Demokratët: Votë e përgjysmuar për delegatët e Floridës dhe Miçiganit
Partia Demokrate ka zgjedhur një linjë kompromisi mbi Floridën dhe Miçiganin, dy shtetet me të cilat Hillari Klinton shpresonte të rindizte garën për nominimin e demokratëve dhe që tani do të përfaqësohen në konventën e gushtit, por me delegatë që do të kenë një fuqi të përgjysmuar vote. Kompromisi u arrit pas shumë orësh debate dhe në përfundim, jo të gjithë drejtuesit e partisë ishin dakord. Marrëveshja bën që senatorit të Illinoisit, Barak Obama, pa marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve paraprake të mbetura, që përfundojnë të martën, t‘i duhen vetëm 66 delegatë për të fituar emërimin e partisë si kandidat për President. Kompromisi i arritur nuk u prit mirë nga mbështetësit e senatores Hillari Klinton. Një nga anëtarët e stafit të saj elektoral, tha se shtabi do të kërkonte rishikimin e këtij vendimi në Kuvendin e Partisë Demokratike që do të zhvillohet në qytetin e Denverit, në Kolorado. Si Florida ashtu dhe Miçigani, me zhvillimin e zgjedhjeve të tyre paraprake më herët nga sa u lejohej, shkelën rregullat e partisë dhe si rezultat, ajo i konsideroi të pavlefshme rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Hillari Klinton i fitoi me lehtësi zgjedhjet në të dy këto shtete, por të dy kandidatët kishin rënë dakord të mos zhvillonin fushatë atje dhe emri i Obamës nuk ishte përfshirë në listat e zgjedhjeve në Miçigan. Në përfundim, pati nga ata mbështetës të senatores Klinton që pavarësisht rezervave për votën e përgjysmuar të delegatëve nga këto dy shtete, e pranuan kompromisin. Por, të tjerë deklaruan se ky kompromis, mund të cenonte Partinë Demokrate. Më parë, kryetari i Partisë Demokratike, Hauard Din, kishte deklaruar se qëllimi kryesor ishte "që të sigurohemi se partia është e bashkuar përpara fillimit të fushatës për zgjedhjet e përgjithshme presidenciale kundër senatorit Xhon MekKein, që e ka mbërthyer që tani emërimin e Partisë Republikane. "Kjo nuk ka të bëjë me kandidatët tanë. Kjo nuk ka të bëjë me Barak Obamën apo Hillari Klintonin. Kjo ka të bëjë me vendin tonë, ka të bëjë me rikthimin e Amerikës në kohët e saj më të mira, rikthimin e autoritetit tonë moral dhe shërimin e Amerikës". Pavarësisht reagimeve të mbështetësve të ish-Zonjës së Parë, vendimi e përmirësoi disi pozitën e Hillari Klintonit, pavarësisht se jo aq sa duhej për të konkurruar me rivalin e saj që udhëheq garën demokrate, senatorin me ngjyrë të Illinoisit, Barak Obama. Zgjedhjet e fundit paraprake nisën dje në Porto Riko, ndërsa nesër do të zhvendosen në shtetet e Dakotës së Jugut dhe të Montanës. Senatori Barak Obama ka ndërkohë në plan që të lançojë të martën, në një miting në stadiumin e Shën Polit në shtetin e Minesotës, fillimin e fushatës së tij të përgjithshme. Me vendimin e djeshëm, senatori i Illinoisit mund të mbështetet te 2118 delegatë, duke e çuar atë vetëm 70 delegatë larg nga marrja e nominimit.