç, të gjithë nga Struga, u dërguan në spitalin ushtarak për ndihmë të menjëhershme. Më i dëmtuar në aksident ka mbetur 49- vjeçari Dauti, i cili ka pësuar politraumë, ndërkohë që nxënësit kanë dëmtime më të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes të dëmtuarit janë dërguar në Spitalin Ushtarak. Burimet nga spitali pohuan dje për "Shekullin" se Bekim Dauti ka pësuar dëmtime të rënda dhe ndodhet nën trajtimin intensiv të mjekëve.
Ndërsa shoferi i autobusit që po tentonte të parakalonte, ka pësuar dëmtime në të dyja këmbët. Ndërkohë nga burimet e policisë mësohet se aksidenti ka ndodhur gjatë momenteve kur njëri prej autobusëve ka tentuar që të parakalojë autobusin tjetër. Tentativa për parakalim dhe shpejtësia e madhe, dyshohet se kanë qenë shkaqet e aksidentit me pesë persona të plagosur dhe disa të tjerë të lënduar.
Dy autobusët me nxënës të një shkolle 8-vjeçare në Strugë po ktheheshin nga Durrësi për të shkuar në Krujë. Por në afërsi të Fushë- Prezës dy autobusët janë përplasur me njëri- tjetrin, ku për pasojë mbetën të plagosur pesë persona, tre nxënës, një profesor i tyre dhe shoferi.
Pas ngjarjes, në vendin ku ndodhi përplasja e dy autobusëve kanë mbërritur efektivat e policisë rrugore, të cilët kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit. Pas ngjarjes nxënësit e tjerë janë nisur drejt Maqedonisë. Për ngjarjen Policia e Tiranës, ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit me pesë të plagosur.